MENU
klinika

"Rrugë drejt dritës"

Regjisorët e huaj të intriguar nga Shqipëria dje dhe sot

11.04.2019 - 15:19

“Rrugë drejt dritës” u shfaq si premierë e dokumentarit për Shqipërinë në Këln, në kuadrin e serisë filmike “Trashëgimia vizuale e komunizmit – ballafaqime filmike”.

Një llambë që ndriҫon errësirën, një turbinë me filma të vjetër dokumentarë dhe fjalët e një burri të moshuar: “Dikur thuhej një shprehje e Leninit, plus elekrifikimit kemi komunizmin. Nejse, ajo në fakt, nuk erdhi kurrë, ajo mbeti përrallore.”

Kështu hapet filmi “Rrugë drejt dritës”, me regjisorë Eckehardt Pistrick dhe Björn Rheinhardt. Filmi me temë elektrifikimin e Shqipërisë, duke përballur të kaluarën me të sotmen, propagandën glorifikuese të sistemit komunist dhe rrëfimet e sotme të elektricistëve, inxhinierëve dhe fshatarëve, që punuan intensivisht në elektrifikimin e vendit, në vitet 1965-1970. Shumica e personazheve ne film janë “të prekur në biografi” . Puna dhe mundi i tyre sot është harruar. Në fshatra ka mungesë dritash. Disa duhet të vazhdojnë të punojnë për të mbijetuar, ndonjëri ka përfunduar i alkoolizuar. Rrëfimet e tyre në film alternohen vazhdimisht me sekuenca të dokumentarëve propagandistikë dhe lajmeve televizive mbi arritjet dhe heroizmin e popullit në periudhën e elektrifikimit.

 

 

Gjatë xhirimeve të dokumentarit në Shqipëri – Ekstremet nga postkomuzmi dhe sot:

Zgjodhëm këtë temë, shpjegon njëri nga regjisorët, etnologu Eckehardt Pistrick: “për të reflektuar mbi gjëra, që tek ne janë bërë të vetëkuptueshme, kanë rënë në nivelin e normales. Në Shqipëri ka shumë ekstreme, nga postkomuzmi gjen shumë raste dhe situata ekstreme, ku njeriu duhet të luftojë për të mbijetuar për të fituar paranë. Për syrin e një të huaji është interesante.”

Në vitin 1971, në Vaun e Dejës, mbi lumin Drin u ndërtua me ndihmën kineze hidrocentrali Mao Ce Dun. Skena filmike nga arkivi sjellin në ekran ceremoninë madhështore të inaugurimit, ku udhëheqësi i atëhershëm Enver Hoxha pret me solemnitet shiritin në praninë e mijëra banorëve dhe ndërtuesve.

Po ana tjetër e medaljes? Jemi sërish në kohën e sotme. Kryetari i shoqatës për të drejtat e familjeve të përmbytura nga hidrocentrali thotë, se për ndërtimin e tij janë përmbytur 13 fshatra, “por siҫ ndodhte shpesh atëherë, këtyre fshatrave nuk u është kompensuar toka”.

Direkt pas tij një 83 vjecar tregon me mllef se „zi e ma zi ka qenë, na kanë pru në kapanone të punëtorëve për të jetuar.”

Elektrifikimi i gjithë vendit, që përfundoi në vitin 1970 ishte një arritje e madhe për Shqipërinë. Në një kohë, kur as Bullgaria dhe Çekosllovakia nuk e kishin kryer ende plotësisht elektrifikimin. Energjia elektrike do të arrinte në të gjitha fshatrat, kandili do të zëvendësohej me dritën, që trumbetohej me të madhe si “drita e partisë”. Përmes shtypit, filmit, arteve figurative i bëhej jehonë propagandistike kësaj arritjeje të madhe, me qëllim që sistemi të rriste simpatinë edhe ndikimin në popull.

Përsëri pamje filmike nga arkivi, festimi i festës së dritave në Malësine e Madhe

“Deri në anën tjetër të malit mbërrinin tavolinat”, – tregon në film dëshmitari i asaj kohe nga Shoshi. Ai dhe bashkëshortja e tij, rrëfejnë si janë njohur dhe dashuruar në këtë festë.

