MENU
klinika

Zgjedhjet lokale

PS i kërkon KQZ-së përgatitjen e administratës, edhe pa opozitën

01.04.2019 - 17:17

Partia Socialiste i ka kërkuar KQZ-së përgatitjen e administratës për realizimin e zgjedhjeve vendore.

Deputetët e komisionit të ligjeve kanë theksuar se bojkoti i zgjedhjeve prej opozitës nuk mund të ndikojë në realizimin e procesit. Një tjetër debat është zhvilluar dhe për institutin e komunizmit, ku Braho e ka cilësuar kryetarin e institucionit si ballist. Në përgjigje Agron Tufa është shprehur se deputeti Braho është përfaqësues pikërisht i sigurimsave.

Ndër të tjera ata theksuan se bojkoti i zgjedhjeve vendore prej opozitës, nuk do të ndikojë në përgatitjen e procesit prej KQZ. Madje në përfundim të raportit vjetor të këtij institucioni deputetët e mazhorancës në Komisionin parlamentar të ligjeve kërkuan marrjen e masa për funksionimin e administratës zgjedhore.

“Funksionimin e rregullt të administratës zgjedhore duke konsideruar që mund të ndodhë në kushtet e braktisjes së sistemit nga partitë kryesore të opozitës parlamentare.”, u shpreh Fino.

Në diskutimin për monitorimin e shpenzimeve të partive, deputetët e PS rikujtuan kontratat e lobimit në SHBA të Partisë Demokratike.

Në diskutimin për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizimit, Deputeti Spartak Braho kërkoi shkarkimin e drejtuesit të këtij instituti, pasi sipas tij është kthyer në seksion të Ballit Kombëtar që nxin luftën dhe dëshmorët.

“Do kërkoj shkarkimin e Agron Tufës derisa t’i thërrasë mendjes. Ka marrë përsipër të nxijë çdo gjë duke përfshirë luftën, heronjtë, dëshmorët dhe nuk ka asnjë shkencore në tërë analizat”, tha Braho.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Agron Tufës, këtë rradhë përmes facebook.

“Dhuratën më të çmuar sot për ditëlindje ma ka bëre direkt nga salla e Kuvendit bash përfaqësuesi i zi i ish Sigurimit të shtetit, deputeti Spartak Braho. Dëgjojeni dhe, ju lutem, shpërndajeni sa më gjerë ta dinë të gjithë, se si na rrezikohet jeta nga këta neandertalë të komunizmit” u shpreh ai.

Deputetja Hysi kërkoi bashkëpunim mes këtij instituti dhe Autoritetit të hapjes së dosjeve e qëllim informimin e publikut, duke theksuar nevojën për përgatitjen e studimeve shkencore.