MENU
klinika

"Paris-midi" viti 1938

Mbretëresha Geraldinë: Dua lumturinë e popullit tim

15.04.2019 - 13:31

“Paris-Midi” ka botuar, të martën e 26 prillit 1938, në ballinë, intervistën ekskluzive të korrespondentit të saj me mbretëreshën e ardhshme të Shqipërisë. Gazetari flet për takimin e veçantë që ka zhvilluar me Mbretëreshën dhe personat që e kanë pritur. Gjithashtu, ai përshkruan atmosferën që gjen në vendin tonë.

 

 

Për më tepër, lexoni artikullin e përkthyer:

(Nga korrespondenti ynë i veçantë)

Tiranë, 26 Prill

 

 

Në shoqërinë e gazetarëve hungarezë, të vetmit që ishin lejuar ta vizitonin atë, unë u prita nga kontesha Apponyi, e cila, nesër, do të jetë mbretëresha e shqiptarëve.

Z. Libohova, Ministër i Punëve të Jashtme, mori pjesë në këtë takim. Jashtë, para një turme fëmijësh piktoreskë, qindra ushtarë po bënin ushtrime, duke përgatitur kështu paradën e madhe ushtarake që do t’i paraprijë ceremonisë së martesës.

 

 

Përpara vilës simpatike ku banon kontesha, ushtarë të tjerë qëndronin roje. Mbretëresha e ardhshme na priti në një sallon të ndriçuar nga rrezet e diellit, me muret ngjyrë bezhë, ku kolltuqet e mbuluara nga një pëlhurë e errët blu, ishin të stilit puro anglez.

Me një qasje të lehtë, flokët platin, e qeshur dhe e freskët, pavarësisht lodhjes dhe tensionit të ditëve të fundit – përgatitjet për ceremoninë e dasmës, provat, vizitat, leximi i një sasie të madhe korrieri – kontesha shfaqet:

 

 

Unë jam e lumtur për simpatinë që më kanë manifestuar; populli shqiptar, me të vërtetë, më bën të ndihem mirë; por ajo që më pëlqen më së shumti është të shoh se sa i ngjan popullit hungarez. E njoh historinë e tij shumë mirë…

Puna ime e re, si mbretëreshë ? Nuk më frikëson aspak, madje as të gjitha detyrimet që ajo përfshin dhe për të cilat, tani jam e përgatitur mirë: dua të punoj për lumturinë e popullit që më mirëpriti me kaq dashuri. Por veprimtaria e një mbretëreshë duhet të jetë veçanërisht femërore: më së shumti, dua të kujdesem për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri; Me pak fjalë, dua të jem për popullin shqiptar, ashtu siç ishte mbretëresha Elizabetë për popullin hungarez.” — Aigner

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN