Ditën që u zgjodh president i Amerikës, Abraham Linkoln, thirri këshilltarët e tij dhe u kërkoi të gjenin një postulat që funksiononte, në ditë të mira e të këqija për ta vendosur në zyrën e tij.
Pasi u menduan, këshilltarët i propozuan shprehjen “edhe kjo gjë, si gjithë të tjerat, do kalojë e do harrohet”. Si e keqja edhe e mira kalojnë dhe harrohen, nëse nuk sjellin një ndryshim të pakthyeshëm që brezat të mund ta trashëgojnë.
Njësoj sikur dielli i sotshëm që ndriçoi Tiranën tonë e sakaq na bëri të harrojmë javën e lagësht e deri diku të ftohtë.
“Dielli” i një partie të re pretendon të ndriçojë qiellin e zymtë të politikës të ngërçosur nga retë e krizës. 127 parti, “diej të pashuar”, numërohen sot në Shqipëri. U shtua një diell më shumë, i cili do të rrotullohet në galaktikën politike dhe rreth vetes, me rregullat e sistemit të vjetër.
Në këto kushte, një parti tjetër përbën një detaj shumë të vogël, i cili çuditërisht bëri lajm. Pa dyshim në kushtet aktuale shtimi i një “Dielli të ri” në galaktikën akoma të errët të “127 Diejve” është një vlerë e shtuar e papërfillshme.
Ajo që në fakt është thelbësore dhe për fatin tonë të keq as na e zgjidhin dot e as s’mund të presim të artikulohet nga trupat ndërkombëtare të shpëtimit, është rishikimi i sistemeve tona, të ashtuquajtura shtetformuese e demokratike, të cilat kanë prodhuar vetëm sulltanate, herë të majta e herë të djathta.
Ne nuk mund të formojmë shtet, nëse nuk kufizojmë pushtetin e individit qoftë ky Rama, Basha, Hajdari, apo kushdo tjetër.
Ne nuk do të mund të kemi kurrë një qeverisje të mirë, nëse nuk do të arrijmë të zbatojmë standardin numër 1 të saj, vendosjen e mekanizmave të kontrollit dhe të balancës midis ekzekutivit edhe ligjvënësit. Të dyja këto instanca për të keqen tonë, por më së shumti për fatkeqësinë e liderëve, janë ekskluzivitet i liderëve fitues të zgjedhjeve.
Pushteti i pakufizuar dhe pa afat degradoi të gjithë liderët tanë, të cilët u përfshinë në politikë si vizionarë e burra shteti, por nuk arritën kurrë të bëhen të tillë, pasi përfunduan duke menduar vetëm për zgjedhjet e ardhshme dhe kurrsesi për brezat e ardhshëm. Pushteti i pakufizuar ka prodhuar vetëm ambicien për ta mbajtur atë me çdo kusht, sa më gjatë.
Në ndjesitë e publikut, pushteti i pakufizuar i dhënë me ligj, i përzierë me protagonizmin e theksuar individual me të cilin natyra ka pajisur ca prej tyre, i ka sjellë figurat e disa liderëve në dimensionin e arrogantit.
Ndërkohë që protagonizmi individual i tyre pak punë na prish, pushteti i pakufizuar në duart e kujtdo prej tyre, është një kërcënim për demokracinë.
Thënë këto, një parti e re, pavarësisht emrit, nuk mund të ndryshojë bindjen demokratike që nëse nuk ka një përpjekje serioze e iniciuar nga mazhoranca dhe të mbështetur nga partitë e tjera për të ndryshuar sistemin, diejt e vegjël, të lindur rishtazi ose do shuhen si meteorë pa bujë e zhurmë, ose do lëvizin nën inercinë e forcës tërheqëse të një partie më të madhe.
Ndryshimi i sistemit është i vetmi hap i pakthyeshëm që do u shërbejë brezave. Lideri i mazhorancës e ka akoma një shans të artë për të vendosur pushtetin e mazhorancës në funksion të trashëgimisë dhe brezave të ardhshëm.
Në të kundërt, herët a vonë do ikë e do harrohet si gjithë liderët e tjerë të tranzicionit, duke mos arritur fatkeqësisht atë që pjesa më e madhe e shqiptarëve projektuan tek ai, liderin e një epoke të re.