MENU

Takimi

Negociatat tregtare SHBA-Kinë

24.04.2019 - 17:14

Shtëpia e Bardhë thotë se dy zyrtarë të lartë të ekonomisë do të shkojnë në Kinë javën e ardhshme për të vazhduar negociatat që synojnë zgjidhjen e luftës tregtare mes dy gjigantëve ekonomikë.

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin dhe Përfaqësuesi Tregtar amerikan Robert Lighthizer do të takohen në Pekin më 30 prill me Zëvendës Kryeministrin Liu He.

Dy palët do të diskutojnë për çështje të tilla si prona intelektuale, transferimi i teknologjisë, barrierat jo-tarifore dhe bujqësia.

Shtëpia e Bardhë tha se zëvendëskryeministri kinez do të kryesojë një delegacion kinez në Uashington për bisedime të tjera më 8 maj.

Uashingtoni dhe Pekini kanë zhvilluar disa raunde bisedimesh që nga fillimi i vitit për të zgjidhur luftën tregtare që filloi vitin e kaluar kur Presidenti Donald Trump imponoi tarifa ndëshkuese prej 250 miliardë dollarë ndaj importeve nga Kina për të detyruar Pekinin që të ndryshojë praktikat tregtare.

Administrata Trump po i bën trysni Kinës t’i japë fund praktikës së saj që detyron kompanitë amerikane të transferojnë teknologjinë e tyre tek firmat kineze.