MENU
klinika

Aleksandër Meksi

“Nga Mirdita fal me shnet”

02.04.2019 - 12:58

“Mirditorët janë spartanët e Shqipërisë” – Faik Konica

 

“Shqipen ia mësoi Apostol Meksi që kishte mbiemrin më të vonë Panajoti dhe që fisi i Meksajve mbiemrin e parë të fisit e kishte Doda. Shumë prej tyre transmetojnë përmes traditës gojore se janë të ardhur prej Mirdite, diku nga shekulli i 17-të dhe se kur në mesin e shekullit të 19-të mirditorët me në krye Lleshin e Zi zbriten poshtë për në Greqi thanë: Mos i prekni, se janë tanët!”.

Mirdita është një nga krahinat me histori për shqiptarizëm, që me të drejtë i bën banorët e saj të krenohen me të shkuarën e vendit të tyre. Për historinë e saj ka burime të shumta historike ashtu siç ka dhe periudha që mbeten për t’u ndriçuar. Ne do të flasim këtu për dy ngjarje me rëndësi nga historia e Mirditës dhe jo vetëm e saj. Për Peshkopatën e Arbërit dhe Kuvendin e Dukagjinit të vitit 1602.

Përmendjen e parë të një peshkopate të Arbërit “…Lazaro albanensi” dhe “Lazarus episcopus Arbanensis” e kemi në aktin e shugurimit të kishës së Shën Trifonit në Kotor në vitin 1166, ku krahas Lazarit, i cili shuguron altarin në të majtë të kryesorit, marrin pjesë dhe “Andreas prior Albanensis” e Georgio abbate sancti Salvatoris Arbanensis (i Rubikut). Kjo peshkopatë dhe Principata e Arbërit që lidhet me të, janë objekt kërkimesh të shumta shkencore që kanë synuar të ndriçojnë anë të ndryshme të historisë së tyre, shpeshherë dhe me rezultate të ndryshme.

 

Një vit më vonë (1167) Papa Aleksandri III, i drejtohet “Lazarum episcopum de Arbania” duke e lavdëruar që dëshiron të mohoj ritin grek (ortodoks): ke vullnet ti shmangesh në shume raste kur të paraqitet mundësia ritit grek. Në të njëjtën ditë, Papa në një letër tjetër, i konfirmon kryepeshkopatës së Raguzës shufraganët e saj ndër të cilët nuk ishte peshkopata e Arbërit, e cila nuk njihet si e tillë edhe në mjaft bula të tjera papnore të mëparshme që konfirmojnë shufraganët e Raguzës. Në të tilla rrethana menduam se kemi të bëjmë me një peshkopatë të krijuar jo prej shumë kohësh, në një territor të mitropolisë ortodokse të Durrësit, pra nën sundimin bizantin, që për të afirmuar qenien e vet apo dhe për bindjet fetare, lidhet me kryepeshkopatën e Raguzës (pak më vonë Antivarit), që deri në këtë kohë nuk përmendej në listat e shufraganëve.

Krijimi i një peshkopate të re në kushtet e Mesjetës, duke iu shkëputur strukturave të mëparshme kishtare me një traditë të gjatë nuk mund të kuptohet pa përkrahjen e një fuqie shtetërore ose të një feudali në zotërimet e të cilit ndodhej dhe i ndihmuar nga rrethana politike dhe fetare. Nga burimet dhe dokumentacioni historik nuk dëshmohet ndonjë pushtim i këtyre trevave nga sundimtarët e Zetës apo të Rashës, ashtu siç mendojmë që prapa këtij veprimi nuk mund të jetë pushteti bizantin me qendër në Durrës, megjithëqë në kohën kur zhvillohet ceremonia në fjalë në Kotor, nën pushtetin bizantin ishte dhe bregdeti Dalmatin çka kuptohet dhe nga akti i sipërpërmendur.

Kemi parasysh në këtë të fundit dëshirën e sunduesve dhe prelatëve të Arbërit (apo arbëror) që të lidhen me kishën latine, kryepeshkopatën e Tivarit. Duket se në këtë gjë veç të tjerave do të ketë luajtur një rol dhe abacia e Shën Aleksandrit në Mal të Shenjtë, dikur një manastir ortodoks nga vjen dhe emri i vendit Orosh (agjios oros = mali i shenjtit) , ndërkohë e lidhur me benediktinët ashtu dhe abaci të tjera katolike si ajo e Rubikut, kisha e së cilës dëshmon qartë për lidhje arkitekturore me botën katolike.

 

Çështja tjetër që duhet të përcaktojmë, për aq sa është e mundur, lidhet me kohën në të cilën është krijuar kjo peshkopatë.

Nga sa thamë më sipër kuptohet që kjo ka ndodhur në rrethana të veçanta politike, një periudhë dobësimi, qoftë dhe relativ, të pushtetit bizantin, ashtu dhe mundësinë për aleanca që mund të siguronin këtë akt “rebelimi” nga ana e një feudali vendas, arhondi apo zotit të një krahine, i cili arriti të siguroje nga kleri i vet zgjedhjen e një peshkopi në personin e Lazarit, pranimi i të cilit mund të bëhej vetëm nga kisha katolike, në këtë rast kryepeshkopata e Raguzës. Rrethanat e veçanta të viteve ’60 të këtij shekulli, kur kemi një afrim ndërmjet dy kishave dhe marrëdhënie të shumta deri në miqësore ndërmjet perandorit Manuel Komneni dhe papës Aleksandri i III, e mundësuan një gjë të tillë…

Duke studiuar ndodhitë historike shohim se koha nga fushatat ngadhënjimtare të vitit 1149 të perandorit Manuel Komneni në Korfuz prej nga nëpër Shqipëri kaloi në veri, e deri në vitet ’70, është një periudhë ku kemi si afirmimin e pushtetit bizantin. Në rrethana të tilla synimet e zotëve të kësaj krahine dhe të peshkopatës së krijuar prej tyre nuk duhet të kenë pasur mundësi të shumta afirmimi. Me vdekjen e perandorit në vitin 1180, kemi përpjekje të reja për pavarësi nga Stefan Nemanja edhe nga sundimtarë të tjerë në veri të Arbanonit, çka pruri për pasojë mundësi të reja për zotët e krahinës ku ishte Peshkopata e Arbanense.

Këtë e dëshmon një noticie e Kuries romane e vitit 1188 në të cilën ndër shufraganët e Raguzës për herë të parë përmendet Peshkopata e Arbërit, që tregon se ajo arrin të afirmohet plotësisht duke dëshmuar për një pozitë më të fortë të zotëve të kësaj krahine dhe të klerit të lidhur me Romën. Të njëjtën gjë tregon dhe pjesëmarrja e kryepriftit të Arbërit në vitin 1199, në një koncil të mbajtur në Tivar. Që nga kjo kohë nuk mungon, përgjatë gjithë mesjetës së mesme, përmendja e peshkopatës apo peshkopëve të dioqezës së Arbërisë në vartësi të kryepeshkopatës së Tivarit.

 

Në literaturën shkencore debatohet prej kohësh për dy probleme që janë të lidhur me njeri tjetrin: së pari cilët janë territori dhe selia e kësaj peshkopate, e së dyti a është peshkopata e Krujës e njëjtë me atë të Arbanense? Mendimin se peshkopata e Krujës është e njëjtë me atë të Arbërisë e pati shprehur fillimisht (viti 1894-5) M. S. Drinov. Me të janë bashkuar Shuflai, Salavije në studimin e tij për epitafin e Konstantin Meles, arqidiak i Arbanonit, të cilin e daton rreth kapërcyellit të shek. XIII, A. Dyselie, ndërsa K. Frashëri thotë se Kruja ishte qendra e Dioqezës së Arbanonit, dhe kur peshkopatat e Lisit dhe Stefaniakës kaluan në vartësi të Romës, ato u shkrinë në një të vetme, atë të Arbërisë. Në kundërshtim me ta Dh. Shuteriqi, në punimin e tij të parë, i veçon këto peshkopata deri në fund të shekullit të XIV.

Në mungesë të noticieve të patrikanës së Konstantinopojës për fundin e shek. të XII dhe gjysmën e parë të shek. XIII një tezë e tillë paraqitet me lehtësi por, prezenca e një peshkopate ortodokse në Krujë pas përfshirjes së këtyre territoreve nën sundimtarët e Epirit dëshmohet me saktësi në vitin 1216. Përsa i përket faktit që Kamona ju drejtua Ohrit dhe jo Durrësit shpjegimin duhet ta kërkojmë në autoritetin e Komatianoit dhe delikatesën e problemit, zgjidhja për të cilën mund të kontestohej nëse përgjigja vinte nga metropliti i kontestuar i Durrësit, Dokeianos, emërimi i të cilit për patrikanën e Nikes nuk ishte kanonik.

Duke filluar nga Roman Crohensi në vitin 1279) e deri në shekullin e XV kemi gjithnjë dy radhë paralele peshkopësh katolike në Arbëri e Krujë). Por, ndërsa e para si pamë më lart varej nga kryepeshkopata e Tivarit, peshkopata katolike e Krujës varet nga kryepeshkopata e Durrësit. Më shprehëse për mendimin që peshkopata e Krujës është e ndryshme nga ajo e Arbërisë, siç vëren dhe Shuteriqi, janë letrat e Papës Joani i XXII drejtuar Mihalit të Arbërit dhe Andreas së Krujës me 6 qershor 1318 dhe ajo e Papës Kalisti i III e vitit 1457, në të cilën dallohet kisha e Shën Mërisë së Trafandinës në dioqezë të Arbërit nga Shën Veneranda e Kurbinit në dioqezë të Krujës. Këtu duhet të vërejmë se kur kemi konvertimin në katolike të peshkopatave të Shqipërisë së Mesme, Kryepeshkopata e Durrësit kishte po ato që kishte pasur më parë mitropolia ortodokse e Durrësit, pra katër d.m.th. që Kruja nuk u zëvendësua asnjëherë nga Arbëria.

Duke përcaktuar që peshkopata e Arbërisë ishte e ndryshme nga ajo e Krujës, kemi veçuar dhe territoret e tyre. Për përcaktimin e territorit të peshkopatës së Arbërisë na ndihmon vendndodhja e tre kishave të cilat sipas dokumentacionit janë nën juridiksionin e kësaj peshkopate. Në vitin 1166 nën aktin e njohur të shugurimit të Shën Trifonit në Kotor përmendet abati i manastirit të Shelbuemit në Rubik (Sancti Salvatori Arbanensis). Manastiri i dytë është ai i Shën Llezhdrit në Orosh apo në Malin e Shenjtë, abacia që njihet ne dokumentacion me emrat e tjera. Ndërtimi i tretë është kisha e Gëziqit që me të drejtë është njësuar me.

Në punimin për mbishkrimin e Gëziqit krahas zbërthimit të tij, Zamputi trajton një sërë çështjesh historike që lidhen me të.).

Të tri këto ndërtime siç ka treguar Shuteriqi për rastin e Gëziqit, e përcaktojmë qartë shtrirjen e peshkopatës katolike të Arbërisë në krahinën e Mirditës, duke e kufizuar në perëndim me malësinë e Lezhës. d.m.th me Peshkopatën e Lezhës në veri me krahinën e Pultit dhe peshkopatën omonime, në jug e lindje me territoret e Peshkopatës së Stefaniakës dhe asaj të Krujës. Përsa i përket selisë peshkopale, duke u nisur nga rëndësia e abacisë së Oroshit në këtë trevë dhe nga fakti që ajo disa shekuj më vonë përmendet si abaci mitrale ne mendojmë se selia duhet kërkuar pikërisht në Shën Aleksandrin e Malit të Shenjtë.

Peshkopata e Arbërit duhet të jetë krijuar me territore e kisha të Peshkopatës së Lezhës dhe gjasisht dhe asaj të Stefaniakës. Në këtë fakt duhet kërkuar rrënjët e grindjes ndërmjet peshkopatës së Arbërisë dhe asaj të Lezhës për 16 kishat. Në historiografinë “zyrtare” vazhdon të mbetet ende mendimi se Kuvendi i Dukagjinit i viteve 1601-2 u mbajt në fshatin me të njëjtin emër të krahinës së Matit ku ndodhej dhe abacia e Shën Aleksandrit. Këtë tezë e ka shprehur së pari Injac Zamputi, duke hamendësuar se kemi një transferim të titullit të abacisë së Oroshit në Dukagjin të Matit, rrjedhojë e kushteve të krijuara me pushtimin e vendit. Edhe më vonë, ai e rimerr këtë tezë, duke u shprehur se“…kemi bindjen se Kuvendi u mbajt në fshatin Dukagjin të Matit…”

Në Kuvendin e Dukagjinit, u mblodhën 2565 delegatë (prijësa dhe përfaqësues) nga shumë vise të Shqipërisë (viset katolike) me synimin për të organizuar një kryengritje të përgjithshme. Në këtë Kuvend u vendos që t’i drejtohen Republikës së Venedikut, me shpresën që ajo e nxitur dhe nga interesat e veta, do t’i ndihmonte në luftën me turqit. Njoftimin për këtë mbledhje të rëndësishme e gjejmë në letrën e ruajtur që Kuvendi i dërgoi Venedikut). Në të Kuvendi i kërkon Sinjorisë ndihma për të fituar lirinë, “..siç e patën në kohën e Gjergj Skënderbeut…” , si dhe që të presë si ambasadorë të shqiptarëve ipeshkvin e Sapës dhe Sardanjës dhe Pal Dukagjinin, të cilët i ngarkojnë të negociojnë drejtpërsëdrejti duke ju blatuar dhe kështjellën e Krujës, duke u angazhuar t’i venë në dispozicion dhe dyzetmijë luftëtarë, ndër më trimat, me të cilët do të bashkohen dhe shqiptarët ortodoks, madje dhe sllavët dhe që së bashku mund të mblidhen njëqindmijë burra trima me armë për të luftuar barbarët. Letra qartësisht firmoset më 15 shkurt të vitit 1602, në Shën Aleksandrin e krahinës së Dukagjinit (Sant’ Alessandro della provintia di Ducagini).

Në letrën pasojnë firmëtarët sipas krahinave: të Dukagjinit, të Serbisë, të Dibrës, të Shkodrës, të Sapës (Zadrima me Lezhën), të Matit, të Kurbinit, të Krujës, të Petrelës, të Elbasanit, të Durrësit, të Myzeqesë, të Padenia-Spaderica(?).

 

 

Letra vazhdon më tej që Venediku do denjojë t’i pranojë e mbështesë si shërbëtorë besnikë dhe të vërtetë. Së pari kërkojnë të caktohet nga Senati një Kapiten i Përgjithshëm për t’i qeverisur, ashtu siç do ta mendojë Venediku. Gjithashtu i kërkojnë Republikës që Krerët kryesorë, ata që do zgjedh Serenissima, d.m.th Gjenerali i mësipërm, të bëhen Kolonel, Drejtues dhe Kapitenë të ushtrisë, me atë rrogë që ajo do ta shohë të arsyeshme, të gatshëm për të jetuar dhe vdekur nën flamurin e Shën Markut. Po kështu i kërkojnë që të çlirohen nga pagesa e disa taksave dhe pranojnë disa të tjera. Së fundi luten që Ajo ti mbrojë nga çdo armik e t’i konsiderojë për gjithçka si qytetarë të saj. Firmëtarët, që në fund të letrës vërtetojnë me vulën e tyre sa më sipër, janë ipeshkvi i Stefaniakës dhe vizitator Apostolik për gjithë Shqipërinë Nikollë Mekajshi dhe ipeshkvi i Sapës dhe i Sardës Nikollë Bardhi. Letra përmbyllet me firmën e abatit të Shën Aleksandrit fra Bernard Laçit i cili e shkroi letrën

Nga parashtrimi i letrës dhe renditjes sipas krahinave të firmëtarëve të saj, del qartë për ne se bëhet fjalë për Shën Aleksandrin në krahinën e Dukagjinit. Krahas Dukagjinit, por rreshtuar mbas Serbisë, Dibrës, Shkodrës dhe Lezhës me Sapën, vjen krahina e Matit dhe ajo me përfaqësuesit e saj. Pra Mati nuk bën pjesë në Dukagjin në atë njehsim, siç nuk ka qenë kur pjesë e Dukagjinit. Por çfarë kuptojmë në ato shekuj me emërtimin gjeografik Dukagjin?

Ndër dokumentet më me vlerë është relacioni i Mark Skurës prej Kruje, arqipeshkv i Durrësit, i cili në Relacionin që i dërgon Kongregacionit të Propagandës Fide në Selinë e Shenjtë në vitin 1641, shprehet qartë se Të dhëna të njëjta gjejmë dhe në Relacionin e ipeshkvit të Sapës dhe Sardës Pjetër Budi dërguar më 15 shtator 1621, kardinalit Gozzadino. Sipas tij në anën tjetër të Krujës janë dukagjinasit që kanë ngritë krye para 30 vitesh dhe që kanë 6000 luftëtarë. Ata banojnë, sipas Budit, në malësi mbi Lezhë ndërmjet Krujës dhe Shkodrës, ndërsa më tej është krahina e Matit. Në të njëjtin relacion kur flitet për popujt e krahinës së Dukagjinit dhe shtrirjen e tyre përfshihen ndër të tjera Iballa, Fandi i Vogël, Fandi i Madh e Mirdita.

Argumentet e mësipërme dhe te tjerë paraqitur në një studim tonin mendoj se janë të mjaftueshme dhe vërtetojnë se abacia e Shën Aleksandrit në Malin e Shenjtit është vendi ku u mbajt Kuvendi i Dukagjinit. Vetë shqyrtimi i renditjes së krahinave në letrën drejtuar Venedikut, duke përmendur të parë si krahinë Dukagjinin dhe vazhduar me ato rreth dhe pranë tij dhe si krahinë më vete Matin, tregon se abacia e jonë nuk është në Mat, edhe pse në fshatin Dukagjin të Matit, ku për koincidencë ka një abaci me të njëjtin pajtor. Historia e Mirditës ka nevojë për kërkime të gjithanshme e për këtë edhe studiuesit mirditorë mund të japin kontributin e tyre që në disa aspekte është i pazëvendësueshëm.