MENU
klinika

Urimi

Meta uron Pashkët: Përpara padrejtësive, shpresa dhe e mira nuk vdesin kurrë!

27.04.2019 - 17:09

Presidenti Ilir Meta uron sot besimtarët ortodoksë në vigjilje të festës së Pashkëve.

Përmes një postimi në “Facebook”, Meta shkruan se kjo festë na rikthen në kujtesë faktin se përpara të keqes, padrejtësive, veseve, frikës dhe zhgënjimit, shpresa dhe e mira nuk vdesin kurrë.

Meta, ndër të tjera shprehet se kjo festë kujton nevojën për të forcuar jo vetëm harmoninë tonë të shkëlqyer ndërfetare, por edhe solidaritetin me njerëzit në nevojë, të sëmurët, të pamundurit, fëmijët e të moshuarit, që kanë aq shumë nevojë për përkujdesje e dashuri të përhershme.

“Në vigjilje të kremtimit të Ditës së Ringjalljes së Krishtit, u uroj nga zemra besimtarëve ortodoksë dhe mbarë popullit shqiptar: Nga mot gëzuar Pashkët! Mbarësi, shëndet, paqe e begati në familjet tuaja!
Festa e Pashkëve dhe e dritës që nuk perëndon kurrë, na kujton sot se para malit të së keqes, padrejtësive, veseve, frikës e zhgënjimit, mosbesimit e arrogancës, korrupsionit, dhunës dhe çdo fenomeni negativ që vret paqen, drejtësinë e barazinë sociale dhe helmon rëndë shoqërinë, shpresa dhe e mira nuk vdesin kurrë.

Me besimin në Zot dhe duke përqafuar gjithmonë vlerat më të mira hyjnore, morale e sociale, por edhe kombëtare, me dashuri, harmoni të plotë, dialog, mirëkuptim, bashkëpunim e vëllazërim, secili prej nesh dhe shoqëria jonë në tërësi, mund të tejkalojë çdo sfidë, pavarësisht sakrificave, për të ecur e sigurt drejt së ardhmes më të mirë, në familjen europiane.

Të dashur miq,
Dita e Ringjalljes së Krishtit gjithashtu na kujton nevojën për të forcuar jo vetëm harmoninë tonë të shkëlqyer ndërfetare, por edhe solidaritetin me njerëzit në nevojë, të sëmurët, të pamundurit, fëmijët e të moshuarit, që kanë aq shumë nevojë për përkujdesje e dashuri të përhershme.

Duke u përcjellë të gjithëve urimet e mia më të mira në prag të kësaj Dite të Shenjtë, jam i bindur se shpresat te jeta më e mirë do të ringjallen për mbarë shqiptarët!
GËZUAR PASHKËT!”-shkruan Meta.