MENU
klinika

Rezultate tronditëse nga raportet

OKB duhet të deklarojë krizën humanitare në Venezuelë

05.04.2019 - 15:36

OKB duhet të deklarojë zyrtarisht një emergjencë humanitare në shkallë të plotë në Venezuelë pas “kolapsit të plotë” të sistemit shëndetësor, thanë ekspertët.

Duke patur parasysh paralajmërimin për kthimin e sëmundjeve infektive dhe rritjes së nivelit të kequshqyerjes dhe vdekjes së nënave dhe fëmijëve, një raport i publikuar këtë javë nga Human Rights Watch dhe Shkolla e Shëndetit Publik Bloomberg e Johns Hopkins i bën thirrje sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara António Guterres të deklarojë një “urgjencë humanitare”.

Hulumtuesit pas studimit, thonë se veprimet e administratës së Maduro kanë qenë të pamjaftueshme.

“Pa marrë parasysh sesa përpiqen, autoritetet venezueliane nuk mund ta fshehin realitetin” tha Shannon Doocy, profesor i asociuar i shëndetit ndërkombëtar në Universitetin Johns Hopkins.

“Sistemi shëndetësor i Venezuelës është në një kolaps të plotë, i cili, i kombinuar me mungesa ushqimore, po vë edhe më shumë venezuelanë në rrezik. Ne kemi nevojë për udhëheqjen e OKB-së për të ndihmuar në përfundimin e kësaj krize të rëndë”.

Muajin e kaluar, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq njoftoi se do të shtonte numrin e operacioneve në Venezuelë për të ofruar ndihmë për 650,000 njerëz. Por një raport i OKB-së në të njëjtën kohë vlerësoi se numri i njerëzve në nevojë ishte afër 7 milion.

Duke përdorur të dhënat nga agjencitë ndërkombëtare të shëndetësisë si Organizata Botërore e Shëndetësisë, të kombinuara me statistikat e qeverisë, raporti pohon se:

Vdekshmëria e nënave u rrit 65% dhe vdekshmëria foshnjore u rrit 30% në vitin 2016.

Më shumë se 9,300 raste të fruthit janë raportuar, me më shumë se 6,200 të konfirmuara, që nga viti 2017, një rritje dramatike krahasuar me periudhën 2008-2015, kur u raportua vetëm një rast.

Që nga korriku 2016, më shumë se 2.500 raste të difterisë janë raportuar, me më shumë se 1500 të konfirmuar. Asnjë nuk është regjistruar në periudhën 2006-2015.

Rastet e konfirmuara të malaries janë rritur më shumë se dhjetë herë, nga më pak se 36,000 në 2009 në 414,000 në vitin 2017.

Rastet e tuberkulozit janë rritur nga 6,000 në vitin 2014 në 13,000 në vitin 2017.

Në 2018, pothuajse nëntë nga 10 venezuelanë që jetojnë me HIV dhe të regjistruar nga qeveria nuk po merrnin trajtim antiretrovirale.

Paul Spiegel, drejtor i qendrës Johns Hopkins për shëndetin humanitar tha “Nga një perspektivë teknike, Venezuela po përballet me një emergjencë komplekse humanitare”.