Senatori i përjetshëm po fliste me qetësinë e vet. I pikturoi shpejt nobelistët që njihte. Për të parin nuk kam shumë stimë, tha ai. Zonja e vjetër është shumë e vjetër, herë pas here dhe humb luciditetin. Zikiki është i mirë, por për të thënë gjërat që nuk duhen bërë, dhe jo ato që duhen bërë…
Por unë do të çoj ty te një nga njerëzit më të ndershëm që njoh në jetën time. Është drejtor në Ministrinë e Kërkimeve Shkencore, profesor dhe shkencëtar i vjetër. E, veç të tjerash, – vazhdoi Senatori, – është përfaqësuesi i racës tënde të vjetër.
Ishte hera e dytë brenda asaj dite që do ndeshesha me njerëzit e racës sime të vjetër. Duke pritur në një nga hotelet e vogla rrotull Terminit në Romë, për të vajtur në takim me Andreotin, fillova të lexoj gazetat. Dy të përditshmet më të mëdha të Italisë i kishin kushtuar gati 15 faqet e para të tyre vdekjes së Perandorit të Madh të financave italiane, siç quhej Enriko Kuça.
Nuk e dija që ai ishte përfaqësues i racës së vjetër.
Dy vjet më vonë, në një emision televiziv në Shqipëri, Andreoti e theksoi vetë se shqiptarët duhet të krenoheshin me këtë përfaqësues të racës së tyre të vjetër siç ishte Enriko Kuça.
Pastaj, pashë vetë te libri i Tamburinit origjinën e Kuçës. Italiani, që ishte gazetar i profilit ekonomik, theksonte se Kuça ishte me origjinë greko-shqiptare. Nga Piana degli Albanesi. Në të vërtetë të gjithë shqiptarët ortodoksë atje i ngatërrojnë ndonjëherë me emrin grek. Sepse dhe kisha është e tipit ortodoks. Siç ndodh rëndom me të gjithë që ngatërrojnë qenien ortodoks me atë grek.
Në zyrën e Andreotit në Romë, 1998
Duke lexuar gazetat e kuptova menjëherë se Kuça ishte nga përfaqësuesit e mëdhenj të asaj race që Balzaku e ka mishëruar në mënyrë gjeniale te libri i tij “Gobseku”. Një nga ata mbretërit e heshtur që drejtojnë vendin dhe botën sipas stilit të tyre të vjetër dhe të pakopjueshëm, të qetë, pa thënë asnjë fjalë ndaj botës që e rrethon.
Kamarieri i restorantit ku Kuça hante herë pas here thoshte: “Ai vinte gjithnjë në 12 pa pesë. Rrinte jashtë edhe nëse ishte dimër ose verë. Për të hyrë fiks në orën 12:00 në restorant. Pinte ujë çezme dhe s’fliste kurrë. Vetëm urdhëronte me sy.
Plaku Kuça kish urdhëruar në testament që të mos e bezdiste njeri as në vdekje. I varrosur në Zvicër brenda varrit të së shoqes, pa vënë asnjë mbishkrim në të. Thuajse njëlloj si personazhi legjendar i Balzakut. Në ditën e vdekjes së tij, vetëm njëri nga personazhet e mëdha të Italisë nuk mori pjesë në varrim. Ishte Xhani Anjeli. Në 1973, i mbetur në vështirësi financiare, ai iu drejtua Kuçës. Pengu ishte i rëndë. Vëllai i Anjelit duhej të linte vendin komandues në FIAT.
Dhjetë vjet më vonë përsëri ai në vështirësi. Dhe përsëri duhej shkuar te Kuça. Pengu ishte akoma më i rëndë. Xhani Anjeli duhej të dilte në pension dhe të linte presidencën e FIAT-it. Ky ishte urdhëri i patriakut të madh. Dhe u bë. Se ç’është Kuça për ata që duan ta kuptojnë shkurt këtë histori, mjafton të kujtosh fjalët e Andreotit: “Sa herë që punët tona shkonin keq, mendonim: E fshiu Kuça edhe këtë qeveri”.
Po Kuça është vazhdimi i drejtpërdrejtë i jetës së personazhit legjendar, Balzakut. Gobseku thoshte: “Ne jemi gjithsej dhjetë mbretër të heshtur në Paris”. Për Kuçan mund të thuash, ai ishte mbreti i vetëm i Italisë që sundoi atë për 50 vjet me radhë. Po në ndryshim nga bashkëkombësi i vet, Enver Hoxha, në krahun tjetër të Adriatikut që shkatërronte pa pushim vendin e vet, Kuça lulëzoi atdheun e dytë që i kishin zgjedhur gjyshërit e tij.