MENU
klinika

Beteja mazhorancë-opozitë

Replika të forta/ Rama-Hajdari, “ndezin” debatin në Kuvend

25.04.2019 - 15:56

Kryeministri Edi Rama është përfshirë në replika të forta, me deputeten demokrate Rudina Hajdari, gjatë qëndrimit sot në Kuvend.

Në fjalën e tij, Rama i kujtoi marrëveshjen e 2009-ës, duke e argumentuar si arsyen, pse ajo është pjesë e Kuvendit.

“Zonja Hajdari, e kam dëgjuar shpesh këtë mënyrën e të ironizuarit me batutat dhe humorin, dhe dua t’ju sugjeroj të lexoni Mark Tueinin, thotë gjëra shumë të bukura për ju. Ajo që thotë është se, humori është e vetmja armë për t’iu kthyer brutalitetit, pa rënë në brutalitet. Nuk mendoj se njerëzimit mund t’i ketë ardhur ndonjë e keqe nga humori. Tani mund t’ju përgjigjem me rallë, disa pyetjeve tuaja. Po të mos ishte marrëveshja jonë e 2009-ës, nuk do të ishim në parlament as ju. Më lër ta mbaroj, po i drejtohem një gruaje.

Do të kishim më shumë si ty Alban dhe më pak, si këto. Parlamenti ka një numër grash, që në sistemin tjetër nuk mund të imagjinohej. Unë nuk hyj tek ata që bëjnë gjyqin e dinjitetit, e neveris. Unë nuk mendoj që, secili prej nesh të japë karakterizimin për njerëzit dinjitozë dhe jodinjitozë. Ndaj, nuk e kam këtë kapacitet, që të bëj gjykim kaq të papërshtatshëm në rastin më të mirë dhe kaq hyjnore, në rastin më të keq. Di këtë, që nga kjo marrëveshje kemi pasur zgjedhje më të mira dhe parlament më përbërje më cilësore.

Le t’u themi, se nuk ka sistem zgjedhor më të mirë se një tjetër. Të gjitha sistemet që bota i ka shpikur dhe i ka vënë në jetë, janë demokratike. Ju lutem, gjeni argumentet e duhura, se nuk është betejë morale. Dikush iku, për mungesë karakteri. Ndershmëria është një gjë që nuk e përjashton budallallëkun. Ju vetë, keni ikur nga Shqipëria, keni vendosur të ikni në Amerikë. Unë mendoj që jetojmë në kohën kur, kush kapërcente kufirin, ishte armik.”- u shpreh Rama.

Në replikë ndaj fjalës së kryeministrit në parlament, deputetja Rudina Hajdari u shpreh se, sot ekziston një opozitë reale që herët e vonë do të fitojë e që maxhoranca aktuale duhet t’i druhet.

Hajdari, ironizoi fjalimin e kreut të qeverisë, ndërsa tha, se foli në seancë për përralla me mbret.

“Të dalësh të flasësh përralla me mbret e të japësh histori dhe batuta, kjo është për të ardhur keq. Është ky Kryeminsitër, që thotë “hajde, debatojmë ide”. Ku i keni idetë? E morëm vesh, ata kanë pasur eksperiencën e tyre, problemet e tyre, janë provuar e shqiptarët s’i kanë besuar. Ato zgjedhje ishin legjitime, jam dakord. Pse? Sepse firmosën të gjithë dhe erdhën pas dy vitesh e thanë të kundërtën.

Po të thuash, jemi në kushte për zgjedhje të lira, nuk jemi. Me marrëveshjen e 2008-ës, ju e shitët Shqipërinë. E mbrojtët atë marrëveshje, se do kishit përfaqësues më të denjë. Më atë marrëveshje, a më thoni dot, sot se keni deputetë më të denjë, veç se ju binden e qeshin me batutat tuaja? Nuk shikoj ndryshim tjetër” – u shpreh Hajdari.

"Ka 1 mijë arsye për të marrë qeverinë"/ Rama sfidë Hajdarit: Unë i di, por...
“Ka njëmijë arsye për të marrë qeverinë”/ Rama sfidë Hajdarit: Unë i di, por…

Kritika, Rudina Hajdari rezervoi edhe për ish-deputetët e opozitës, që vendosën të djegin mandatin, ndërsa theksoi se, vendosi të qëndrojë në parlament, pasi Shqipëria nuk e meriton një përballje civile.

“Marrëveshja e opozitës është për të ardhur keq, jam kundër bojkotit. Duhet të marrin fund, të gjitha metodat antikushtetuese, duhet të tregojmë vullnet për të zgjidhur këtë krizë. S’mund të hedhim baltë, me opozitën jashtë parlamentit. Mes tyre, ka edhe qytetarë të ndershëm. Vendi ka humbur shpresën.

Për cfarë jeni të vendosur? Për tendera pa konkuerencë, të pasuroheni edhe për 7 breza të tjerë. Ku jemi ne, sot? Shqipëria sot, duhet të ishte në BE, nuk jemi! Do të kërkoja me përulje, të pranoni ftesën time, për t’i dhënë fund kësaj krize, askush nuk do që të kemi përballje civile, duhet ta evitojmë këtë situatë.

Ishte vendimi i duhur, për të qëndruar në parlament, jo për të mbajtur qeverinë, po për të mos e çuar Shqipërinë, në konfrontim civil. Duhet të heqim dorë nga ky kërcënim. Faza e ardhshme, do jetë përcaktuese për Shqipërinë. Do të zgjedhim nëse do kemi demokraci të konsoliduar. Politikanët e sotëm, nuk mund të shihen më si udhërrëfyes të atyre që hoqën shpresën, për të qëndruar në këtë vend. Le të shpresojmë, se këto tri dekada do të mbyllen.

Ekziston një opozitë tjetër, që është kundra jush. Një shoqëri civile që ju nuk e përfillni, nuk e dëgjoni, të rinj që nuk përndyhen me pseudopakte, qytetarë që vertetë duan ndryshim. Dhe këta janë opozita reale, që ju duhet të druheni e të keni frikë” – përfundoi Hajdari.