MENU

Kompensimi i Pronarëve

Procedura/ Baçi: Sillni 8 dokumente për të marrë paratë

16.04.2019 - 19:20

Agjencia e Trajtimit të Pronave publikon procedurën që duhet të ndjekin 600 pronarë për të marrë paratë e tokës që u është zënë nga ndërtimet pa leje. Bëhet fjalë për ndërtimet pa leje në drejtoritë për ALUIZNI-t, përkatësisht në  Tiranë Jug, Kamëz-Vorë, Vlorë, Elbasan, Lezhë, Durrës, Shkodër, Tiranë Veri dhe Tiranë Shtesat që përfshijnë në kompensim 600 pronarë.

Këta të fundit do të marrin së bashku 455 milionë lekë për një sipërfaqe që mbërrin deri në 36 mijë m².

Drejtoresha e ATP-së Jonida Baçi ka firmosur dokumentin ku bëhet e ditur se  nisi procesi i pranimit të kërkesave për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale.

Procesi i pranimit të kërkesave të subjekteve përfituesve do të fillojë në datën 23.04.2019 dhe nuk do të jetë i kushtëzuar dhe i kufizuar në kohë. ATP fton të gjithë subjektet e interesuara, të paraqiten pranë zyrave të saj, në adresën Rruga “Muhamet Gjollesha”, Nr. 54, Tiranë, çdo ditë nga e hëna në të premte, për plotësimin e kërkesës për kompensim dhe dorëzimin e dokumentave përkatës”-thuhet në njoftimin e ATP-së.

Dokumentet

Subjekti kërkues (subjekti përfitues/trashëgimtari ligjor/përfaqësuesi me prokurë), në momentin e plotësimit të kërkesës për kompensim, duhet të paraqesë dokumentacionin e mëposhtëm:

1.Kërkesën për kompensimin e pronës, sipas formatit tip, që i vihet në dispozicion nga ATP;

2.Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil;

3.Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. (Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme,  secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 (dymijë) lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme);

4.Vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar;

5.Fotokopjen e dokumentit të identifikimit;

6.Mandat pagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën 2 000 lekë.

Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fondet nga Programi i Bujqësisë

579 milionë lekë për fermerët, shpërndarja