MENU
klinika

Flet Hahn

KE: Në maj rekomandojmë hapjen e negociatave për Shqipërinë

02.04.2019 - 15:11

Komisioni Europian do të rekomadojë hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë në maj.

Këtë e bëri të ditur, Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn i cili u shpreh se pret rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë:

“Bashkimi Europian duhet të fokusohet në perspektivën afatgjatë të vendeve kandidate. Në Komision, në fund të majit do të prezantojmë progresraportet për vendet e rajonit (Ballkani Perëndimor), plus Turqinë. Pres, që mbi bazat e asaj që kemi parë, të bëjmë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë”.

Pavarësisht situatës politike, Komisioneri  vlerëson se progresi i realizuar në Shqipëri është i qëndrueshëm.

“Në Ballkanin Perëndimor është bërë një progres shumë i rëndësishëm. Në afatgjatë, kur shohim arritjet, është e vërtetë që ka edhe hapa pas, por në afatgjatë vërejmë progres shumë të rëndësishëm në ekonomi, në sundimin e ligjit apo në procesin e ripajtimit. Në Ballkan, eksportojmë apo importojmë destabilitet. Arsyeja përse kjo ndodh është sepse niveli ekonomik i rajonit është ndjeshëm më i ulët se ai i Bashkimit Europian.

Rritja e nivelit ekonomik, për të reduktuar këto disbalanca, është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Unionit. Shembujt pozitiv në fushën e ligjzbatimit duhet të na inkurajojnë, që të nxisim sa më shumë biznesmenë që të investojnë në këto vende, të kemi më shumë tregëti me ta, më shumë kompani apo filiale në Ballkan”.

Hahn foli edhe mbi dialogun Prishtinë-Beograd, ku theksoi se pavarësisht ngërçeve të krijuara, është krijuar një kulturë për zgjidhjen e problemeve përmes dialogut.