Dërgesa e parë e ndihmës humanitare nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar po shpërndahet në Venezuelë pasi mbërriti të martën.
Dërgesa vjen disa javë pasi Presidenti Nicolás Maduro arriti një marrëveshje me grupin për të ofruar ndihmë. Presidenti socialist kishte mohuar në mënyrë të përsëritur ekzistencën e një krize humanitare në Venezuelë.
Ai gjithashtu kishte bllokuar dhënien e ndihmës nga SHBA dhe vende të tjera, duke thënë se ajo ishte pjesë e “një komploti imperialist”.
Pas marrëveshjes së arritur me Presidentin Maduro, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) njoftoi se do të trefishojë buxhetin e tij për operacione në Venezuelë, nga rreth 9 milion dollarë në rreth 24.6 milion dollarë.
Në një njoftim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në fillim të këtij muaji, shefi humanitar i OKB Mark Lowcock paralajmëroi se “rreth shtatë milionë njerëz kanë nevojë të madhe për ndihmë humanitare”, rreth 25% e popullsisë në Venezuelë.
Presidenti i Kryqit të Kuq në Venezuelë, Mario Villarroel, tha se dërgesa përmbante furnizime mjekësore, gjeneratorë të energjisë elektrike dhe ilaçe.
Villarroel tha se ndihma do të shpërndahej sipas parimeve themelore të KNKK-së: neutraliteti, paanshmëria dhe pavarësia.
Dërgesa vjen dy muaj pasi kreu i opozitës, Juan Guaido, koordinoi një dërgesë ndihme nga SHBA, Kolumbia dhe vende të tjera që e kanë njohur Guaidon si udhëheqës të përkohshëm..
Presidenti Maduro akuzon Guaidon për komplotimin e një grushti kundër tij dhe për përpjekjen për të përdorur ndihmën për një pushtim të SHBA.
Ai bllokoi kamionët dhe anijet që përpiqeshin të jepnin ndihma për të hyrë në vend, duke argumentuar se nuk i kishin ndjekur protokollet ndërkombëtare.
Por me përkeqësimin e krizës humanitare, Presidenti Maduro tha se “çdo ndihmë humanitare që ishte e ligjshme ishte shumë e mirëpritur”.
Guaido ka bërë thirrje që venezuelasit të dalin në rrugë në protesta të mëtejshme anti-qeveritare të premten për të shtuar presionin ndaj qeverisë së Maduros.