MENU
klinika

Maqedonia e Veriut

Mbyllet fushata, të dielën raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale

19.04.2019 - 19:22

Në Maqedoni, mbyllet sot fushata për zgjedhjet presidenciale.

Kandidati i përkrahur nga Aleanca e Shqiptarëve dhe “Besa”, Blerim Reka e përfundoi fushatën e tij me tubimin e një ditë më parë në Tetovë, ndërsa ai in LSDM-së dhe koalicionit qeverisës, Stevo Pendarovski e mbyll sot me mitingje në Strugë e Ohër.

Të shtunën, një ditë përpara zgjedhjeve të drejtën e tyre të votës mund ta realizojnë 1.640 persona në burgjet e vendit dhe persona që janë në arrest, shtatë të shpërngulur brenda vendit, si dhe gati 3600 të sëmurë e të moshuar të cilët këtë e kanë kërkuar nga komisionet komunale zgjedhore.

Marrëveshja e Prespës, emri i ri i shtetit, anëtarësimi në NATO dhe në BE, zhvillimi ekonomik, raportet ndër-etnike dhe politikat për rininë ishin temat kyç të fushatës presidenciale në Maqedoninë e Veriut.

Në paraqitjet para qytetarëve, Pendarovski e vuri theksin në mënyrë të veçantë tek marrëdhëniet ndëretnike. Por mbështetje nga etnitë e tjera kërkoi edhe Gordana Davkova, kandidatja e e përkrahur nga opozita. Për Blerim Rekën, në Maqedoninë e Veriut duhet të ketë koncept për shtet e jo vetëm për shoqëri për të gjithë.

Në 21 prill qytetarët maqedonas do të votojnë për njërin nga tre kandidatët për president, ndërsa në 5 maj është raundi i dytë i votimit kur edhe zgjidhet presidenti i ri i vendit.