MENU
klinika

Nga Niko Peleshi

Ne dhe Evropa përtej një rezolute

19.04.2019 - 21:19

Para disa ditësh, Parlamenti holandez votoi në shumicë një rezolutë ku i kërkohet BE-së të pezullojë regjimin e lëvizjes së lirë në BE të qytetarëve nga Shqipëria.

Më shumë se sa një lajm i keq për Shqipërinë, ky është një lajm i keq për vetë BE. Iniciativat radikale e nacionaliste, që i imponohen vendimmarrjes politike në vendet komunitare janë kërcënimi i vërtetë për projektin evropian. Ndaj ky ështe vërtet një lajm per tu trishtuar, por në rradhë të parë si evropianë e pastaj si shqiptarë.

Evropa dhe gjuha politike

Kohë më parë pata shkruar një opinion të titulluar “Të jesh politikisht korrekt”. Ishte një këndvështrim mbi rolin që po luan gjuha politike në ndryshimin e shpejtë të skenës politike botërore. Nuk bëhet fjalë thjesht për një betejë politike semantike. Bëhet fjalë për raportet e ndryshuara të politikës me shoqërinë. Ndonëse nuk ka kaluar shumë kohë nga ai shkrim, konfiguracioni i forcave politike në Europë e më gjerë ka ndryshuar ethshëm. Nga epoka e të qënit “politikisht korrekt” kaluam në epokën e retorikës radikale dhe të urrejtjes të ushqyer nga fryma e populizmit dhe nacionalizmit.

Në Hungari, Poloni, Çeki, Itali kjo frymë është në pushtet. Në Britani solli kaosin e Brexit, në Francë është forca e dytë më e madhe, në Gjermani është forca e tretë me rritje të shpejtë. Sot ndarja e madhe e politikës nuk është ndërmjet të majtës dhe të djathtës, por ndërmjet globalistëve dhe nacionalistëve. Globaliste janë edhe forcat e vjetra të majta edhe forcat e vjetra të djathta. Nacionaliste janë forcat e reja të ekstremit të majtë por edhe të ekstremit të majtë. Duket se bota po shkon drejt një rendi të ri. Globalizmi, të drejtat e njeriut, liria e levizjes se njerezve dhe mallrave duken si parime të botës se vjetër. Se si do të duket bota e re nëse do të vazhdoje ky trend politik askush nuk guxon ta vizatoje. Në cdo rast nuk duket se do të jetë demokratike liberale.

Ndërkohë forcat “e vjetra” politike, pra establishmenti politik, e rrumbullakosën gjuhën politike për ta përshtatur me kauzat e partive populiste. Mbase kjo është rrethana që i dha shumicen e votave të parlamentareve holandeze, rezolutës per Shqipërinë, shtuar edhe faktin që në kohe fushatash si kjo (në vendet e BE po zhvillohet fushata per zgjedhjet e Parlamentit Europian) partitë nuk duan të humbin asnjë votë. Megjithatë rrumbullakosja e gjuhës në vend që ti shpëtonte i ka çuar në një rënie të dukshme gjithandej partitë europianiste, sepse sjellja “politikisht jokorrekte” populiste duhet përballuar me gjuhën “politikisht jokorrekte” të së vertetës, jo me uljen e kokës para histerisë populsite. Rezultati i zgjedhjeve parlamentare evropiane pritet të rritë ndjeshem vendet e nacionalisteve në PE.

Përballja me të vërtetat

Ka ardhur pra koha e gjuhës së vërtetë, politikës që pranon dështimet dhe jep alternativat e korrigjimit pa u përpjekur ti fshehë ato. Duhet pranuar, për shembull që globalizmi ka sjellë përqëndrimin e pasurisë tek një numër gjithnjë e më i vogël individësh dhe vendesh më të pasura. Lipset pra një qasje e re e globalizimit të tregut që i jep mundësi më shumë kompanive të operojnë në tregun global. Jack Ma, themeluesi i Alibaba, portalit më të madh në botë të tregtisë online, ka ndërtuar një platformë elektronike që i krijon mundësinë prodhuesve të kafesë në Ruanda të shesin prodhimin e tyre drejpërsëdrejti tek tregtarët kineze. Në këtë mënyrë çmimi që perfitojnë prodhuesit ruandeze është rritur nga 8 në 12 dollare / kg. Kjo qasje po quhet globalizëm nga poshtë lart (bottom-up) dhe inspirohet nga nevoja për të rritur numrin e kompanive përfituese të globalizimit nga 60 mijë që llogariten aktualisht, në mundësisht 60 milion, sipas Jack Ma. Politika sot duhet të pranojë dhe korrektojë edhe dështimet politike të sistemit të demokracise liberale. Le të marrim risqet e avancimit teknologjik. Bota po kalon me shpejtësi nën pushtetin e algoritmave, thotë historiani izraelit, Youval Noah Harari. Bazuar në të dhënat personale, algoritmat arrijnë të zbërthejnë botën emocionale të njeriut dhe të orientojnë zgjedhjet. Pra demokracia shpejt do të jetë vullneti i një shumice të ndikuar nga teknologjia, jo i një shumice që zgjedh me vullnet të lirë. Është e nevojshme të bëhet një punë kolosale nga BE dhe SHBA kryesisht per të ndërtuar kuadrin rregullator dhe institucional të kësaj fushe ende të parregulluar. Këto sfida të vështira nuk mund të zbukurohen dhe as të pasohen tek qeveritë pasardhëse. Ndërkohë mandatet politike të kufizuara në kohë (përgjithësisht 4-vjecare) i bejnë te gjitha qeveritë të paguximshme për t’u përballur me këto çështje të sikletshme.

shqiperia drejt be-se-konica.al
shqiperia drejt be-se-konica.al

Shqipëria sot dhe nesër

Politika në Shqiperi duket e shkëputur nga ngjarjet globale, por është thjesht e sfazuar në kohë. Këtu era fryn me disa vite vonesë, por kjo periodë vonese sa vjen dhe zvogëlohet për shkak se Shqipëria është duke u bërë gjithnjë e më hapur. Teknologjitë e informacionit dhe media luajnë rolin e tyre në këtë përshpejtim. Edhe këtu tek ne doktrinat politike e ekonomike nuk janë më ato që ndajnë forcat politike. Me disa perjashtime këtu gjithë klasa politike ka të njëjtin qëndrim për çështjet kryesore të kohës. Të paktën në programet e tyre politike, të gjitha partitë janë pro integrimit europian, pro reformimit të sistemit të drejtësise, pro tregtisë së lirë, pro të drejtave të njeriut, pro të drejtave të minoriteteve, pro legalizimit të ndertimeve pa leje, pro kthimit e kompensimit të pronave, pro kompensimit të ish-të perndjekurve politike, pro investimeve të huaja. Do të krijohen me siguri, herët a vonë, forca të reja politike me platforma të ndryshme populiste, nacionaliste, radikale majtiste, antieuropiane apo fetare, që do të sjellin edhe ketu në Shqiperi ndarje të reja.

Ato do të peshkojnë padyshim tek problemet ekonomike e sociale, tek pafuqishmeria e bizneseve për të mbijetuar në një treg europian ku kërkohen standarte shumë më të larta prodhimi dhe sherbimi, tek dëshpërimi i të rinjve nga pamundësia për të konkuruar në tregun europian të punës me dijet e marra nga arsimi i lartë shqiptar. Ndaj sa më shumë të mbështeten bizneset e reja dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme sot, aq më pak i kërcenuar do të jetë realiteti politik nga sharlatanizmi nesër.

Nuk po shohim ende një Jack Ma shqiptar që ta projektojë suksesin e biznesit te vet në shtimin dhe fuqizimin e bizneseve te tjera shqiptare. Jemi larg kësaj filozofie biznesi. Përkundrazi ka një tendencë të vazhdueshmë për ta ngritur suksesin mbi dështimin e të tjerëve. Ndërkohë sa më e paprinciptë të jetë lufta politike ndërmjet dy forcave tona kryesore politike, sa me tepër t’u largohemi nevojave të vërteta të njerëzve të zakonshëm, sa më të pavërtetë të jemi në ato cka themi ndryshe nga ato çka bëjmë, aq më e madhe do të jetë hapësira për forcat e reja populiste që mund të lindin në skenën tonë politike. Rezoluta e Hollandës na jep rastin që qeveria dhe opozita politike e parlamentare, të bëjnë gjestin e parë të vendosjes së interesit kombëtar mbi atë politik. Të flasim me zë të lartë me gjuhën e vërtetë të shqiptareve që nuk meritojnë të portretizohen si rreziku i Evropës. Shifrat e azilkërkuesve dhe kriminalitetit në vendet e BE e vërtetojnë këtë pohim. Vendimmarrjet e sotme po bëhen gjithnjë e më iracionale dhe mbase ne nuk mund t’i influencojme dot ato, por një Shqipëri që nuk reagon, ose akoma me keq që më gjysmën e vet feston, është një Shqipëri që i thotë qartazi BE-se se nuk e meriton ende të merret në konsideratë si vend aspirant. Dhe së fundi edhe në Shqiperi ka ardhur koha të ndryshojme gjuhën politike. Tezat e vjetra njerëzit i kanë mesuar përmendësh dhe kanë filluar t’i neverisin. Rruga më e lehtë dhe më joshëse për politikën është kalimi nga gjuha politikisht korrekt në gjuhën populiste, por Shqipëria ka nevojë për zgjidhje e reforma dhe nuk i përballon dot më lojrat politike me pushtetin. Ndaj gjuha populiste e rrugës në Shqiperi është edhe më e rrezikshme se në vendet e tjera.

Kemi vetëm një rrugë: Të jemi njerëzore e të perulur para sfidave të mëdha.