Ora 13:20/ Fundi i protestës/ Paloka: Do protestojmë deri sa…
Pas rreth 3 orësh organizim, ka përfunduar protesta e opozitës, në të cilën mungoi lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Fjalen pershendetese e ka mbajtur nenkryetari i PD Edi Pakloka i cili tha se protesta do te vazhdojne deri ne rrezimin e Edi Rames.
“Vëllezër dhe motra dua t’ju përshëndes për forcën dhe ekzistencën tuaj edhe emër të kreut të PD, zotit Lulzim Basha. Sot protestën tonë e drejtuan jo më kotë studentët sepse Shqipëria që ne duam është Shqipëria e studentëve. Shqipëria që duam të ndërtojmë për fëmijët tanë. Pak ditë më parë DASH e cilësoi parlamentin e Edvin Rramës si qendrën e kanabisit dhe drograce të forta, ku krimi i organizuar mblidhet për t’u shpërndarë deri në SHBA. Ky raport dikur i është bërë vetëm Noriegës.
Ne e dimë kush është Edi Rama dhe do rrimë ne shesh deri sa ai të largohet ai trimi ciniku që mbledh administratën nga Librazhdi në Vlorë dhe del aty për t’u tallur me hallet e shqiptarëve. Ai numëron sa kishte mbledhur opozita sot por ai nuk kupton një gjë.
Ne do jemi në shesh. Ai duhet ta kuptojë se urrejtja e shqiptarëve është gjithë kohë aty dhe një ditë do ta largojë. Bën show me atë që vazhdon ta quajë parlament, por ajo është skena e bashkëpunimit me krimin. Ne kemi dalë për t’i dhënë fund një sistemi të korruptuar. Ne demokratë dhe LSI dhe gjithë partitë e opozitës do jemi bashkë derisa kjo qeveri të shporret. Vendi i tyre është në burg dhe atje do të përfundojnë“, u shpreh Paloka.
Ora 12:46/ Tensione te Piramida, çfarë po djegin protestuesit?
Pas largimit nga Kuvendi, protestuesit janë vendosur përballë piramidës.
Aty në shenjë simbolike, ata i kanë vënë flakën piramidës së kartonit, ku kanë shkruar edhe disa etiketime në drejtim të qeverisë.
Në majë të saj ata kanë vendosur emrin e kryeministrit Edi Rama dhe më pas e kanë djegur. Piramida është vendosur fillimisht tek Parlamenti por më pas kur nisën marshimin protestuesit e vendosën para Piramidës ku dhe kryen veprimin final me djegien e saj.
Në bazë të piramidës është vendosur ‘rilindje’ më pas ‘krimi-blerja e votave’, më tej me radhë ‘droga’, ‘oligarkët’, ‘pastrimi i parave’, ‘PPP-kullat’ dhe në krye “Edi Rama”.
Ora 12:27/ Pas thirrjes së Këlliçit, zhvendoset protesta e opozitës
Protesta e opozitës pas përplasjeve dhe trazirave para Kuvendit është zhvendosur drejt Kryeministrisë.
Ka qenë kreu i FRPD-së, Belind Këlliç ai i cili u bëri thirrje protestuesve të zhvendosen nga Kuvendi drejt Kryeministrisë.
Situata para Kuvendit shpesh herë është tensionuar, pasi protestusit kanë tentuar të çajnë kordonin policor.
Gjithashtu ata kanë hedhur kapsolla e flakadanë në drejtim të policisë.
Nga ana tjetër policia me megafon ka bërë thirrje; “mos dhunoni efektivët”.
Ora 11:48/ Tensione në protestën e opozitës, sulmohet policia
Protesta e opozitës para Kuvendit, vijon të shoqërohet me përplasje dhe trazira.
Protestuesit kanë bërë disa tentativa për të thyer kordonin e policisë. Sipas informacioneve, protestuesit tentojnë të hedhin flakadanë në drejtim të policisë.
Policia nga ana tjetër kërkon nga demostruesit të ruajnë qetësinë dhe gjakftohtësinë, ndërsa nuk mungojnë edhe paralajmërimet për dënime.
“Te nderuar qytetare . Ruani gjakftosine. Ruani qetesine. Mos hidhni kapsolla ne drejtim te punonjesve te policise. Mos u perplasni me punonjesit e policise. Te nderuar organizatore te protestes. Merrni masa te menjehereshme qe protestuesit qe kane mbuluar fytyren me shall e maska ose te zbulojne fytyren ose t’i largoni menjehere nga protesta. Sipas ligjit per tubimet mbulimi i fytyres denohet deri ne 6 muaj burg. Ju si organizatore te tubimit mbani pergjegjesi ligjore per mbarevajten e tubimit”, njofton policia.
Ora 11:00/ Përplasje mes protestuesve, çfarë dyshohet
Sot teksa në Kuvend ka nisur seanca plenare, jashtë opozita është duke zhvilluar protestën e 8-t.
Deri më tani nuk ka pasur tentativa nga protestuesit për të thyer kordonin e policisë, por vetëm përplasje mes protestuesve.
Protestuesit janë përplasur me njëri-tjetri për përdorimin e aparateve celulare.
Kjo përplasje ka ardhur, pasi ka pasur dyshime për policë të infiltruar.
Ora 10:47/ Opozita në protestë, ku shfaqet Rama?
