MENU
klinika

Minutë pas minute

Përfundon protesta/ Basha: Nuk ka zgjedhje!

25.04.2019 - 17:43

Ora 19:17/ 5 akset kryesore të bllokuara për 60 min, Basha mbyll protestën e sotme

Ka zgjatur vetëm 60 minuta protesta e opozitës, e cila ndryshe nga protestat e kaluara, këtë të enjte nuk u zhvillua përpara Parlamentit apo kryeministrisë.

Tubimi i kësaj radhe u shtri në pesë qarqet kryesore të vendit, në Tiranë tek Shqiponja, në Durrës tek Plepat, në Fier-Sheq dhe në Bradashesh-Elbasan.

Situata ishte e qetë, ndërsa u shënuan vetëm dy incidente të vogla në Elbasan, ku protestuesit dogjën disa goma dhe në Durrës ku u hodhën flankadanë.

Kreu i demokratëve Basha ishte i pranishëm në Milot, nga ku udhëhoqi në marshim protestuesit, ndërsa kryetarja e LSI-së, Kryemadhi ishte e pranishme në qytetin e Durrësit.

Në fjalimin e tij përpara protestuesve, Basha theksoi edhe njëherë se nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor, ndërsa shtoi se e sotmja ishte vetëm sinjal paralajmërimi për kryeministrin Rama.

Ora 19:09/ Nuk tërhiqet Basha: S’ka zgjedhje!

Kryedemokrati Lulzim Basha tha nga Miloti se opozita shqiptare nuk do të lejojë që me 30 qershor të zhvillohen zgjedhje, pasi sipas tij, me Edi Ramën kryeministër nuk mund të ketë garë të ndershme.

Ai theksoi se në vend nuk ka opozitë tjetër, por opozita e vërtetë është PD-ja me aleatët e tjerë.

“Së pari të shpreh mirënjohjen time të thellë për pjesëmarrjen masive dhe monumentale këtë të enjte këtu në Milot dhe të falënderoj në emrin tuaj dhe shqiptarëve të ndershëm të gjithë protestuesit e tjerë në Elbasan, Tiranë, Durrës, që nisin sot aktin e mosbindjen civile si shembulli i pathyeshmërisë së popullit shqiptar për ta çuar deri në fund betejën që kemi nisur dhe për ta kurorëzuar atë me fitore.

Edhe vendi ynë është në udhëkryq, i cili e ka sjellë njeriu me i paaftë, më i dështuar dhe më i kriminalizuar që njeh pluralizmi. Brenda 6 vitesh shkatërroi ekonominë, solli krimin në sofër dhe vuri oligarkët në krye të pasurisë së shqiptarëve dhe vrau shpresën dhe 500 mijë shqiptarët e braktisin vendin.

Pa zgjedhje të lira nuk mund të këtë dalje nga varfëria. Vendimet e padrejta, vendimet kriminale si ai i taksës Rama që ka bëre karburantin e shqiptarëve më të shtrenjtin në Europë, ndërkohë sot shqiptarët janë populli më i varfër në Europë.

Themeli i kësaj të keqe është rënia e demokracisë, është rënia e votës. Pa vota të lira nuk iu jep qeveria llogari popullit, por krimit. Pa zgjedhje të lira nuk hapen dyert e Europës. PD dhe opozita e bashkuar është sot koalicioni më i madh numerik, moral. Edi Rama e lidhi fatin me hajdutët. Edi Rama është shërbëtor i ortakëve të tij në krim. Këtë betejë do ta fitojmë për demokracinë. Në 30 qershor nuk ka për të patur zgjedhje në Shqipëri. Dhe këtë e di Bufi dhe vëllai i Bufit Edi Ranma. Nuk ka zgjedhje. Opozita nuk klonohet dhe as nuk krijohet nga mercenarët që i shërbejnë pushtetit. Ka vetëm një opozitë, ajo jemi ne. Nuk ka zgjedhje me 30 qershor, sepse ne jemi të vendosur të mos lejojmë krimin elektoral.

Ndaj jemi sot këtu për të dëshmuar se do ti shkojmë betejës deri në fund. Do të këtë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhje farse nuk do të ketë më. Në burg do të shkojë Dako, Gjiknuri dhe të gjithë bashkëpunëtorët politikë të Edi Ramës, të cilët janë kapur duke trafikuar zgjedhjet e shqiptarëve. Mos të lejojmë më krimin elektoral, por të luftojmë sy për sy dhe dhëmbë për dhëmbë për liri dhe demokraci. Vetëm kështu mund të kthejmë stabilitetin.

Zgjedhjet e lira të ndershme janë të mundur kur kujdestari nuk do të jetë më kryeministri. Zgjedhjet me Edi Ramën nuk janë zgjedhje nuk janë zgjedhje, por krim. Largimi i tij është kusht i panegociueshëm i PD, opozitës dhe i të gjithë popullit të bashkuar për demokraci. le ta dinë shumë mirë, sepse kjo e sotmja është fillimi i mosbindjes civile”-tha Basha.

Ora 19:03/ “Jo zgjedhje”/ Paloka: Jemi në luftë për mbijetesë!

Nënkryetari i PD, Edi Paloka nga rrethrrotullimi “Shqiponja” deklaroi se opozita nuk do të lejojë që në Shqipëri të ketë sërish zgjedhje, apo krim tjetër elektoral, siç i quajti ai.

