“Kisha e Ristozit u ngrit (ndërtua) që nga themeli me përpjekje dhe mundim ky tempull hyjnor e i gjithënderuar i zotit tonë Jezu Krisht Jetëdhënës dhe u pikturua prej ktitorit Peshkopit të gjithëhirshëm zotit Nimfon, në kohën e zotërimit tê Amiralit, vëllezërit e gjithëlumtur Sebastokratorë Jani dhe i gjithëlarti Despot Zoti Theodhori viti 6898 (=1389) Nëntor 13.
Mbishkrimi në portën hyrëse të Kishës së Ristozit i nxjerë në pah pas restaurimit, i cili mban dhe datën e saktë të ndërtimit.”, kështu shkruan KorçaReport.
Ndërkohë, për tu njohur më shumë, kujtojmë se Kisha e Ristozit është një monument i trashëgimisë kulturore në Mborje, në rrethin dhe qarkun e Korçës.
Ky monument është i llojit “Arkitekture”, i miratuar me numër “586 e 4874” më “17.03.1948, 23.09.1971”.
Kjo Kishë i dedikohet Shën Mërisë.
Ajo është një nga objektet e kultit që është ndërtuar më herët në Ballkan. Ka disa versione për kohën e ndërtimit të saj. Sipas njërit prej versioneve, kjo kishë është ngritur në vitin 896 nga Shën Klementi, ndërsa në një version tjetër flitet për gjysmën e shekullit të XIV-të.
Kisha është ndërtuar në rrëzë të malit të Moravës, në juglindje të Korçës. Afreskët e saj janë realizuar nga piktorë anonimë në vitin 1390. Ajo njihet si vend i shenjtë që ndihmon njerëzit. Në ditën që Krishti mbush 40 ditë nga ringjallja, ky vend i shenjtë vizitohet nga mijëra besimtarë të fesë ortodokse.
Territori ku është ndërtuar kjo kishë gjendej në këta shekuj në Principatën e Muzakajve. Klasa feudale drejtonte ekonominë dhe jetën politiko-shoqërore të vendit.
Në vitet 1389-1390 ai që dha të hollat për ndërtimin e saj ishte peshkopi Nimfoni. Kisha e Ristozit është një kapelë mjaft piktoreske nga trajtimi i jashtëm dhe proporcionet e goditura. Ajo bën pjesë në grupin e kishave me kryq të brendashkruar pa mbështetje të brendshme.
Hapësira qendrore e saj është naosi, i cili ka një planimetri katërkëndëshe kënddrejtë, një nefshë, dhe me kupole. Ai komunikon me ambientin shtesë (hajatin) me anë të dy portave të hapura, njëra në murin jugor, e tjetra në atë perëndimor të naosit. Lartesia e pikës më të lartë është 7.5M.
Në vitin 2015, Kisha iu nënshtrua një vepre mirëmbajtjeje pasi rrezikonte shembjen.