MENU
klinika

Nga Kristo Frashëri

A pati rol Enveri në Konferencën e Paqes?

08.04.2019 - 17:58

Lufta e Dytë Botërore filloi më 3 shtator 1939, kur Anglia dhe Franca i shpallën luftë Gjermanisë hitleriane në mbrojtje të Polonisë, e cila më 1 shtator 1939 ishte sulmuar nga agresorët nazistë.

Në Europë lufta mori fund me kapitullimin pa kushte të Gjermanisë hitleriane më 9 maj 1945, kurse në shkallë botërore me kapitullimin e Japonisë militariste më 2 shtator 1945. Në këtë luftë morën pjesë shumë vende dhe popuj të botës.

Parimisht barra për zgjidhjen e tyre u takoi qeverive të popujve të dëmtuar nga lufta. Veç këtyre, pati dhe probleme me përmasa madhore, zgjidhja e të cilave nuk ishte në duart e popujve që ato i pësuan, por detyrë e mbarë popujve bashkërisht. (…)

Pikërisht këto detyra të përgjithshme mori përsipër të zgjidhte Konferenca e Paqes. Ajo do t’i zhvillonte punimet e saj në tri instanca: në Konferencën e Potsdamit, në Berlin, korrik-gusht 1945, e cila do të merrej me Gjermaninë naziste, përgjegjësja kryesore e luftës agresive botërore; në Konferencën e Paqes në Paris, në verën e vitit 1946, e cila do të merrej me satelitët e Gjermanisë hitleriane (Italinë, Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë, Finlandën); dhe në Konferencën e tretë, e cila nuk u mbajt, ku do të trajtoheshin problemet e lidhura me Japoninë.

Në Konferencën e Potsdamit u trajtuan problemet me Gjermaninë naziste si shkaktare e Luftës së Dytë Botërore. (…)

Në Konferencën e Paqes në Paris, e cila u zhvillua në nivelin e ministrave të Punëve të Jashtme (MPJ) të kampit antifashist, u trajtuan problemet e shumta që dolën nga lufta, përfshirë dhe paqen me satelitët e përmendur të Gjermanisë hitleriane.

Në lidhje me trajtimin e problemeve të Europës nga Konferenca e Paqes në Paris u rreshtuan përballë njëra-tjetrës shtetet e të dy kampeve të luftës – fitimtarët dhe të mundurit.

Në krye të palës së fitimtarëve qëndronin pesë aleatët e mëdhenj të koalicionit – Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Kina, shoqëruar nga pjesëtarët e tjerë të koalicionit që kishin marrë pjesë në luftë, të cilat u konsideruan fuqi “shoqe” – Polonia, Çekosllovakia, Norvegjia, Holanda, Belgjika, Jugosllavia, Greqia, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, Afrika e Jugut, Brazili, Etiopia, Ukraina, Bjellorusia, India.

Në radhët e shteteve të mundura në Konferencë u ftuan si fajtorë për të dhënë llogari aleatët e Gjermanisë hitleriane – Italia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Finlanda.

Shteti i vetëm europian që mori pjesë në Luftën Antifashiste, por që nuk u ftua në Konferencën e Paqes në Paris ishte Shqipëria. Ajo nuk u ftua as si pjesëtare e koalicionit të madh antifashist, as si pjesëtare e bllokut agresiv fashist.

Madje, Shqipëria ishte vendi i dytë në Europë pas Çekosllovakisë, e cila u ushtua nga fuqitë agresore para fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Nga ana tjetër, ajo ishte vendi i parë në Evropë që e priti agresionin fashist me rezistencë të armatosur, e cila sado e vogël, përsëri qe një rezistencë.

Veç kësaj, Shqipëria edhe pse me një popullsi të pakët, me rreth një milion banorë, zhvilloi pa ndërprerje gjatë tërë periudhës së okupacionit fashist italian dhe nazist gjerman, rezistencë patriotike e cila u pasua nga një luftë të armatosur çlirimtare me anën e brigadave dhe divizioneve partizane që organizoi me forcat e veta njerëzore, krahas koalicionit të madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan.

Në luftën kundër dy fuqive kryesore të bllokut fashist Shqipëria bëri sakrifica shumë më të mëdha në përpjestim me fuqitë e saj. Me mijëra patriotë ranë në fushën e betejës duke luftuar kundër agresorëve fashistë.

Krahina të tëra u dogjën dhe u shkrumbëzuan nga ushtritë e bllokut fashist, me dhjetëra mijë vetë u burgosën dhe u internuan nga okupatorët nazi-fashistë, përveç grabitjeve të pasurisë të kryera prej ushtrive të tyre.

Duhet shtuar me këtë rast se kontributi që dhanë shqiptarët në luftën e madhe antifashiste u vlerësua që në ditët e luftës nga tri fuqitë kryesore të koalicionit të madh antifashist. Sikurse do të shihet, më 10 dhjetor 1942 Sekretari i Shtetit të Sh.B.A-së Cordel Hull, një javë më vonë më 17 dhjetor 1942 ministri i Jashtëm britanik Antony Eden dhe një ditë më vonë, më 18 dhjetor 1942 ministri i Jashtëm i Bashkimit Sovjetik Vjaçesllav Molotov e përshëndetën dhe e njohën kontributin që po jepte Shqipëria e robëruar në luftën kundër agresorëve fashistë.