Teksa ka nisur seanca plenare dhe protesta e opozitës, kreu i qeverisë Edi Rama është shfaqur në inagurimin e sallës së re te liceu “Jordan Misja” ,e cila ka marrë emrin “Tonin Harapi”.
Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij zgjodhi të merrte si shembull Ermonela Jahon, si frymëzim pë vajzat dhe djemtë që ishin të pranishëm.
“Një vajze i thonin është e shtrëmbër nuk është mirë, e shkreta s’ka zë, gjynah. Ajo vinte këtu në lice. Dhe Ermonela Jaho këndoi në të gjitha sallat.
Është një shembull shumë i ngjashëm me Messin që thoshte unë do luaj në ‘Cump nou’.
Prindërit e çonin për ta kuruar se rrezikonte të mbetej gjithë jetën i shkurtër dhe dihet se si shkoi historia. I them këto për vajza dhe djem që janë këtu pas meje.
Jo të gjithë arrijnë në majë, megjithatë është vetëm çështje vullneti dhe gatishmërie“, tha Rama.
Ora 10:45/ Mungon në protestë, Basha ka një mesazh nga Gjermania
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është parë sot në mëngjes duke hyre në kancelarinë federale gjermane në Berlin.
Edhe pse nuk është i pranishëm të protestë, kreu i PD ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook pamjet live nga protesta.
“Qytetarët shqiptarë janë ngritur kundër Maduros së Ballkanit i cili është kapur duke vjedhur. Ky vend ka zot! Sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli shqiptar. #ShqipëriaSiEuropa”, shkruan Basha.
Kryedemokrati ka udhëtuar ditën e djeshme për në Gjermani, ai do të ketë takime edhe me drejtues të Parlamentit Gjerman, Bundestagut, zyrtarë të lartë të Qeverisë Federale, drejtuesit e partive simotra CDU dhe CSU etj. Vizita e shefit të opozitës në Gjermani vjen pas asaj në Bruksel ku Basha u takua me kryetaren e CDU, Annegret Kramp-Karrenbauer, presidentin e PPE Joseph Daul dhe eurodeputetë.
Pas djegies së mandateve, kjo është vizita parë e kreut të PD në Gjermani.
Ora 09:59/ Opozita ia beson protestën FRPD-së/ Policia ‘blindon’ Parlamentin
Opozita organizon sot protestën e 8-të duke kërkuar rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.
Të paktën 1000-1300 forca policore priten të jenë të angazhuara për mbarëvatjen e saj. Mësohet se ndryshe nga protestat e mëparshme policia ka vendosur gardh metalik për të minimizuar kordonin e efektivëve.
Ndërkohë në Kuvend, raportohen të kenë mbërritur edhe protestuesit dhe deputetët e parë. Deputeti Tom Doshi ishte i pari që mbërriti në Parlament.
Sipas informacioneve, në mungesë të kreut të PD-së, Lulzim Basha e gjithë protesta do të jetë në dorë të FRPD-së.
Ora 09:53/ Protesta e opozitës nis me tension, përplasje polici-protestues
Protesta e opozitës ka nisur me përplasje mes policisë dhe protestuesve.
Protestuesit të cilët janë mbledhur pranë pedonales dhe ministrisë së Brendshme janë përplasur me forcat e Policisë së Shtetit.
“Kjo është policia e Leshit, shifeni mirë. Të njëjtën gjë bënë edhe me djalin tim këta. Këtu ku arrestuan atë duan të më arrestojnë dhe mua”, tha një prej protestuesve të Unazës së Re.
“Bijtë e komunistave. Këta janë plehrat e komunzmit”, shprehet një tjetër protestues.
Qindra forca policore janë në gatishmëri ndërsa kreu i opozitës Lulzim Basha ndodhet në Gjermani për disa takime.
Ora 09:28/ Basha “tradhton” sërish protestën, ku ndodhet sot ai?
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk do të jetë sot pjesë e protestës.
Ai do të mungojë për shkak të angazhimeve që do të ketë jashtë vendit.
Të martën kryedemokrati është nisur drejt Gjermanisë.
Basha do të takohet me përfaqësues të CDU-së për t’i njohur me situatën politike në Shqipëri.
Ndërkohë kujtojmë se policia ka hartuar një plan të detajuar masash, për të mos lejuar protesuesit të përplasen me deputetët.
Një numër i madh efektivësh policie janë të pozicionuar përreth Parlamentit. Ndërsa si në protestat e kaluara është bllokuar me hekura pedonalja e Parlamentit duke filluar nga minisitria e Brendshme.
Ora 08:24/ Protestë para Parlamentit, axhenda e opozitës sot
Opozita do të protestojë sërish sot përpara Parlamentit, duke kërkuar largimin e qeverisë.
Opozita do të organizohet sërish sot përpara Parlamentit, ndërkohë që deputetët e shumicës do të zhvillojnë seancën e radhës plenare. Organizimi do të jetë i njëjtë me atë të protestave të mëparshme, ndërkohë që mësohet se peshën kryesore do ta mbajnë të rinjtë e forumit rinor të PD-së.
Kreu i PD, Lulzim Basha, do të mungojë sot në protestë për shkak të angazhimeve që do të ketë jashtë vendit.
Nga ana tjetër, edhe Policia ka hartuar një plan të detajuar masash, për të mos lejuar përplasjen e protestuesve me deputetët e shumicës