Vetëm një ditë para nisjes së Samitit në Berlin, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç foli rreth marrëveshjes përfundimtare me Kosovën dhe komentoi qëndrimin e kancelares Merkel për këtë çështje.
Teksa ka folur për mediat serbe, Vuçiç tha se në Berlin pala serbe do të jetë në vështirësi, pasi do të kërkohet njohja e Kosovës.
Vuçiç theksoi se pavarësisht kërkesës ai sërish do ta kundërshtojë njohjen e Kosovës.
Vuçiç akuzoi disa vende, pa i përmendur emrat e tyre, për përfshirje të disa shërbimeve sekrete për këtë çështje.
“Ajo që është e rëndësishme është se me presionin e madh që erdhi nga dy ose tre vende, me mbështetjen e shërbimeve të inteligjencës, ideja e një marrëveshjeje të mundshme me shqiptarët është shembur.
Ne shkojmë nesër në Berlin që të na thonë se Kosova është e pandashme dhe se Serbia duhet ta njohë atë. Do të jemi në një situatë të vështirë. Ne nuk do ta njohim Kosovën dhe ajo nuk do të ndahet.
U përpoqa të luftoj për popullin tonë në Kosovë. Unë do të luftoj për ta dhe nuk do t’i lë në baltë’, mësohet se ka thënë presidenti serb Vuçiç.
Presidenti serb tha gjithashtu se nuk e kupton kancelaren gjermane Merkel kur kjo e fundit thotë se ‘nuk mund të ndryshojnë kufijtë’.
Vuçiç tregoi se ka bërë shumë për arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën, por nuk ka patur sukses.