MENU

Vendimi

KPK konfirmon në detyrë kryeprokuroren e Korçës

19.04.2019 - 14:21

Kryeprokurorja e Korçës, Dhorina Theodhori është konfirmuar në detyrë sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Vlerësimi për Theodhorin u bë në bazë të tre kritereve, pasurisë, integritetit dhe profesionalizmit.

Treshja gjykuese e KPK-së përbëhej nga Pamela Qirko kryesuese, Genta Tafa Bungo relatore dhe Etleda Çiftja anëtare.

Për kryeprokuroren nuk u konstatuan probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës.

Debati për të u fokusuar te një nga gjashtë denoncimet nga publiku.

Denoncuesi pretendon se nuk është tërhequr një dosje nga gjykata civile, para vendosjes së mosfillimit të hetimit nga prokurorja Theodhori.

Sipas relatores, duket sikur subjekti nuk ka kryer procedurat e duhura dhe pse ka interpretuar lidhur me këtë pretendim në vendimin e mosfillimit.

Drejtuesja e Prokurorisë së Korçës deklaroi në fjalën e saj se vendimi për mosfillimin e hetimeve për çështjen e denoncuar ishte konfirmuar nga eprori i saj dhe se denoncuesi nuk kishte ankimuar.