MENU
klinika

Akuzat ndaj qeverisë

Kryemadhi në protestë me një propozim për çdo kryeministër të së ardhmes

13.04.2019 - 19:11

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi thotë se protestuesit në shesh shtohen pas çdo proteste, ndërsa akuzoi qeverinë se po përdor gjoba të majme kundër autobusëve dhe furgonëve që sjellin protesutesit.

“Orari nuk ka të bëjë fare. Ka të bëjë me pjesëmarrjen e njerëzve në çdo moment. Të gjitha ditët janë ditët e Zotit dhe të gjitha orët e ditës janë orët e Zotit. As nuk na kushtëzon njeri dhe as nuk na detyron njeri.

E rëndësishme nuk është ora. E rëndësishme është përmbajtja e asaj që ndodh. E rëndësishme është pjesëmarrja e njerëzve. E rëndësishme është që çdo protestë, çdo ditë shtohet pjesëmarrja e qytetarëve.

Nëse 16 shkurti quhej protesta më e madhe e bërë nga opozita ndonjëherë, 16 marsi dyfishimi i saj. Sot mjafton të shikosh se si rrugët e Tiranës janë të mbushura dhe buçasin nga njerëzit, nga qytetarët. Mjafton të shikosh se si rrugët hyrëse të Tiranës kanë pjesëmarrje të jashtëzakonshme dhe mjafton të dëgjosh se si taksidarët apo kamzhikët e Edi Ramës gjobisin autobuzat, furgonët me gjoba marramendëse, kur sot shqiptarët nuk kanë bukë të hanë. Pra edhe ajo që ia kërkon të bëjë. Tregon frikën, tregon fundin. Çdo dhunë, çdo kërcënim, çdo shantazh, çdo mjet që përdor sot qeveria në ikje, e një Kryeministri në ikje tashmë dhe të mbaruar, nuk tregon gjë tjetër veçse rënie, tregon fundin dhe sa më shumë e zgjat, ai zgjat vuajtjen e qytetarëve të vendit të tij. Kjo tregon se ndjesia e tij për njerëzit ka marrë fund.

Duhet ta vendosim në Kushtetutë që çdo njeri që bëhet kryeministër duhet të bëjë vizitën psiko-analize dhe mjekësorë për shumë arsye sepse vendi nuk mund të ngelet në dorën e njerëzve që janë peng e substancave sintentike. Nuk ka rrugë tjetër, nuk ka më shpëtim, ka vetëm një drejtim që Shqipërisë t’i rikthehet legjitimiteti i Parlamentit. Djegia e mandateve nuk ishte për të shpëtuar opozitën, ishte për interes publik.

Unë e kam thënë që çdo kryeministër, çdo person që merr përgjegjësi duhet të bëjë vizitën psikologjike dhe mjekësore, për shumë arsye, sepse vendi nuk mund të ngelet në dorë të njerëzve që janë peng i substancave sintetike, të personave që janë peng të sëmundjeve të tyre dhe nuk mund të ngelet peng i atyre njerëzve që janë peng të maktheve të tyre psikologjike. Z. Rama do të ndryshojë herë pas here, por nuk ka më rrugë tjetër, nuk ka më shpëtim, por ka vetëm një drejtim dhe i vetmi drejtim është që Shqipërisë do t’i kthehet legjitimiteti i Parlamentit, do t’i kthehet legjitimiteti i politikës.

Të pastrojmë njëherë e mirë politikën nga krimi i organizuar dhe njerëzit që e kanë kapur, ta pastrojmë njëherë e përgjithmonë atë mentalitet të këtij tranzicioni që politikanët punojnë vetëm për veten e tyre. Ne duhet t’i sjellim shqiptarëve ata politikanë që mendojnë për qytetarët. Djegia e mandateve të opozitës nuk ishte për të shpëtuar opozitën, as për të bërë politike, por ishte interes publik, për t’u kthyer shqiptarëve edhe njëherë vëmendjen që do të jenë ata që sot do të marrin vendimet dhe fatet e tyre në dorë.”