MENU

Nga Halil Matoshi

Katedrala Notre-Dame des Paris dhe patalogjia shoqërore

23.04.2019 - 21:14

Zërat kundër vullnetit të Qeverisë për një mbështetje simbolike për ringritjën e Notre-Dame des Paris, si mirënjohje e solidarësi, janë zërat nga shkretëtira e harresës, mosmirënjohjes, kalbëzimit të shoqërisë, pra patologji (sëmundje) shoqërore, si nacionalizmi e fashizmi, si ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi taleban.

Janë moçali i një shoqërie.

Në Kosovë e hapësirën etnike shqiptare këta zëra janë anarkistë antiestabilshment, me mendësi talebane edhe pse mund të mos jenë të përkatësisë islame, e që flasin për ndërtim shtëpishë për të varfër, hala sportive, ndihma për të varfër, fëmijë me leukemi etj.

Ndërsa në Serbi ata që thonë se “mallkimi i Zotit ra mbi Francën sepse vendosi flamurin e Kosovës në Katedralen “Zoja jonë”, përkasin në mendësinë e ‘Palankës’ së Konstantinović-it, me filozofinë e fshatarit të fashistizuar!

Në thelb, këta janë po aq të verbër por më të avancuar në mësymje kundër vlerave të qytetërimit Perëndimor.
Agresioni që nxitet dhe ushqehet duke e orientuar përjashta, kur një ditë armiku i supozuar nuk ekziston, kthehet nga brenda, shemb çdo gjë përreth!

Kolonat e sharësve, denigruesve që hapur dalin kundër vlerave të përbashkëta europiane, në internet, janë mendësi barbare – fshatare si mentalitet.

Kjo tendencë kundër qytetit shfaqet si llavë që manifeston frikë e fobi kundër qytetit dhe qytetërimit dhe mbrojtje fanatike e fisit, tribusë; që ngujohet brenda gardhit, në mbrojtje të klithmave, miteve, frikërave parake dhe primitive në thelbin e tyre.

“Zanati” i denigrimit dhe fyerjës së vlerave shtetmbajtëse është ves i shoqërive të izoluara, është ai incesti metaforik në rrafshin epistemologjik, për të cilin shkruan Driton Dragusha.

Kjo mendësi është kundër emancipimit, thërret për t’i ngreh armët kundër dijes dhe vetëdijes.

Kjo “armatë idiotësh” të internetit është armiku i modernitetit, globalizimit, së këndejmi mbetje në baltën mentale të fshatit, “në tonën”, “në pleme”, brenda vëllazërisë, brenda sektit, fesë, ideologjisë ose thjesht në suaza të fiksimeve të kalbëzuara të paraardhësve ksenofobë.