Duke e cilësuar protestën simbolike, Paloka tha se, bllokimi i rrugëve për 1 orë është vetëm një sinjal që ne japim për të shpresuar që do të ketë reagim.

“Në rast se do vijohet me cinizëm në afrimin e zgjedhjeve, jo vetëm ai që nuk e ndal dot situatën por sikur të mbledhë gjithë socialistët e Europës nuk na ndal dot. Ne jemi në luftë për mbijetesë, shqiptarët janë në pikën për mbijetesë”,- tha demokrati.

Ora 18:51/ Bllokohet autostrada Tiranë – Durrës, Kryemadhi: Nuk do ndalemi

Opozita e bashkuar ka bllokuar sot për 1 orë akset kryesore në vend, mes tyre edhe autostradën Tiranë – Durrës. Asnjë makinë nuk po lëviz në autostradën kryesore në Shqipëri.

Ndërsa, raportohet se protestuesit kanë djegur goma dhe kanë ndezur flakadanë nëpër rrugë. Nën thirrjet “Rama ik”, protestuesit kanë bllokuar tashmë trafikun tek rreth rrotullimi i Plepave.

Si rrjedhojë e protestës së opozitës në Durrës, është bllokuar autostrada Tiranë – Durrës, asnjë makinë nuk lëviz nga Tirana në Durrës dhe anasjelltas.

Në protestë ndodhet kryetarja e LSI Monika Kryemadhi dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi. Kryemadhi tha se zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë dhe se do të përshkallëzohet aksioni qytetar.

“Ka një pjesëmarrje të madhe, kanë ardhur kaq shumë njerëz dhe duke menduar që kjo është një nga rrugët kryesore. Sot Shqipëria merr mesazh dhe shpërndan atë ndjenjë proteste që bëjnë qytetarët në protestat e Tiranës, tashmë shpërndahen në të gjithë Shqipërinë, për të gjithë ata që nuk e kanë mundësinë financiare për të ardhur në protestat që organizohen në Tiranë, sepse pjesa më e madhe ka qenë me qytetarët e kryeqytetit.

Por, ne tashmë do të shpërndahemi në të gjithë Shqipërinë. Nuk do të ndalemi. Befasia ndaj strategjisë që Edi Rama ka ndërtuar me krimin e organizuar për të uzurpuar shqiptarët do të jetë elementi kryesor i protestës së shqiptarëve. Këto nuk janë më protestat e opozitës, këto janë protestat e shqiptarëve. Sot nuk ka rrugë tjetër, o do të jesh me qytetarët, o do të jesh me krimin e organizuar. Zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë. Rama do shohë revoltën e shqiptarëve”, tha Kryemadhi.

protesta e opozites
protesta e opozites

Ashtu siç po mblidhen simpatizantë te opozitës së bashkuar në qarqe të tjera edhe në Milot është e njëjta panoramë. Në këtë arterie do të jetë edhe kreu i partisë Demokratike, Luzim Basha.

Nga informacionet paraprake pritet që protesta të zhvillohet në mënyrë paqësore, ndërsa aktualisht nuk ka detaje  se sa do të jetë afati i saj.

Mosbindja civile e opozitës ka nisur me bllokimin e rreth-rrotullimit të Sheqit, në Fier.

Në rreth-rotullimin e Sheqit, në aksin kryesor Fier-Lushnje do të bashkohen dhe demokratët e Beratit.

Rreth orës 17:15 anëtarë, simpatizantë të PD-së Berat janë mbledhur përpara selisë së PD-së dhe ku më pas janë nisur drejt protestës.

Ka qenë një organizim me mjete të vogla, i cili ka bashkuar dhe demokratë nga Kuçova dhe Ura-Vajgurore.

Në total kanë qenë rreth 30 mjete të vogla të cilat janë nisur nga Berati.

Ora 08:15 – Opozita bllokon sot 5 akse kombëtare

Opozita nuk do të jetë sot para kuvendit, por e shpërndarë në 5 akse rrugore kryesore për të bllokuar lëvizjen e automjeteve për rreth 60 minuta në shenje proteste.

Protesta e opozitës do të  mbahet pasditen e sotme në orën 18:00, ndërsa qytetarët do të vendosen për të bllokuar lëvizjen përkatësisht në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan,  autostradën Plepa-Kavajë në Durrës,  kryqëzimin e Milotit në Lezhë,  rrethrrotullimin e Sheqit në  Fier, dhe rrethrrotullimin e Shqiponjës në Tiranë.

Vëtë kryetari i PD Lulzim Basha, do të jetë në Milot.

Ky skenarë është i përsëritur pasi më shumë se një vit më parë partia demokratike,  paralizoi qarkullimin pothuajse në gjithë vendin duke mbajtur të bllokuar akset rrugore kombëtare.

Për organizmin e protestës dhe monitorimin e saj, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, krahas strukturave  qendrore ka urdhëruar ish deputetët dhe kryetarët e degëve, të cilëve ju ka kërkuar edhe pjesëmarrje të lartë.

1- Elbasan (Rreth rrotullimit Bradashesh)

2- Durrës (Autostrada Plepa – Kavajë, përballë Shtëpisë së Pushimit të Ushtrisë)

3- Milot (Karburanti në Autostradë)

4- Fier (Rreth rrotullimi i Sheqit)

5- Tiranë (Rreth rrotullimi Shqiponjës)