Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, komentoi deklaratën e kryeministrit Rama, i cili u shpreh se “do t’i dërgojmë LSI e PD për skrap”.
Në një lidhje telefonike në emisionin “TPZ”, Basha deklaroi se nuk do të komentojë “batutat” e Ramës, siç i quajti ai, ndërsa tha se këto janë shenja nervozizmi sepse kryeministrit i ka ardhur fundi.
“Do merremi me batutat e Edi Ramës? Sa kohë që ky vend të merret me batutat e Edi Ramës, fjalori i të cilit ka degraduar në nivelin e një adoleshenti që flet për organet gjenitale e për skrap, nuk do ketë ndryshim. Edi Rama është në një nervozizëm sepse i ka ardhur fundi. Një shprehje e kësaj është agresiviteti, nuk merremi t’i vëmë fre gojës së pistë të Edi Ramës”, tha Basha.
Kreu i PD ka folur edhe për vizitën e tij në Berlin, ku tha se pati takime me përfaqësues të lartë të Bundestagut dhe Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë
“Isha me ftesë të CDU-së së Merkel për një vizitë shumë të ngjeshur dy ditore, kam takuar përfaqësuesit më të lartë të Bundestagut. Kam pasur takime dje e sot me këshilltarin e Merkel për punë të jashtme dhe siguri dhe zv. sekretarin e çështjeve të jashtme dhe zv. sekretarin e çështjeve evropiane. Kam pasur takime në ministrinë e jashtme gjermane në fokus të të cilave ka qenë kriza në Shqipëri. Takime jashtëzakonisht të suksesshme, në radhë të parë për ndarjen e informacioneve për Shqipërinë, për ndarjen e pikëpamjeve të përkushtimit të përbashkët për vlerat europiane.
Gjermania ka qenë shumë e shqetësuar për zhvillimet në Shqipëri prej më shumë se një viti. Shqetësime që janë shprehur qartë. I pari i qeverisë ka zgjedhur t’i injorojë ose dhe të sulmojë. Sot këto shqetësime janë edhe më të mëdha për faktin e thjeshtë se raportet gjermane, politike dhe të agjencisë federale tregojnë atë që opozita dhe PD kemi thënë prej kohësh që nën sundimin e zotit Rama Shqipëria është kthyer në një Kolumbi të Europës.”, u shpreh Basha.