Nga vlerësimet e tyre nuk është vështirë të kuptohet se ata e trajtuan Shqipërinë që ne fund të vitit 1942 si pjesëtare të koalicionit të madh antifashist. Në fillim Britania e Madhe, pastaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas Bashkimi Sovjetik dërguan misione ushtarake pranë forcave të armatosura partizane të Shqipërisë, gjë që tregonte se ata i konsideronin këto forca partizane aleate të tyre.

Megjithatë, pasi Lufta e Dytë Botërore mori fund tre aleatët e mëdhenj anglo-sovjeto-amerikanë nuk e ftuan Shqipërinë të merrte pjesë si fuqi shoqe në Konferencën e Paqes në Paris.

Anomalia e qëndrimit të tre aleatëve të mëdhenj të bie në sy me faktin se Shqipëria nuk u ftua as si shtet armik. Pra, Shqipëria dukej sikur gjatë Luftës së Dytë Botërore flinte gjumë të thellë, as pro, as kundër luftës së madhe antifashiste.

Arsyet e këtij trajtimi të Shqipërisë nga Konferenca e Paqes, ndonëse kanë kaluar rreth 70 vjet, deri sot nuk janë sqaruar në mënyrë bindëse nga Treshja e Koalicionit Antifashist. Që në atë kohë shtrohej pyetja: përse Shqipëria, e cila, para Konferencës së Paqes në Paris (1946), trajtohej si një anëtare e koalicionit të madh antifashist – kur filluan punimet në Pallatin e Luksemburgut nuk u lejua të merrte pjesë në punimet e saj.

Si argument për të justifikuar mospranimin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes, Britania e Madhe përdori faktin se Shqipëria nuk ishte anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Dihet se pranimin e Shqipërisë në OKB e kundërshtoi Britania e Madhe me të drejtën e vetos që i jepte asaj statuti i OKB-së, për divergjencat që ajo pati me qeverinë e Tiranës të kryesuar nga Enver Hoxha, të cilat do të trajtohen në vendin e duhur.

Për historianin objektiv, antagonizmat që mund të ekzistonin midis qeverive të dy vendeve nuk përbënin argument për t’ia mohuar një populli të drejtën politike që ai kishte fituar me gjakun e mijëra dëshmorëve në luftën patriotike.

Nuk është vështirë të kuptohet se në këtë mes Britania bënte lojën e qerthullit vicioz: pasi kundërshtoi hyrjen e Shqipërisë në OKB, kundërshtimin e saj e përdorte si argument se ishte OKB-ja që kundërshtonte parimin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes.

Për Tiranën zyrtare, motivi i vërtetë i qëndrimit britanik ishte premtimi që Londra i kishte dhënë Athinës së do ta ndihmonte të realizonte aneksimin e pjesës jugore të Shqipërisë. Sikurse do të shihet gjatë trajtesës, Athina kërkonte me çdo kusht që Shqipëria të cilësohej agresore ndaj Greqisë për luftën që Italia i kishte shpallur më 1940 shtetit helen.

Në rast se Shqipëria cilësohej aleate, Athina nuk kishte asnjë shans të realizonte lakmitë e saj ndaj të ashtuquajturit “Vorio-Epir”, pasi dihet fare mirë se fitimtarët nuk mund të dënohen, por vetëm të shpërblehen. Pikërisht, kjo ishte ndihma që Britania e Madhe i jepte qeverisë greke duke kundërshtuar pranimin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes.

Sikurse do të shihet, për shkak të qëndrimit negativ që mbajti Britania e Madhe duke mos e pranuar shtetin shqiptar si anëtar të OKB-së, Konferenca e Paqes pati për disa javë me radhë në qendër të debatit çështjen nëse lufta nacionalçlirimtare i jepte të drejtë Shqipërisë të cilësohej ose jo si fuqi shoqe e kampit të madh antifashist.

Është me interes të thuhet se asnjë nga pjesëmarrësit e Konferencës, me përjashtim të Greqisë, nuk e mohoi kontributin e partizanëve shqiptarë në fitoren e kampit të madh antifashist.

Megjithatë, kontributi që dha Shqipëria për triumfin mbi agresorët fashistë, ishte një kontribut, sado i vogël, por jo pa rëndësi në krahasim me rezistencën e disa anëtarëve që u ftuan në Konferencë si fuqi shoqe.

Sidoqoftë, deri sot nuk është vënë në dukje se kush e pati përgjegjësinë që ajo u la jashtë Konferencës: Shqipëria e sapodalë nga lufta, e cila u akuzua padrejtësisht nga Greqia si fuqi agresore apo fuqitë që organizuan Konferencën e Paqes?

Më në fund, si ndodhi që në mbyllje të Konferencës së Paqes Shqipëria e papërfillur u pranua, ndonëse me vonesë, si fuqi “shoqe” e koalicionit të madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan? Çështja është komplekse dhe përgjigja ende mund të diskutohet.

Nga K. Frashëri, “Shqipëria në Konferencën e Paqes në Paris 1946”