 

 

Hareja dhe gëzimi është i papërshkruar. Drita do t’u ndryshonte jetën njerëzve në zonat malore, do t’u hiqte kandilin, do t’u hapte horizontin e do t’i lidhte me botën.

Por, këtu ka edhe diҫka tjetër. Çfarë ndodhi me njeriun, me fshatarësinë në këto punime, me kushte teknike gati inekzistente? Elektrifikimi i afro 1800 fshatrave u realizua me moblizim masiv me punë vullnetare. “E kena mbajt’ gjithҫka në krah”, – tregon sot, malësori nga Shoshi.

Dokumetari arkivor me zërin patetik të spikerit, që ngre lart heroizmin e punës kolektive vullnetare, shfaq pamje, që tregojnë fshatarë të vënë në radhë, që me përpjekje të mundimshme ҫojnë përpara në monopatet, ku nuk shkon makina, shtylla betoni duke i mbajtur mbi supe.

A ishte njeriu i ҫeliktë? Elektrifikimi i vendit u krye në kohë record, brenda një plani ambicioz pesëvjecar 1965-1970, madje para afatit , paҫka se kërkonte sakrifica, ndoshta edhe dëmtim fizik të njerëzve.

“Burri punonte 18-20 orë për elektrifikimin”- rrëfen e gruaja e një tjetër personazhi në film – “punë të rendë në ҫdo lloj moti, unë kisha merak për të”. Një punë jo e parrezikshme ajo e elektriçistëve në lartësitë marramendëse në shtyllat e tensionit të lartë. Por familja e elekricistit, që ka punuar me vetëmohim për të sjellë dritën, sot nuk ka sa duhet para, për të paguar faturat e rrymës. “Drita duhet paguar, por kur nuk e paguan biznesmeni… Ndërsa unë kam shitur lopën dhe i kam paguar.”

Ajo që i dhemb është shkatërrimi i punës së bërë me mundim e sakrificë, dëmtimet në sistemin e rrjetit elektrik: “Diҫka për të cilën të duhet kohë e gjatë për ta bërë, mund ta shkatërrosh për një moment”, – shprehet me keqardhje ai.

Nga e majta në të djathtë regjisori Björn Reinhardt, të intervistuarit për dokumentarin dhe regjisori Eckhard Pristrick

Utopia e zhvillimit

Krahas mungesës në fshat, filmi sjell pamjet e dritave të panumërta në eventet festive në kryeqytet e qytete. “Ne dhe disa shtëpi të tjera këtu në luginë, nuk kemi pasur kurrë dritë, – tregon një familje, që paraqet një gjenerator primtiv me ujë, të cilin e ka ndërtuar djali, emigrant i kthyer nga Greqia, për të bërë dritë. A nuk ka shkuar drita kurrë në disa shtëpi të vetmuara?” Do kohë Shqipëria, që të bëhet si bota. Politikanët duan të hanë vetëm për vete, nuk mendojnë aspak për popullin e varfër. Ne vuajmë dhe s’fitojmë gjë”; – thotë gruaja. Gjurmët e vuajtjes dhe të mungesës vihen re te këto njerëz, në fshatrat që përballen me mungesën e furnizimit me energji.

 

 

Pamjet bardhezi të dokumenteve historike dhe ato shumëngjyrëshe të rrëfimeve të personazheve ndajnë qartë të kaluarën dhe të tashmen, në filmin “Rrugët drejt dritës” që është një histori mes trillit, realitetit dhe propagandës.

“Në këtë film kemi dashur të ballafaqohemi me utopinë e zhvillimit, ҫfarë sjell apo nuk sjell zhvillimi në nivelin rural dhe në atë individual. Filmi është në të njëjtën kohë edhe një ballafaqim me të shkuarën, si reflektojnë shqiptarët ndaj komunizmit ndaj arritjeve të komunizmit dhe me idealizimin e këtyre arritjeve”, – shpjegon regjisori i filmit, Eckehard Pistrick.
Filmi, një bashkëpunim i Filmclub 813 me Shoqatën e Evropës Juglindore, u shfaq në fundjavë në Këln në kuadrin e serisë filmike “Trashëgimia vizuale e komunizmit – ballafaqime filmike”, si premierë në Gjermani.