MENU
klinika

Nënshkruhet amendamenti

Konventa e Stambollit/ Kosova nis procedurat e ratifikimit

10.04.2019 - 17:06

Institucionet e Kosovës kanë iniciuar procedurat ligjore të cilat mundësojnë më pas ratifikimin e Konventës së Stambollit, e njohur në botë si instrumenti më i mirë ligjor, për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje.

Komisioni për legjislacion në Kuvendin e Kosovës bën të ditur se ka pasur në trajtim amendamentin me qëllim të përfshirjes së Konventës në Kushtetutën e Kosovës dhe e ka aprovuar si të tillë.
Janë 82 deputetë që e kanë nënshkruar këtë amendament.

Ditë më parë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett, u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të ratifikojnë Konventën e Stambollit, pasi sipas tij “nëse Kosova e merr këtë hap, udhëheqësit dërgojnë mesazh të fuqishëm se Kosova po përgatitet për integrimin euroatlantik”.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se ne seancën e radhës, në rend ditë është votimit i amendamentit me qëllim të përfshirjes së Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas saj, nuk mjafton vetëm ratifikimi dhe miratimi, përderisa institucionet kanë probleme me zbatueshmërinë e ligjeve.

“Në këtë kuptim, kemi shumë probleme me sistemin e drejtësisë, ku ende nuk e marrin seriozisht dhunën në familje. Kemi pasur raste të shumta ku ndonëse është raportuar për dhunë në familje, institucionet e sigurisë nuk kanë vepruar apo kemi raste të tjera kur nuk janë lëshuar urdhrat e mbrojtjes nga gjyqtarët dhe kështu si pasojë e kësaj janë vrarë vajzat dhe gratë.

Sa më shumë mekanizma që e parandalojnë dhunën ndaj grave dhe dënojnë kriminelët janë të duhur, por pastaj mbetet të bëhet presion për zbatimin e tyre. Kosova ka konventa të tjera të përfshira edhe në Kushtetutë që janë mbi legjislacionin në fuqi, por që nuk ka vullnet për t’i adresuara ato, prandaj edhe Kosova është në gjendje të rëndë”, tha Haxhiu.

Parandalimi i dhunës, mbrojtja e viktimave të saj dhe ndjekja penale e dhunuesve janë bazamenti i Konventës së Stambollit. Kjo Konventë e njeh dhunën ndaj grave si shkelje të të drejtave të njeriut dhe si formë diskriminimi, kjo do të thotë që shtetet kanë përgjegjësi nëse nuk i përgjigjen në mënyrën e duhur kësaj dhune.

Lirije Kajtazi, deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se duke pasur parasysh rritjen e rasteve të dhunës ndaj grave dhe vajzave, është e domosdoshme që Kosovë të jetë pjesë e Konventës së Stambollit.

“Konventa e Stambollit ofron standarde se si duhet të mbrohet familja dhe viktima nga dhuna dhe njëkohësisht tregon se si duhet të trajtohen edhe kryesit e dhunës, gjë të cilën Kosova po dështon ta bëjë edhe pse e ka Ligjin për mbrojtje nga dhuna në familje.

Duke e pasur këtë Konventë pjesë të Kushtetutës, ne konsiderojmë se institucionet obligohen më tepër edhe në ndarjen e financiare që shpesh është një nga problemet për moszbatim, por edhe kujdesin institucional dhe përgjegjësinë institucionale në përgjithësi”, thotë Kajtazi.

Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje u hap për nënshkrim në vitin 2011, në Stamboll të Turqisë.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk është nënshkruese e kësaj Konvente dhe e vetmja që nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, një prej organizatave më të rëndësishme në Evropë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zgjedhjet e jashtëzakonshme

Pas Thaçit, Vuçiç bën hapin e radhës

"Shqiptarët terroristë"

Haradinaj shkarkon ministrin