MENU
klinika

Kleopatra magjepsëse

Natën i dashuronte ndërsa ditën i vriste mizorisht

17.04.2019 - 12:54

Antikiteti dhe kohët moderne, largohen në kohë duke u bashkuar në modele. Ata që ne i njohim vetëm nga historia apo letërsia, janë prijësit që drejtuan botën në kohët që për ne quhen të lashta. Ndërsa mendësia, aftësia, dijet, kultura dhe sjellja e tyre mbetet pikë referimi që koha, nuk e zbeh as zhvlerëson.

Mes burrave të fuqishëm, nuk kanë munguar as gratë me pushtet absolut mbi popullin e tyre, mbi historinë dhe mbi vetë ata: Kleopatra është mbretëresha që frymëzon dhe habit ende…

 

 

Poeti i mirënjohur Ali Asllani në një nga librat e tij të botuar shpejt, në hyrje të njërës prej vjershave erotike, tregon shkurt historinë e Kleopatrës që i mbante burrat vetëm një natë në shtrat dhe pastaj i vriste, një luks i madh për një femër, sikur edhe perëndeshë të ishte, por nga ana tjetër, poeti ynë i njohur e justifikon Kleopatrën dhe bëhet me të, kur shkruan:

 

Ashtu si unë dhe ti

unë poet, ti poezi,

Atë sy e atë vetull,

dhe m’u bëftë kurban një shekull…

 

Historitë e femrës së famshme, dashnores së perandorit romak Antoni, janë të shumta, ashtu siç janë të shumta edhe historitë e fundit tragjik, të zgjedhur nga vetë Kleopatra, me helmin nga gjarpri; por ai që hedh dritë mbi jetën dhe aventurat dashurore të Kleopatrës, është shkrimtari dhe historiani bashkëkohës, që i ka parë gjërat me sy, Plutarku, i cili thotë se ajo bashkëpunoi edhe me Çezarin, por nuk tregohet asnjë histori apo aventurë me të.

 

Historia klasike e mbretëreshës famëmadhe

Kleopatra u lind në fund të vitit 69 p.e.s. dhe ka vdekur më 12 gusht 30 p.e.s. në Aleksandria të Egjiptit, duke u vetëvrarë. Ishte mbretëresha e fundit e Egjiptit të lashtë. Ishte vajza e tretë e Tolomeut XII. Kishte origjinë greke dhe duke parë praktikën e hapur midis ushtareve tolemaike për t’u martuar midis vëllezërish, ka mundësi që të kishte shumë pak gjak egjiptian në vena. Në vitin 51 p.K. bëhet mbretëreshë e Egjiptit, së bashku me të vëllanë, Tolomeo XIII. Të dy duan pushtetin dhe Kleopatra lidh aleancë me Çezarin, për të rrëzuar nga froni të vëllanë. Çezari kthehet në Romë në 46 p.K. Historia me Çezarin, që bëri aq shumë bujë, në të vërtetë zgjati vetëm një dimër. Kleopatra kaloi edhe një vit në Romë në vizitë zyrtare, por s’ka asnjë provë që të dy ishin ende të dashur. Pas vrasjes së Çezarit, Kleopatra kthehet në Aleksandri. Në vitin 42 p.K. Antonio ndan perandorinë me Oktavianin, duke marrë Lindjen. Ishte 40 vjeç dhe ishte martuar me Fulvian.

 

 

Kleopatra dhe Antonio, takohen në Tasko, në 42 p.K. Udhëheqësi romak dhe mbretëresha e Egjiptit bëhen aleatë dhe dashnorë, por Fulvia sëmuret dhe Antonio duhet të kthehet në Romë. Fulvia vdes, por Antonio është i detyruar të martohet me Oktvian, motrën e Oktavianit, për të ruajtur pozicionin e tij. Braktis Kleopatrën shtatzënë me dy binjakë, të cilën do ta shohë vetëm pas tri vjetësh. Në vitin 37 p.K., Antonio niset në fushatë kundër Partëve dhe i kërkon Kleopatrës ta shoqërojë në Siri. Trupat e Antonios thyhen dhe ai kthehet në Aleksandri.

 

Plutarku, dëshmitar i historisë

Ja ç’thotë ndër të tjera, ai: “Historia e dashurisë mes Anonit dhe Kleopatrës, mund të kish ndryshuar botën. Nëse Antoni do të kish pasur sukses në fitimin e fronit të Romës, me Kleopatrën si mbretëreshë, ai mund të kish ndryshuar kursin e perandorisë romake, duke e bërë botën ku jetojmë sot, një tjetër vend.

 

Marramendëse

Ajo kish besim në aftësitë e saj joshëse, të cilat, pasi kishin bërë të tyren më parë me Çezarin dhe Pompein e ri, nuk kish asnjë dyshim se do të ishin edhe më të suksesshme me Antonin. Ata e kishin njohur kur ishte në vajzë e re, injorante për botën, por tani ajo do të takohej me Antonin, në një kohë të jetës kur bukuria e gruas është më e mrekullueshme dhe intelekti i saj është në pjekuri të plotë. Ajo bëri përgatitje të mëdha për udhëtimin, me para, dhurata, si dhe ornamente të vyera, nga ato që mund të përballojë një mbretëri e pasur, por mori me vete edhe sigurinë e plotë, për artin dhe magjinë e sharmit të saj…  Kleopatra erdhi duke lundruar në lumin Cidni në një lundër me vela ngjyrë vjollcë, ndërsa rremat e argjendta shoqëronin me ritëm muzikën e flauteve, fyejve dhe harpës. Ajo vetë qëndronte në këmbë, nën një tendë me copë të artë, e veshur si Afërdita në një pikturë dhe djem të rinj shumë të bukur, si perëndi të dashurisë, qëndronin përreth saj.

 

 

 

E parezistueshme

Bukuria e saj, thuhet, nuk ishte në vetvete e tillë që askush nuk mund të krahasohej me të, apo që askush që e shihte nuk mund të shpëtonte pa u goditur prej saj, por kontakti i pranisë së saj, nëse jetoje me të, ishte i parezistueshëm; joshja personit të saj, bashkë me sharmin e bashkëbisedimit të saj, si dhe karakteri që shoqëronte gjithë sa ajo thoshte apo bënte, ishte magjepsës. Ishte kënaqësi thjeshtë të dëgjoje tingullin e zërit të saj, me të cilin, ashtu si një instrument me shumë tela, ajo mund të kalonte nga njëra gjuhë në një tjetër; kështu kishte shumë pak kombe barbarë, të cilëve, ajo u përgjigjej me anë të një përkthyesi.

 

 

 

Gra të pushtetshme deri në asgjësim

Ka pasur me mijëra histori për jetën seksuale dhe jashtëmartesore të Kleopatrës, madje ato kanë dalë që kur ajo ka qenë gjallë, sikur ajo i zgjidhte meshkujt, oborrtarë, oficerë, ushtarë dhe bënte orgji me ta. Tregojnë se ajo u jepte barëra stimulus për të bërë seks të fortë, se tregohej sadiste dhe i torturonte jashtë mase dashnorët; madje, ajo që është bërë edhe si legjendë, është se ajo i mbante vetëm një natë dashnorët, pastaj i vriste.

 

Të gjitha këto nuk janë të vërteta. Ato i nxori në fillim i vëllai, të cilin ajo e shkarkoi nga froni dhe më pas dolën në formën e thashethemeve, që u përfshinë edhe në historinë romake që tregohen dhe shkruhen edhe sot. Një grua që shihte te vetja të drejtën për të qenë mbretëreshë, ndryshe nga gratë romake që kishin influencë vetëm nëse ishin nënat apo gratë e burrave të fuqishëm. Por mbi të gjitha, ajo nuk ishte aq joshëse, ashtu siç e kishin treguar: “Në 18 vjet kishte pasur vetëm dy burra në jetën e saj”, “Ka shumë mundësi që të ketë qenë e virgjër kur takoi Çezarin”. Me prejardhje greke dhe vetëm një e katërta egjiptiane (një tjetër mit i rrëzuar), Kleopatra u bë mbretëreshë (bashkë me të vëllain, që doli në skenë pas një konflikti të ashpër), rreth viteve pesëdhjetë para Krishtit, një moment kur vetëm mbështetja e perandorisë romake mund t’i garantonte mbretërisë së saj, mbijetesën. E vërteta është se, ajo ka pasur vetëm dy burra.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fjalët e fundit të Aleksandrit të Madh

Çfarë tha komandanti më i madh i kohërave


"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe