MENU
klinika

Sri Lanka

“Martirizimi i të krishterëve nuk ka mbaruar”

25.04.2019 - 08:10

Nga Andrea Riccardi

Në shumë vende të botës vritesh duke shkuar në kishë. Në Sri Lanka vriten edhe në ditën e Pashkëve, festa më e rëndësishme. Atentate të ndryshme kanë goditur tri kisha të ishullit e tri hotele luksi, ku vizitohen nga turistët e huaj. Kuptimi politik i atentateve është ende për t’u zbërthyer. Mund të mendohet se është një shenjë për të huajt dhe për fenë e krishterë e sjellë nga ata, ose një veprim i thjeshtë për të prishur baraspeshat e vendit.

Është goditur vendi i bashkëjetesës shumëbesimëshe

Kisha e Shën Andoit në Kolombo nuk është vetëm një faltore shumë e dashur për katolikët e mbarë ishullit, mjafton të shkohet çdo të martë për ta parë plot e përplot. Ka besim në shtatoren e Shenjtit edhe nga ana e myslimanëve, hinduistëve dhe budistëve, në një vend që ruan kujtesën e një ngjarjeje mrekulluese. Kisha është një faltore kombëtare, por edhe një vend i bashkëjetesës shumëbesimëshme, tepër e vizituar në Kolombo. Historia e vonë e Sri Lankës është tepër e nderë. Në vitin 2009, qeveria fitoi betejën me “tigrat tamil”, veçanërisht të vendosur në veriun e ishullit. Por problemet nuk mbaruan, që nga viti 2018 është në fuqi gjendja e shtetrrethimit, edhe në sajë të atentateve të skajorëve budistë kundër myslimanëve.

Budistët janë shumica

Budistët përfaqësojnë shumicën e banorëve të ishullit, rreth 70%, ndërsa hinduistët janë 12% dhe myslimanët 9,7%. Të krishterët, në pakicë, janë 1 500 000 besimtarë, në pjesën më të madhe katolikë. Përfaqësojnë një bashkësi të vlerësuar e të respektuar, edhe për veprat e saj edukative dhe shoqërore. Mbas atentateve, kardinali Ranjit, personaliteti katolik më i njohur në vend, u shpreh se “bëhet fjalë për një çast tepër të trishtuar për të gjithë ne”. Jo vetëm katolikët janë viktima të atentateve, por e gjithë bashkëjetesa ndërmjet besimeve fetare të vendit.

Kishat e krishtera janë kthyer në një shënjestër

Është një fakt që kishat e krishtera, në vitet e fundit, janë kthyer në një objektiv për atë që synon, nëpërmjet terrorizmit, të mbjellë përçarjen e të tërheqë vëmendjen publike. Për të krishterët lutja në këto vende kulti nuk është më një rit, por një veprim guximi, si në Egjipt, Pakistan, Nigeri e gjetiu. Martirizimi nuk është më një fakt i shekujve të parë të krishterimit, por e vërteta e së tashmes të shumë të krishterëve./liberale.al