MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Kur shqiptarët besojnë 80 vjet më pas, Enver Hoxhën për rezistencën ndaj italianëve

07.04.2019 - 20:43

80 vjet pas pushtimit italian të vendit në 7 prill 1939, shqiptarët ende nuk kanë një version unik të leximit të asaj ngjarjeje që peshoi shumë në jetën e Shqipërisë moderne.

Njerëzit,  janë të helmuar nga versioni propagandistik  i komunizmit, ndërtuar pikërisht nga Enver Hoxha. Që të pikturonte me të zi, paraardhësin e vet, Mbretin Zog, ai mohoi një kontribut të mbretërisë që nëse do pohohej, nëse do ishte në bazë të qëndrimit tonë shtetëror në arenën ndërkombëtare, për pasojë dhe në edukimin e brezave,  marrëdhëniet tona me fqinjët do të ishin mbase më ndryshe.

Nxitja për të lexuar versionin e vërtetë më erdhi sot kur pashë një qëndrim të zëvendëskryeministrit Braçe, i cili nën ndikimin e një pasionanti me sqimë të historisë si Artan Lame, ripohonte plot solemnitet qëndrimin komunist, kundër Zogut : fotoja që kërkuesi Lame servir- Mbreti Zog, me Mbretin e Italisë Viktor Emanueli në një tavolinë me Mbretin Faruk të Egjiptit në ekzil, flet sa një mijë fjalë  sipas tij. Këta sovranë ishin bashkë para, gjatë dhe pas pushtimit, kur historia i nxori në margjina.

Në fakt, në histori si kudo, ngatërrohet pjesa me të tërën shumë kollaj. Propaganda e gënjeshtërt ndërtohet sipas parimit të Mark Tuenit- edhe në një mal të madh rrene, qëndron një fije e së vërtetës.

Leximi i mëposhtëm nuk sjell fakte të reja. Ai rifuqizon faktet e vjetra, që janë heshtur, apo që nuk janë ndërlidhur me njeri tjetrin, në mënyrë që të ofrohet historia e vërtetë e kësaj ngjarjeje.

Po vijojmë me parashtrimin e fakteve.

Faktet me peshë

Pushtimi italian që u përpoq të ngjante si veprim legal, u parapri nga kërkesa ndaj Mbretit, që në zbatim të Traktatit të bashkëpunimit ushtarak të 1926-ës, (që parashihte angazhim të njerës palë në favor të tjetrës, kur kishte kërcënim nga palë të treta) në territorin tonë të vendoseshin trupat e Duçes. Zogu e refuzoi ultimatumin dhe vendosi rezistencën.  Po ashtu, u vendos që institucionet mbretërore të zhvendoseshin diku në thellësi, dhe të ishin gati për skenarin e ekzilit : për afro 1000 vetë, plus Familjen Mbretërore për disa vite të mbuloheshin shpenzimet e qëndrimit jashtë vendit.  Kjo anipse nëse Mbreti do të pranonte ultimatumin italian, ai do të qëndronte në detyrën e vet.

Italianët hasën në rezistencë të fortë si tregohet qoftë nga burimet diplomatike, qoftë nga shtypi ndërkombëtar i kohës. Këtu fillon falsifikimi vetëdëmtues i historisë nga pasardhësi i Zogut, Enver Hoxha: kjo rezistencë ishte shtetërore- e ushtrisë, policisë. Enver Hoxha flet për 15 mijë vullnetarë në Konferencën e Paqes në Paris në 1946, mirëpo ky mashtrim (për të mos vlerësuar Zogun) që i shkonte mbroth grekëve, është absurd: një popullsi prej 800 mijë vetësh nuk mund të nxirrte 15 mijë vullnetarë. Për më shumë, Abaz Kupi, hero i rezistencës për të cilin populli ngriti këngë, u bë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të Luftës, bashkë me Enver Hoxhën. Mujo Ulqinaku, hero i rezistencës ishte gjithashtu ushtarak. Hug Grant, ambasadori amerikan i kohës tregon për rezistencën e një ushtaraku shqiptar i fesë ortodokse: rezistoi në pozicion, u tërhoq në shtëpi,dhe kur trupat italiane pushtuan qytetin, i vuri flakën vetes dhe shtëpisë së tij !! Mbreti dhe grupi që e shoqëronte qendroi në Pogradec, afër Bilishtit, koordinoi aq sa mundi rezistencën dhe ka dalë nga territori i vendit në 9 prill si pohohet nga Agjencia e lajmeve britanike Reuters.

Mohimi i rezistencës mbretërore ishte shërbimi më i madh që iu bë grekëve që dhe sot mbajnë gjendjen e luftës pse konsiderojnë që pushtimi italian ishte konsensual: mbretëria ja dhuroi vetë qeverisjen italianëve në mënyrë legale !!!! U përdor si argument fakti se një pjesë e deputetëve dhe ministrave që dhuroi Kurorën Viktor Emanuelit, quheshin përfaqësues shtetërorë, ndërsa Mbreti që i shpalli Luftë Italisë, nuk u konsiderua i tillë !

Propaganda komuniste mohoi dhe faktet e tjera, ndonëse sipas rekomandimit të Kominternit, në krijimin e Frontit Antifashist duhej të bashkëpunonte dhe me nacionalistët, gjë që e bëri pikërisht me zogistët.  Krejt ndryshe nga Enver Hoxha ka vepruar Fan Noli i cili bashkëpunoi me pasardhësin armik të tij, Mbretin Zog, në krijimin e rezistencës jashtë vendit.

Propaganda komuniste i manipuloi faktet për ta nxjerrë akoma dhe më keq Mbretin- si vjedhës i floririt. Ka procesverbale të mbajtura sipas ligjit të kohës për venien në dispozicion të një sasie floriri për administratën, qeverinë dhe Familjen Mbretërore që paguhej shumë. Gjermanët sekuestruan floririn shtetëror që pastaj e morën anglezët në Procesin për incidentin e Korfuzit.

Lufta për pushtet e shtyu Enverin të bënte propagandën që i interesonte grekëve dhe anglezëve, që ishin protektorët kryesorë të grekëve- ata nuk donin ta konsideronin Mbretin si mbret në ekzil, ndonëse statusi që i dhanë në Londër ishte i tillë- si tregon njëlloj akreditimi pranë tij, i ministrit britanik në Durrës, Ryan.

Mbrojtësit e tezës komuniste, sot gjejnë elementë të pjessshëm, për t’i dhënë asaj besueshmëri dhe në ditët tona. Përshembull, njeri prej tyre hedh poshtë përfundimin e historianit britanik Bernd Fisher, që nuk është miqësor me Mbretin, i cili thotë se gjatë rezistencës u vranë 400 italianë. 400 vetë nuk vriten në një rezistencë spontane.  Sipas arkivave italiane- qenkëshin vrarë vetëm 9 vetë, diçka e çuditshme. Edhe nëse kjo do të ishte e vërtetë, ne nuk mund të tregohemi kaq vetëmohues duke i rënë pishman për një rezistencë të publikuar në gazetat më të mëdha botërore !! Rezistencë që na shërben si kartë dhe sot në negociatat me grekët: abrogoni ligjin e luftës dhe na ktheni pronat që kanë vlerë miliardëshe !

Me video: