MENU

Kufiri me Kosovën

Bërnabiq e prerë: Kjo është vija e kuqe e Serbisë!

24.04.2019 - 09:01

“Ai propozim nuk ka qenë asnjëherë në tryezë. A pres që të arrihet marrëveshje deri në tetor? Nuk e pres këtë. Nuk ka arsye të besoj sepse jemi shumë larg dialogut dhe një zgjidhjeje të mundshme”, kështu u shpreh kryeministrja Bërnabiq gjatë fjalës së saj në kuadër të një forumi ekonomik që po mbahet në Serbi.

Bërnabiq theksoi se përcaktimi i kufirit me Kosovën nuk ka qenë asnjëherë në axhendë.

Kjo çështje është përmendur disa herë nga presidenti i Kosovës dhe Serbisë si një mundësi të cilët palët do ta përfshinin në marrëveshjen përfundimtare.

Kryeministrja serbe “sulmoi” Prishtinën duke thënë se kjo e fundit ka gjashtë vite që nuk respekton marrëveshjet e Brukselit dhe nuk e ka formuar Asosacionin e Komunave Serbe.

Kryeministrja Bërnabiq tha se vija e kuqe për Beogradin është pikërisht tarifa 100%, tarifë kjo e cila ka ndërprerë dialogun mes dy vendeve.

“Unë e kam thënë dhe sa i përket kësaj edhe presidenti Vuçiq ka qenë i qartë, vija jonë e kuqe është tarifa e Prishtinës e cila duhet të hiqet. Nuk i durojmë presionet. Të gjithë partnerët tanë e kuptojnë se ndaj Serbisë nuk mundet më të bëhet presion”, ka thënë Bërnabiq.