MENU
klinika

Publikohet për herë parë zëri i Konicës

“Pushtimi nga Italia thikë pas shpine Shqipërisë”

07.04.2019 - 11:44

Po ju paraqes një material zanor të papublikuar ndonjëherë.

Është intervista e Faik Konicës, ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Uashington, dhënë radios amerikane NBC, më 8 prill 1939, një ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia.

Kanë kaluar 80 vjet nga ajo ditë. Pushtimi italian ishte një goditje e rëndë për ministrin Konica dhe për të tjerë që i besuan miqësisë së shtirur të Benito Musolinit. Në intervistë, Konica e quan agresionin e Italisë kundër Shqipërisë së pambrojtur “një thikë pas shpine”.

Intervistuesi quhet Hilmar Baukhage, komentator i njohur i asaj kohe. Disa orë përpara bisedës në radio, Baukhage e kishte vizituar Konicën në apartamentin e tij në Hotelin Mayflower të Uashingtonit, duke shprehur habi për librat e shumtë që rrethonin ministrin erudit të Shqipërisë.

Ky është i vetmi regjistrim i zërit të Konicës që njohim deri më sot. Intervistën po e bëj publike, të plotë, me lejen e radios NBC në Nju Jork.

(Nga: Ilir Ikonomi)

 

 

Aktiviteti patriotik dhe me gjerë i Konicës jashtë Shqipërisë:

 

Më 1897 shkoi në Bruksel ku themeloi revistën e përkohshme të quajtur “Albania”, me ndihmën e autoriteteve austro-hungareze.[4] Sipas dokumenteve belge, gjatë kohës që jetoi në Francë, Konica kish njohur një grua të quajtur Sophie Annette Hygon, me të cilën më 1897 pati një djalë të quajtur Henrik.[5] Më 1903 u shpërngul në Londër, ku mori leje të punonte në Departamentin e Dorëshkrimeve të Muzeumit Britanik. Në Londër jetoi pesë vjet dhe studjoi dokumentet shtetërore veneciane që lidheshin me Shqipërinë si dhe me dorëshkrime të tjera, disa prej të cilave i botoi tek “Albania”. Më 1909 u ftua prej shqiptaro-amerikanëve të shkonte në Shtetet e Bashkuara, ku të jepte një varg leksionesh, që e bëri në dyvjeçarin 1909-1911. Më 22 tetor 1909 mori në dorëzim prej Fan Nolit redaksinë e gazetës “Dielli”, që ishte botim javor i Shoqërisë “Besa-Besë”. Konica punoi si kryeredaktor i Diellit deri më 18 mars 1910, për t’u kthyer sërish me 6 maj deri me 1 korrik 1910, dhe mandej prej 1 gushtit 1912 deri më 8 korrik 1913. Më 24 dhjetor 1911 në një mbledhje drejtuar nga Kristo Floqi, Konica caktohet anëtar i Komisionit për Bashkimin e organizatave shqiptare në SH.B.A. Përpjekjet e mbarë patriotëve shqiptare, përfshirë Konicën, arritën kulmin me themelimin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, The Hearth, me 28 prill 1912. Mbledhja e themelimit u zhvilluar në Kishën e Shën Gjergjit që atëhere ndodhej në 227 Tremont Street, Boston. VATRA bashkoi shoqëritë Besa-Besën, Flamuri i Krujës, Kombëtare dhe Dallëndyshja, dhe do të luante rol shumë të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Një Pleqësi e përkohëshme u zgjodh për të drejtuar organizatën e re. Sekretar i saj u zgjodh Fan Noli. Konica dhe Floqi u ngarkuan me ngritjen e degëve të reja të organizatës në Masaçusets dhe shtete të tjera. Pas përfundimit të stinës së provimeve për Faikun nuk do të kishte më asnjë ditë pushimi të lirë. Përreth një muaj rrjesht, nga 19 maj 1912 deri në 16 qershor 1912 Konica do të udhëtonte pa rreshtur në mbarë Anglinë e Re duke ngritur dhe organizuar degë të reja të Vatrës në Worcester, MA, Lynn, MA, Manchester, N.H., Central Falls, R.I. and Southbridge, MA.[1]

 

Më 14 mars 1912 u regjistrua pranë Zyrës së Emërimeve të Universitetit të Harvardit, pra gjatë semestrit të dytë të vitit shkollor. Në arkivin e tij privat më 13 mars 2006 iu gjet Kërkesa për Punësim, përmes së cilës mëtonte të punësohej si “pedagog në kolegj, shkollë normale ose shkollë tetëvjeçare; në lëndët: gjuhë romanse, kryesisht frengjisht dhe italisht”. Pyetjes se në cilat pjesë të SH.B.A. dëshironte të punonte ai iu përgjigj: “Më 1912-1913, në rrethinat e Cambridge-it; në vitet e mëpasme kudo”. Sipas studjuesit Alibali synimi i tij për të mos u larguar nga Bostoni në një periudhë kritike të lëvizjes shqiptare në Amerikë përkon edhe me veprimtarinë e ethshme të Konicës e Nolit gjatë këtyre dy vieteve në kuadrin e Vatrës. Fakti që formulari i punësimit është gjetur në arkivën private të Faikut, dhe jo në Arkivën e Universitetit tregon se Konica nuk e dorëzoi atë tek zyra përkatëse. Sipas Kastratit, Konicës iu ofrua në fund të studimeve një vend pune si pedagog i anglishtes në Universitin e Pekinit në Kinë.[1]

