MENU
klinika

Raporti i INSTAT për 2018

Rritet kriminaliteti, 120 vepra penale për 10 mijë banorë

30.04.2019 - 13:26

INSTAT ka publikuar sot raportin për kriminalitetin në vend për vitin 2018. Sipas të dhënave zyrtare mësohet se kriminaliteti në vitin 2018 shënoi rritje duke regjistruar një total prej 34.468 vepra penale, 0,4 % më shumë, krahasuar me vitin 2017.

Instituti i Statistikave raportoi se vitin e shkuar në raport me popullsinë, janë evidentuar 120 vepra penale për 10 mijë banorë, nga 119,4 që ishin në vitin 2017. Lidhur me klasifikimin e veprave penale dhe ecurinë e tyre në raport me vitin 2017 INSTAT raportoi se rritjen më të madhe e kanë pasur vepra penale e shkeljes së rregullave të qarrkullimit vjetor me një rritje 7.5 për qind në raport me 2017.

Vjedhja nga ana tjetër është një tjetër vepër në rritje me 4.1 për qind më shumë raste të regjistruara në vitin 2018 në raport me 2017-ën. Më pas në rritje kanë qenë vrasjet me dashje me 2 për qind. Pjesa tjetër e veprave penale janë regjistruar në rënie ku krimet në fushën e drogës kanë pasur 7.9 për qind më pak raste të regjistruara të veprave penale sesa në 2017.

Mashtrimet kanë rënë me 7.7 për qind kurse krimet me dashje kundër shëndetit 5.9 për qind.

Autorët

Lidhur me numrin e autorëve shifrat zyrtare raportojnë gjithashtu rritje.

“Në vitin 2018, janë regjistruar 39.649 autorë për vepër penale, 10,0 % më shumë, krahasuar me vitin 2017. Në vitin 2018, meshkujt përbëjnë 92,9 % të autorëve për vepër penale” thuhet në publikimin e INSTAT.

I njëjti publikim vlerëson se në vitin 2018, 31,3 % e autorëve janë të grupmoshës 30-44 vjeç, 29,5 % të grupmoshës 18-29 vjeç dhe 25,5 % i përkasin grupmoshës 45-59 vjeç.

Në vitin 2018, janë regjistruar 19.101 persona të dëmtuar, 0,2 % më shumë, krahasuar me vitin 2017.

Në vitin 2018, të dëmtuarit për krime kundër personit përbëjnë rreth 36,7 % të totalit të personave të dëmtuar.

Në vitin 2018, në totalin e personave të dëmtuar për krime kundër personit, femrat përbëjnë 33,1 % të të dëmtuarve dhe përqindja më e madhe e tyre vihet re në krime seksuale, krime kundër moralit, dinjitetit si edhe krime kundër fëmijëve, martesës dhe familjes” thuhet në publikimin e INSTAT.

Lidhur me procedimet në vitin 2018, numri i procedimeve penale të regjistruara është 31.389, 0,2 % më pak, krahasuar me vitin 2017. Nga 29.329 procedime penale të përfunduara, 22,7 % e tyre janë pushuar, 37,1 % janë pezulluar dhe 40,2 % janë dërguar për gjykim në gjykatë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Punojnë, por nuk marrin rrogë"

INSTAT: Sa % e shqiptarëve paguhen pa para?


Analiza nga "Project Syndicate"

Bota është ende ‘në flakë’!

Kërkesa të shumta nga të huajt për apartamentet ditore

A i rriti turizmi qiratë?

Nga rritja e tyre tek shpërndarja e bonusit

Ndryshime që do sjellë skema e re e pensioneve