Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, ka pritur sot Ambasadorin italian në Shqipëri Alberto Cutillo. Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin midis të dy vendeve, arritjet në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, si edhe intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në përpjekje për çeljen e negociatave.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, falënderoi Ambasadorin Cutillo, mbi kontributin e Italisë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe shprehu besimin se ky kontribut do të vazhdojë edhe gjatë procesit të vendim-marrjes së Komisionit Europian e Këshillit Europian.
“Italia ka qenë dhe do të mbetet avokatja më e mirë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe për këtë populli shqiptar, Kuvendi, Qeveria dhe institucionet shqiptare i jemi të gjithë mirënjohës.Kjo mbështetje u konstatua edhe gjatë Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve Anëtare të BE-së, e cila u zhvillua në Vjenë në datat 8 dhe 9 prill, në të cilën triumfoi fryma e zgjerimit të BE-së drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në të cilën Italia pati një zë të fuqishëm ”, nënvizoi Ruçi.
Ambasadori Cutillo theksoi se ndihma dhe kontributi i Italisë për rrugëtimin europian të Shqipërisë do të vazhdojë dhe do të intensifikohet.
Kryetari i Kuvendit Ruçi dhe Ambasadori Cutillo diskutuan edhe mbi vizitën e ardhshme zyrtare të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë në Itali, me ftesë të Presidentes së Senatit Casellati dhe Presidentit të Dhomës së Deputetëve Fico, në datat 14-16 prill, e cila ka në fokus koordinimin e përpjekjeve për marrjen e një vendimi pozitiv, për çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë, në qershor 2019.