Kreu i Partisë Demokratike ka mbajtur fjalimin e tij në mes të protestuesve përballë kryeministrisë.
Ai e konsideroi protestën e sotme si një rënie të “muzgut të zi”, për bandën kriminale që është në pushtet sikurse e cilëson ai.
Basha thotë se ky është muzgu i bashkimit të madh.
“Po bie muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet. Po bie muzgu i zi për bandën e korrupsionit, padrejtësive dhe krimeve të përditshme ndaj shqiptarëve. Që nga koha e pushtuesve më mizor, nuk kanë parë shqiptarët një bandit kaq kriminel dhe barbar ndaj popullit, një njeri që do të hyjë në histori si njeri që hodhi gaz në shtëpitë e qytetarëve.
Ky muzg është muzgu i bashkimit më të madh të shqiptarëve mbi rrënojat e pushtetit kriminal të Edi Ramës. Rama ik!
As gazi lotsjellës, as propaganda e shfrenuar nuk na ndal dot, nuk na përçan dot. Shqipëria është e bashkuara. Kjo është Shqipëria e burrave dhe grave, e myslimanëve dhe të krishterëve, e të djathtës dhe të majtës, që i thonë shporru, largohu, Rama ik! Kjo është Shqipëria e vërtetë e qindra mijëra halleve të shtuara nga një kryeministër që asnjë ditë të vetme nuk i dëgjoi hallet e shqiptarëve sepse ata punojnë për vete, për oligarkët, për armiqtë e popullit shqiptar”.
Kreu i opozitës thotë se kjo protestë tregon se Shqipëria ka ndryshuar një herë e përgjithmonë.
“Kjo protestë është prova më e qartë se Shqipëria sot ka ndryshuar një herë e përgjithmonë. Banda e Edi Ramës, oligarkët dhe mediat e blera nga pushteti duan t’ju thonë se kjo nuk është një betejë e vërtetë, për jetën tuaj. Sot dua ta deklaroj me zërin tim, vullnetin tuaj dhe vullnetin tim, PD, LSI-së, PDIU, PBDNJ-së, të gjithë partive tona në koalicionin e shumicës së re”, tha më tej Basha.
Basha ka thënë se edhe policia duet të dëgjojë thirrjen e popullit dhe sipas tij të bashkohen me thirrjen e tyre: “Liri a vdekje”.
“Ju bëj thirrje vëllezërve dhe motrave të policisë së shtetit, hidheni kapelet, bashkohuni me ne. Rama ik! Dëgjoni mirë mesazhin e popullit. Liri a vdekje, demokraci a vdekje.
Kjo betejë do të ketë vetëm një përfundim; ajo do të zgjidhë dilemën të jetë apo të mos jetë Shqipëria evropiane”, tha ai.