MENU
klinika

Me standarte europiane

Merr udhë projekti 10.5 milionë Euro për rrjetin hidrik

30.04.2019 - 18:32

Qytetarët e Bashkisë së Tiranës do të kenë një furnizim më të mirë me ujë të pijshëm në sajë të punës që ka nisur për rehabilitimin e rrjetit hidrik të kryeqytetit.

Ndërtimi i linjës së transmetimit, me të njëjtin standard të vendeve të Bashkimit Europian do të përmirësojë kapacitetin e furnizimit me ujë për qytetin e Tiranës dhe zonave përreth, njëkohësisht do të shmangë abuzimet nga ndërhyrjet, si dhe do të eliminojë humbjet e volumit të ujit në linjën e transmetimit.

Realizmi i këtij investimi, me vlerë 10.5 milionë euro, bëhet me financimin e Qeverisë Italiane, përmes Kooperacionit Italian në Tiranë dhe pritet të jetë gati në gusht të vitit të ardhshëm.

Në ceremoninë e përurimit të nisjes së punimeve për rehabilitimin e rrjetit hidrik të Tiranës, ishte e pranishme ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, si dhe kreu i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Alqi Bllako.

Në fjalën e saj, ministrja Balluku ka vlerësuar angazhimin maksimal të Bashkisë së Tiranës në 4 vitet e fundit për të menaxhuar në mënyrën më të mirë sistemin hidrik të qytetit dhe për të garantuar furnizimin me ujë të qytetarëve, çka ka dhënë edhe rezultate të prekshme. Por, kjo sfidë nuk mund të përballohet vetëm nga pushteti vendor.

“Furnizimi me ujë të pijshëm i kryeqytetit është një nga ato sfida, ku rritja dhe zhvillimi i shpejtë i gërshetuar me një trashëgimi shumë të keqe të situatës së investimeve në këtë sektor në të shkuarën, e bëjnë nevojën për ndërhyrje edhe më emergjente. Ndaj dhe sot jemi këtu bashkë me drejtuesit e bashkisë së Tiranës dhe me partnerët e miqtë tanë italianë, për t’i dhënë udhë një projekti shumë të rëndësishëm, që synon të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët e Tiranës”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, shprehu falënderimet e saj për mbështetjen e Qeverisë Italiane për këtë projekt të rëndësishëm teksa garantoi se “ky investim do të mundësojë ndërtimin e një linje transmetimi me standardet që operojnë vendet anëtare të BE, do të përmirësojë kapacitetin e furnizimit me ujë për qytetin e Tiranës dhe zonave përreth tij dhe do të shmangë abuzimet nga ndërhyrjet në rrjet”.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se falë këtij investimi afatgjatë Tirana do të përjetojë një revolucion hidrik që do të plotësojë nevojat e banorëve.

“Ju e dini fare mirë që uji në Tiranë ka këto tre stacione: stacioni i parë, ku mblidhen ujërat, është ky i Bovillës; stacioni i dytë është impianti ku filtrohet, dhe stacioni i tretë është rrjeti dhe çezma e secilit prej përdoruesve të shërbimeve të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës. Ky investim lidh dy stacionet e para. Sot realisht po nis një revolucion hidrik për Tiranën”, tha Veliaj.

Këto investime do të zgjidhin edhe problemin 25-vjeçar për zona si Kashari apo Laknasi, të cilat kanë njohur një rritje të numrit të popullsisë, por jo urbanizim.

“Jam i lumtur që falë kësaj ndarje të punës, teksa qeveria dhe ambasada fokusohen nga Bovilla në impiant, ne fokusohemi nga impianti në zonat tona problematike, kryesisht zona e Astirit, e Kasharit, zona ku ish-komuna kishte dhënë leje për pallate pa fund me puse uji; një pus uji një carac janë mijëra për një shtëpi, por pallate mbi puset e ujit të Laknasit qartazi e kanë tejkaluar misionin e tyre”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh se si pasojë e mirëmenaxhimit, ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime të Tiranës i ka çuar arkëtimet në nivelin 97-98%, ç’ka i lejon asaj të investojë në infrastrukturë. Veliaj nënvizoi se si pasojë e amortizimit, por edhe e mungesës së vëmendjes, rrjeti i tubacioneve është amortizuar duke shkaktuar humbje në rrjet.

Ai siguroi se investimet e reja do të sigurojnë jo vetëm përmirësim të rrjetit të transmetimit, por edhe ndalimin e abuzimeve me të.

“Një pjesë e madhe e tubacioneve janë çarë si kulluese makaronash. Pjesa e madhe e problemit ka të bëjë me faktin a e çojmë dot 100% të ujit të pacenuar në çezmat e qytetarëve. Një mënyrë se si e shmangim këtë është duke vënë tuba të padepërtueshëm; duke qenë se tubacionet dalin nga Tirana para se të rifuten në Tiranë, duke kaluar në një nga bashkitë kufitare me ne, nuk kemi pasur një trajtim të kujdesshëm të këtij mallit kaq të shenjtë, edhe kaq të shtrenjtë, që quhet ujë”, deklaroi ai.