Grabitja e djeshme në Rinas, ku u morën nga një avion në nisje 10 milionë euro të destinuara për në Austri me sa duket është kambana e fundit e alarmit për sigurinë në aeroportin e vetëm kombëtar në Shqipëri.
Pas dislokimit të Forcave të Armatosura, në perimetrin e jashtëm në aeroportin e Rinasit, Policia e Shtetit merr sigurinë në kontroll duke rritur prezencën.
Për të dhënë këtë lajm, ka dalë para mediave Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, zëvendës ministri i Infrastrukturës Artan Shkreli dhe zëvendës ministri Besfort Lamallari.
“Nuk kemi gjetur bashkëpunimin e duhur nga kompania që është përgjegjëse për sigurinë e aeroportit ‘Nënë Tereza’. Nisur nga kjo por edhe me urdhër të kryeministri, shefi i komisariatit të policisë Rinas merr edhe përgjegjësinë e drejtimit, menaxhimit, kontrollit e bashkëpunimit me kompaninë e sigurisë në aeroport për kthimin e sigurisë në aeroport. Do të kërkojmë çdo ditë rritjen e parametrave të sigurisë. Për ta kthyer aeroportin Nënë Tereza në një aeroport të sigurit e model. Ne do të bashkëpunojmë edhe me Forcat e Armatosura në perimetrin e jashtëm”, deklaroi Veliu.
Nga ana tjetër, zv.ministri i Brendshëm Llamallari e cilësoi grabitjen si humbjen më të vogël, ndërsa theksoi se nuk pati humbje njerëzish.
“Ne patëm me bisedë me drejtorin e TIA. Që ka të bëjë me rritjen e sigurisë në aeroportin e Rinasit. Do të ndryshojmë duke pasur parasysh ngjarjen që ka ndodhur. Në këtë moment sikurse tha drejtori i policisë masat e policisë do të rriten. Çështja e sigurisë është edhe problemi i ruajtjes së një figure të një aeroporti ndërkombëtar.
Policia e Shtetit nuk hezitoi të ballafaqohet me grabitësit, sepse ky grup grabitësish ishte i armatosur deri në dhëmbë. Ka qenë humbja më e vogël, një humbje monetare, nuk kemi patur humbje njerëzish, as nga FA as nga forcat e policisë.”– u shpreh Llamallari.