Ndërtimi i korridorit Veri-Jug është prioritet i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar. Sot drejtoresha e ARRSH ka inspektuar punimet në nyjen lidhëse të rrugës, Milot-Lezhë- Rrëshen-Thumanë, pjesë e rrjetit rrugor kombëtar dhe njëkohësisht e korridorit Veri–Jug.
“Puna vijon me ritëm shumë të mirë dhe punimet do të përfundojnë brenda afatit të caktuar. ARRSH do të vijojë të punojë konform tërë normave dhe standardeve për të garantuar siguri maksimale për përdoruesit e rrugë“, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.
Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato ka bërë të ditura akstet prioritare dhe afatet e përfundimit të disa veprave të rëndësishme infrastrukturore në vend. Kështu aksi rrugor Tiranë-Elbasan pritet të jetë tërësisht funksional për qarkullimin e mjeteve më 17 maj të këtij viti.
Qatos konfirmon se janë një sërë aksesh rrugore të rëndësishme dhe sistemime të rrugëve që pritet të përfundojnë brenda vitit 2019.
“Brenda vitit 2019 kemi për të përfunduar disa projekte të rëndësishme tashmë të nisura nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar, natyrisht me mbështetje të buxhetit të shtetit të qeverisë shqiptare. Siç flitet për mbylljen në datë 17 maj të aksit kryesor, një kas shumë problematik, një projekt i tejzgjatur për shkak të mënyrës se si ishte hartuar dhe projektuar kontrata e rrugës Tiranë-Elbasan të cilën ne patëm rastin më datë 14 mars të hapnim korsinë e parë të lidhjes së kësaj rruge nga TEG-u deri kufi të rrethrrotullimit në hyrje të Elbasanit, ku ambicia është që më datë 17 maj të dorëzojmë të plotë këtë rrugë”, u shpreh Qato gjatë një interviste në ERTV.
Ndërkohë në fund të prilli do të hapet për mjetet dhe qytetarët gjithashtu edhe tuneli panoramik i rrugës Elbasan-Tiranë. Sipas kreut të ARRSH-së deri në fund të vitit do të përfundojë infrastruktura e veprave të arrit të 4 viadukteve në aksin Kukës-Morinë, e cila përfshin pajisjen me të gjitha elementët e sigurisë rrugore.
Brenda vitit do të mbyllen punimet edhe për aksin Elbasan-Banjë si dhe ato për lotin e parë Skrapar-Përmet duke lehtësuar kështu trafikun. Ndërkohë po punohet me dy turne në Bypass-in e Fierit, çka do të sjellë hapjen e njërës korsie më 30 qershor.