 

Me efektin domino të shpejtë të ngjarjeve të gjysmës së dytë së 1912 dhe shpërthimin e Luftës Ballkanike, Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Vatrës i 16 shkurtit 1913 vendosi të dërgonte Faik Konicën si delegat në Kongresin e Triestes. Kongresi filloi me 1 mars 1913 nën kryesinë e Faik Konicës. Ai zgjati tri ditë dhe më të moren pjesë përfaqësues nga të gjitha kolonitë shqiptare, të cilët moren vendime të rëndësishme dhe miratuan një rezolutë në mbështetje të Qeverisë së Përkohshme dhe kundër përpjekjeve për copëtimin e Shqipërisë.[1] Në gusht u kthye në Shqipëri, ku pasi e kishtequajtur “njeri të papërgjegjshëm, ambicioz dhe më të urryerin nga shqiptarët” në Vjenë, iu bashkua tarafit të Esad pashë Toptanit, në tetor ndihu në formimin e Pleqësisë së Shqipniës Mesme. Më 3 nëntor në rrugët e Durrësit u shit numri i parë i gazetës së Pleqësisë, Ushtimi i Krojës, që drejtohej nga Konica. Pas diskutimeve për ardhjen e princit, Konica pati një zënkë me Toptanin. Më 7 mars 1914 priti Princ Vidin i veshur me fustanellë të bardhë deri te gjunjët, xhokën e zezë krahëve dhe këpucë allafrënga.[6] Gjatë një qëndrimi dyvjeçar në Vjenë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, u takua me Ahmet bej Zogollin të internuar nga austro-hungarezët dhe u bënë miq. Së bashku u takuan sërish në Itali, ku Konica ishte përfaqësues jo shumë aktiv si delegat i Vatrës dhe kish refuzuar një ofertë për t’u emëruar përfaqësues diplomatik i qeverisë shqiptare në Romë.

 

Në shtator të 1921, Faiku u kthye nga Napoli në Boston me ftesë të Vatrës për t’u bërë kryetar i saj.[7] Konica nisi të kritikonte Zogun kur u emërua kryeministër më 1922 me pendën e tij të vrerosur.[8] Më 1923 u takua në Boston me 20 vjeçarin Gjon Mili, të cilit do t’i ofronte miqësinë e tij.[9] Pas takimit me mikun e vjetër Fazlli Frashëri më 1925, Konica ndërroi qasje kundrejt Zogut, duke u shprehur gjithnjë e më tepër si edukator përmes publicistikës së tij.[10] Më 13 korrik 1926 dorëzoi letrat kredenciale si Ministër Fuqiplotë i Republikës në Departamentin e Shtetit Amerikan.[11]

 

Në vitin 1926, Ahmet Zogu e emëroi Konicën ministër fuqiplotë në SHBA, post që e ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia e pushtoi Shqipërinë. Pas kësaj u shfuqizua nga qeveria amerikane ngaqë delegata e diplomacisë shqiptare ishte zhytur në borxhe. Prish raportet përfundimisht me Ahmet Zogun, që i ristabilizon më 1942 në verë për çështjen shqiptare nën okupacionin italian. Vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar.

 

“Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë menjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri”, thuhet në testamentin e Konicës.

Sistemi komunist për pesëdhjetë vjet e ndaloi kthimin e eshtrave të tij në tokën shqiptare. Noli dhe Lamja i vogël (Sejfulla Maleshova) nuk mund të bënin asgjë. Më 4 mars 1946 Noli i shkruante Lames që të ndikonte tek autoritetet shqiptare të plotësohej amaneti i Konicës. Pasi Malëshova nuk mundi të bënte gjë, ndërhyri vet tek autoritetet shqiptare dhe fatkeqësisht, për arsye politike, nuk gjeti mirëkuptim. Eshtrat e tij u kthyen në atdhe, në një ditë maji të vitit 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Kështu u plotësua amaneti i Konicës, të anatemuarit, njeriut “që hodhi baltë mbi letërsinë shqiptare” , “shkrimtarit reaksionar”, sikurse u quajt paturpësisht, i cili u letua nga letrat shqipe për motive politike. Në këtë turp morën pjesë edhe shkrimtarët e kritikët letrarë, të cilët kurrë nuk do të kenë forcë, përmes kritereve estetike, ta zhvendosin nga maja e kulturës shqiptare. Atje është i përgjithmonshëm. I veçanti, tekanjozi – Faik Konica. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.