Prej disa ditësh po marr pjesë në një trajnim të BE-së me përfaqësues nga gjithë Ballkani Perëndimor.
Asgjë e veçantë deri këtu, pasi bëhen dhjetëra aktivitete të tilla çdo vit, por ‘shock’-u më ndodhi më tej. Tanimë mes nesh ballkanasve ‘ngelës në klasë’ skepticizmi dhe ‘hatërmbetja’ me Europën ‘tekanjoze’ që na ‘thyen’ zemrat kohë pas kohe kishte arritur në suaza të paimagjinueshme. Nuk ka më gjysmë zëra sporadik që llomotisnin nëpër dhëmbë tek-tuk ndonjë qejfmbetje të vogël, por qëndrime deklarative, shpesh edhe ‘on block’ me kontekst të theksuar Euroskeptik dhe Europragmatist.
Për një kohë të gjatë Bashkimi Europian ishte i rezervuar për përfshirjen e mundshme të Ballkanit Perëndimor (Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Maqedoninë e Veriut) në BE. Struktura demokratike të papërfunduara, sundimi i ligjit i ‘çalët’, nacionalizëm sociopatik i tepruar, korrupsion dhe nepotism që kapin nivelet e ekzosferës (as stratosferik jo më), këto ishin vetëm disa nga arsyet për qëndrimin kategorikisht refuzues. Por, pas proceseve reflektuese BE-ja arriti në përfundimin se vazhdimi i kësaj politike do të rrezikonte shumë stabilitetin e Rajonit dhe sigurinë gjeopolitike.
Kjo hapje e vogël dere, u presupozua prej nesh si “BE, han pa portë” e filluam të mendonim se do të futeshim në ‘familjen’ europiane ashtu siç ishimː ‘me kuç e me maç’. Përkundrazi, me shumë politesë na ‘ngjeshën’ të gjithëve në ‘paradhomën’ e “Sallës së 28-çes”. E imagjinoni vetë situatën në atë paradhomëː 6 fqinjë rajonalë të vendosur në rradhë; secili më ‘gjaknxehtë’ dhe padurues se tjetri, që mendja u punon vetëm për alibira dhe pretekste për tu konfliktuar dhe krekosur. E teksa, në këtë rradhë pafundësisht të gjatë pritje, deri dje dëgjoheshin ‘turfullima’ të mjegullta ankuese nga disa prej këtyre ‘djemve’ plangprishës, sot artikulohen sharje dhe ‘kërcënime’, të frymëzuar edhe nga zhurmat dhe kërcitjet e ‘dhëmbëve’ që vijnë nga brenda Sallës.
Ekspansion i Euroskepticizmit është duke u rritur në mënyrë konstante (mos të themi eksponenciale) në Europë. Kjo ‘fantazëm’ që vërtitej kryq e tërthor ‘Oksidentit’ qysh prej se britanikët të vendosin nëse do të mbeteshin ose jo në Bashkimin Evropian, po shfaqet edhe në Rajonin tonë. Sipas hulumtuesve të Pew Resarch Center,fenomeni ka arritur shifra rekord – vetëm 51% prej të intervistuarve në 10 vende të BE-së kanë favorizuar BE-në. Kurse 42% tjetër dëshirojnë që pushteti të rikthehet prapë në kryeqytetet e tyre respektive.
Fenomeni i ‘erozionit’ të besimit në Union, që mbiu pas krizës ekonomike të 2008-ës u shoqërua me ‘simptoma’ Populizmi dhe Eurofobizmi. Kujtojmë ngjarjet e ndodhura rrishtazi së fundmi, ku populistët siː Maria le Pen, Salvini, Cruz etj ‘mbinë si kërpudhat pas shiut’.
Por, përpos çdo diskordance diskursi i të gjithë kolegëve të mi këtu bashkohet në idenë se aktualisht në Ballkan po konsumohet akti i fundit i dilemës së madhe Shekspiriane, në udhetimin e tij historik mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes lindjes dhe perëndimit, mes paqes dhe luftës, mes autokracisë dhe demokracisë, mes nacionalizimit dhe integrimit, mes orientimit euro-atlantik dhe atij pro rus.
Shpresa se vendet e Ballkanit si: Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Kosova, sakaq edhe Turqia do të integrohen në Bashkimin Europian, fatkeqësisht është zbehur shumë. Episodi i tej zgjatur i reformave, është dëshmia sesi elitat politike nuk janë të afta, apo nuk dëshirojnë të zgjidhin mospajtimet brenda tyre në mënyrë demokratike dhe të sigurojnë progresin dhe qetësinë e rajonit. Ndërsa kohët e fundit janë shtuar zërat kritikë sa i përket rolit të diplomatëve kryesisht atyre amerikanë dhe atyre evropianë, të cilët nuk reagojnë fuqishëm ndaj korrupsionit, që ka pllakosur qeveritë e këtyre vendeve, teksa gjithashtu e kanë nënvlerësuar ose injoruar ngritjen kacavjerrëse të udhëheqësve autokratë.
Prania e intolerancës, nacionalizmit patologjik dhe ksenofobisë, kultura e pazhvilluar demokratike-politike, mungesa e kompromiseve, janë disa nga problemet serioze politike nën ‘lustrën’ e qetësisë. Qasja e demokratizimit institucional ka rezultuar e vështirë dhe në një masë të madhe e pa përmbushur pikërisht, si pasojë e mungesës së vullnetit politik që është bërë faktor frenues, për realizimin e reformave dhe të proceseve demokratike aq të domosdoshme, që e shndërrojnë Ballkanin Perëndimor në një hapësirë demokratike me ekonomi e kulturë dinamike dhe në një vend të sigurtë dhe me prosperitet.
Mekanizmi me i kontestuar dhe më i përfolur i demokracisë institucionale siç janë zgjedhjet, e zhysin periodikisht rajonin në kriza, edhe pse liderët e rajonit paralajmërohen nga ndërkombëtarët rreth kërcënimeve të ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit, kriminalitetit dhe autokratëve të rëndomtë dhe oligarkëve, të cilët vijnë në pushtet duke promovuar interesat e tyre. Zgjedhjet e lira janë një nga atributet kryesore të një regjimi demokratik, dhe shprehja e vullnetit të lirë dhe e votës së lirë të popullit përbën një nga themelet e demokracisë.
Jeta politike në Ballkan rrotullohet rreth liderëve dhe partive politike. Jashtë këtij binomi zor se merr pushtet apo dëgjohet nga pushtetarët ndonjë individ, grup interesi apo shoqëri civile, aq më tepër kur iteresat e këtyre të fundit nuk përputhen me interesat e klasës politike. Ky realitet dukshëm ka ndikuar që, qytetarët t’i humbin shpresat, ndërkohë që liderët politik u janë kthyer shablloneve dhe modeleve të vjetra të sjelljs në politikë. Dhe nëse deri para disa vitesh në Ballkan kishte institucione demokratike por jo edhe demokraci, sot nuk i kemi më as njërën e as tjetrën.
E ajo që i indinjon të gjithë këto djem e vajza të shkëlqyer prej cepave të ndryshëm të Ballkanit është se Përfaqësuesit e BE-së në Tiranë, Shkup, Beograd etj flasin në terma të asaj që duhet të jetë, por shpërfillin çfarë po ndodh në terren dhe se si situata politike në rajon tashmë ka ndryshuar. Po kjo sjellje manifestohet edhe nga drejtuesit e lartë të BE-së që në një fare mënyre duket se e legjitimojnë regresin në demokraci dhe në shtetin e së drejtës. Të ndodhur në këtë udhëkryq mendojnëː ” Ç’na duhet anëtarësimi në BE, ku atje s’do të kemi ndonjë përfitim, veç sa do të na shtohen edhe disa burokratë dhe teknokratë, përpos këtyre autokratëve vendas që kemi?”
E sot që pyetje të tilla ngrihen në mendjet e shumicës së banorëve të këtij rajoni, duhet të bëjmë kujdes, pasi kjo gjë ‘çon ujë në ullinë’ e liderve lokalë, që duan mos të ndajnë pushtetin e ‘Principatës’ së tyre me BE-në. Ndaj ‘këmbanat’ po bien…