MENU
klinika

Arsyet

Pse Erdogan i humbi zgjedhjet lokale?

07.04.2019 - 09:52

Në zgjedhjet e fundit lokale të Turqisë votuesit hodhën poshtë “Erdoganizmin”, axhendën ekspansioniste neo-otomane të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Në vend që të merrte vendime të forta për të rregulluar ekonominë, Erdogan fajësoi bankierët e Shteteve të Bashkuara dhe hebrenjtë për kolapsin financiar të Turqisë. Ekonomia e saj është zyrtarisht në recesion. Lira turke humbi 28% të vlerës së saj në vitin 2018 dhe së fundmi ka rënë edhe 5% kundrejt dollarit amerikan me lajmet se Banka Qendrore Turke ka përdorur një të tretën e rezervave të saj të huaj për të mbështetur monedhën gjatë periudhës tre javore para zgjedhjeve lokale. Fuqia blerëse e konsumatorëve ka rënë në mënyrë dramatike. Bizneset turke me borxhe në valutë të huaj janë veçanërisht të goditur rëndë.

Tregues të tjerë ekonomikë theksojnë krizën ekonomike të Turqisë. Shkalla zyrtare e papunësisë është 13%, më e larta në një dekadë. Papunësia e të rinjve është edhe më e lartë, 30%.

Erdogan dëshiron të udhëheqë bashkësinë sunnite në mbarë botën. Ai dëshiron një kalifat me veten si kalif de facto.

Siria kryeson listën e shqetësimeve. Erdogan u zotua të rrëzojë presidentin sirian Bashar al-Assad pas sulmeve në Ghouta në gusht 2013. Ghouta është një periferi e Damaskut dhe ishte një bastion i opozitës siriane Sunni në atë kohë.

Vite më vonë, lufta civile e rëndë e Sirisë vazhdon. Tre milionë refugjatë sirianë kanë kërkuar strehë në Turqi.

Në vend që të përpiqej për ndryshimin e regjimit, Erdogan iu bashkua përpjekjeve diplomatike të Rusisë dhe Iranit për të ruajtur Assadin në pushtet. Shumë turq janë të shqetësuar për një aleancë me Vladimir Putinin.

Megjithë rritjen e Islamizmit në Turqi, ekziston një lidhje e thellë mes amerikanëve dhe shumicës së turqve, duke përfshirë kurdët dhe sekularistët. Ata nuk janë të kënaqur me largimin e Turqisë nga Perëndimi.

As nuk i miratojnë marrëdhëniet e ashpra të Erdoganit me Bashkimin Evropian. Parlamenti Europian votoi për të pezulluar kandidaturën e Turqisë për anëtarësimin në BE.

Turqia po zgjeron tregtinë me Kinën, pavarësisht shqetësimeve të sovranitetit dhe borxheve. Gjithashtu, kohët e fundit afirmoi solidaritetin me Nicolas Maduro të Venezuelës.

Çështjet e buxhetit janë gjithmonë dominuese në zgjedhjet lokale. Përveç mohimit të politikave ekonomike të AKP-së, turqit refuzojnë largimin nga Shtetet e Bashkuara. Nëse Erdogan nuk mund ta rregullojë ekonominë e Turqisë dhe të rindërtojë marrëdhëniet ndërkombëtare, zemërimi i elektoratit turk mund të përhapet në rrugë dhe të rezultojë në “rrëzimin” e tij të dhunshëm.

Ky artikull është prodhuar nga Instituti i Pavarur i Medias.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN