MENU
klinika

Taksa ndaj mallrave

Serbia ‘kërcënon’ Kosovën: Do ju padisim!

04.04.2019 - 20:44

Serbia ka paralajmëruar Kosovën se do të bëjë padi në arbitrazh me pretendimin se është shkelur marrëveshja e CEFTA-s.

Kosova duket se nuk ka ndërmend të heqë taksën 100% ndaj mallrave serbe, ndaj Beogradi ka paralajmëruar Prishtinën me padi në Gjykatën e Arbritrazhit.

Serbia pretendon se me vendosjen e taksës është shkelur marrëveshja e CEFTA-s. Mundësia për ankesë në Arbitrazh, është në tryezë që prej 25 shkurtit, teksa kanë kaluar 90 ditë që nga momenti kur qeveria serbe i ka dërguar një kërkesë zyrtare Sekretariatit të CEFTA-s për të zhvilluar konsultime të drejtpërdrejta brenda Komitetit të Përbashkët.

Nga koha kur Serbia e kishte paraqitur këtë kërkesë, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, kishte njoftuar fillimin e procedimeve në Gjykatën e Arbitrazhit, nëse taksa nuk hiqet brenda tre muajve. Sipas gazetës serbe “Novosti”, këtë e ka konfirmuar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç i cili është shprehur se “Qeveria po zhvillon bisedime për angazhimin e zyrës ligjore në rastin e Arbitrazhit për shkelje të marrëveshjes së CEFTA-s nga Prishtina”.

Po ashtu ende nuk dihet nëse këtë iniciativë do ta marrë vetëm Serbia apo edhe Bosnja, teksa Kosova është pjesë e Gjykatës së Përhershme së Arbitrazhit nga viti 2016. Ndërkohe qeveria e Kosovës është përshira nga debatet edhe me Bankën Botërore, për raportin më të fundit. Nëpërmjet një deklarate, qeveria vlerëson se raporti i publikuar nga përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, për sa i përket zvogëlimit të vendeve të punës në Kosovë në vitin 2018, për 17 mijë vende pune, është plotësisht i pavërtetë dhe i pabazuar.

Një tjetër reagim nga qeveria ka ardhur edhe për emigrimin masiv të kosovarëve. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se shifrat e publikuara në media për kosovarët që emigrojnë janë të manipuluara dhe dëmtojnë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Çështja e taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake nga ana e Prishtinës, pritet të përfundojë në Gjykatën e Arbitrazhit.