MENU
klinika

Dialogu me Serbinë dhe taksa

Samiti i Berlinit/ Thaçi dhe Haradinaj bien në kundërshti!

28.04.2019 - 18:39

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës kanë shfaqur pritshmëri dhe qëndrime të ndryshme mbi samitin e Berlinit.

Thaçi dhe Haradinaj kanë dallime mbi rifillimin e dialogut me Serbinë dhe tarifën e vendosur ndaj produkteve që importohen nga Serbia. Për analistët kjo e dobëson pozicionin e Kosovës në raport me pjesëmarrësit e tjerë të takimit.

Dy udhëheqësit më të lartë të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë shfaqur pritshmëri dhe qëndrime të ndryshme mbi samitin e Berlinit, i cili është thirrur nga kancelarja Angela Merkel e presidenti francez Emmanuel Macron.

Thaçi dhe Haradinaj kanë dallime në lidhje me rifillimin e dialogut me Serbinë dhe tarifën prej 100 për qind të vendosur ndaj produkteve që importohen nga Serbia.

Presidenti Thaçi ka mbajtur një qëndrim më të hapur për heqjen e tarifës si mundësi për rifillimin e dialogut, ndërsa Haradinaj ka mbajtur një qëndrim të palëkundur për heqjen e tarifës kur Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Kam pasur shpresë që nuk do të kemi shpërputhje me presidentin, pra shpresoj që nuk do të kemi shpërputhje, por nuk ka ndonjë ndryshim në ato qëndrime që Qeveria e vendit i ka mbajtur në vazhdimësi,” ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha një ditë para samitit se ka pasur konsulta me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas tij, në takim theks i veçantë do t’i jepet mundësisë së vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, që do të sjellë stabilitet edhe më të madh në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Thaçi pret nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron që të tregojnë mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Nëse diçka e tillë nuk ndodh, takimi i Berlinit do të jetë zhgënjyes për qytetarët e Kosovës,” ka shkruar presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se në këtë takim do të kërkojë edhe dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, në vitet 1998-1999.