MENU
klinika

"Të qëllimshme dhe akte kriminale"

Reagon Ministria e Mbrojtjes për zjarret

01.04.2019 - 14:11

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në një deklaratë të dhënë për mediat ka komentuar situatën e zjarrëve që kanë përfshirë vendin, ditët e fundit. Në deklaratë, ministrja Xhaçka informon se të paktën 243 vatra zjarri janë përhapur në gjithë territorin e vendit, ndërsa dyshohet se shumë prej tyre janë ndezur qëllimisht. Gjthashtu Xhaçka u shpreh se zjarrvënia e qëllimshme është një akt i pasur kriminal.

“Sivjet kemi 243 vatra zjarri. Këto zjarre janë ndezur qëllimisht, akte kriminale. Këto zjarre janë akte si ato me tritol në shtyllat të tensionit”- është shprehur Xhaçka.

Dua të ndaj sot me të gjithë qytetarët shqetësimin për situatën shumë të pazakontë që është krijuar gjatë 3 javëve të fundit me zjarret që kanë rënë në zona të ndryshme të vendit.

Është një situatë shqetësuese sepse dëmi i shkaktuar është i madh.Deri tani janë djegur mbi 245 hektarë pyje e kullota, ndërkohë që në shumë raste zjarret ende nuk janë arritur të vihen nën kontroll.

Kjo është një situatë shqetësuese edhe sepse me dhjetra efektivë të FA janë sot duke punuar papushim, në kushte shumë të vështira dhe të rrezikshme për të shuar këto zjarre dhe sidomos për të parandaluar që ato të përhapen drejt zonave të banuara, ku dëmet mund të bëheshin shumë herë më të rënda.

Gjatë muajit Mars janë shënuar plot 243 vatra zjarri, të shpërndara gjeografikisht në pothuajse të gjithë territorin e vendit. Mesatarisht, 8 vatra zjarri në ditë, edhe pse temperaturat kanë qenë nën 20 gradë.

Vitin e kaluar, në po të njëjtën kohë ky numër ka qenë 0 edhe pse kushtet atmosferike kanë qenë të ngjashme. Dhe sado të kthehesh mbrapsht në vite nuk mund të gjesh këtë frekuencë zjarresh.

Në pjesën dërrmuese këto janë akte të pastra vandalizmi, për mos ju vënë akoma një emër tjetër në mungesë të provave konkrete që do t’i zbulojnë hetimet. Janë akte që për nga logjika dhe natyra u ngjajnë si dy pika uji atyre sulmeve me kallëpe tritoli ndaj shtyllave të tensionit të lartë, që ndoshta si për rastësi kanë ndodhur po gjatë së njëjtës periudhë.

Personalisht jam ndjerë e revoltuar kur kam dëgjuar ndonjë që është përpjekur të krijojë ndonjë alibi për këtë situatë.

Nuk ka e nuk mund të ketë alibi e justifikime për këto akte. Dhe nuk ka e nuk duhet të ketë asnjë forcë politike, pavarësisht problemeve që ajo ka, që të mbështesë duke justifikuar, apo të nxisë përmes gjuhës së konfliktit e dhunës akte.

U bëj thirrje autoriteteve lokale, të gjitha strukturave të njësive të qeverisjes vendore që në disa raste kanë qenë gati inekzistente përpara këtyre situatave, se, minimumi që këto struktura duhet të bëjnë me punonjësit e drejtorët, me këshilltarët bashkiakë e administratorët e kryepleqtë, pra me këtë ushtri njerëzisht që janë sot në borderotë e njësive të qeverisjes vendore, është që të informojnë në kohë për këto zjarre, të veprojnë menjëherë për parandalimin e përhapjes së tyre.

Shqipëria është e shqiptarëve, është e fëmijëve tanë pa asnjë dallim, sot e mot, dhe të gjithë bashkë pa asnjë lloj ndasie duhet të ruajmë pasurinë e përbashkët e të mbrojmë jetën e familjeve tona, karshi çdo përpjekje për të djegur e shkatërruar atë që na ka dhuruar natyra dhe puna e përbashkët.- ka thënë ndër të tjera Xhaçka në fjalën e saj për mediat.