MENU
klinika

Politikat dhe kontributet

Shqipëri/ Rritet me 25% barra fiskale brenda 5 vitesh

14.04.2019 - 18:20

Barra fiskale në Shqipëri përgjatë viteve 2014 – 2018 rezulton të jetë rritur 25%, sipas një studimi të bërë nga studio e specializuar ALTAX.

Rritja më e madhe është ndikuar nga politika fiskale e taksimit progresiv, reforma e decentralizimit fiskal, si dhe nga zgjerimi bazës kontributive të TVSH, që ka rritur kontributin e saj e shoqëruar edhe me një rritje 50% të vlerës së rimbursimit të TVSH.

Ndryshimin më të madh në 5 vite e kanë sjellë taksat vendore (rritje 76%), pasuar nga kontributet e sigurimeve shëndetësore (rritje 50%) dhe ato shoqërore (rritje 29%). Ndërkohë, të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë nje rritje që shkon njësoj me rritjen ekonomike dhe inflacionin.

Rajoni

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sipas studimit, barra fiskale përgjatë viteve 2014 deri në 2017 ka patur një evolucion në rritje, përveç Malit të Zi, ku ka patur një tendencë në ulje. Rritjen më të madhe të barrës fiskale e sgënon Kosova me 2.3% rritje ndaj PBB-së. Ndërsa Mali i Zi ka një ulje të barrës fiskale me 2.6% të PBB-së.

Barra mesatare e Ballkanit Perëndimor për 5 vitet së bashku është në nivelin 32% të PBB-së. Në vitet 2014-2016 barra fiskale ka qenë midis niveleve 31.3% deri në nivelin 31.7% të PBB-së. Në ecurinë e barrës fiskale tre shtete kanë ruajtur një nivel të barrës fiskale nën mesataren 5 vjeçare (32%). Ndërsa, katër shtete të tjera kanë mbajtur një nivel barre mbi këtë mesatare.

Kosova ka rritje të peshës së tatimeve direkte në 2016, por një rënie të tyre në 2017. Ndërkohë, tatimet indirekte mbas rritjes së vitit 2016, për arsye të rritjes së shkallës së TVSH-së mbajnë peshën kryesore në barrën fiskale. Shqipëria ka një rritje të barrës së tatimeve direkte, si dhe të tatimeve indirekte dhe kontributeve e taksave të tjera. Maqedonia e Veriut ka rritje të barrës së tatimeve direkte, si dhe tatimeve indirekte. Por, kontributet e sigurimeve dhe taksat e tjera janë pa ndryshuar për dy vitet e fundit. Serbia ka rritje vitin e fundit të barrës së tatimeve direkte, si dhe tatimeve indirekte dhe kontributeve.

Bosnjë-Hercegovina ka rritje të vogël të barrës së tatimeve direkte. Barra kryesore mbahet nga tatimet indirekte dhe kontributet dhe taksat e tjera. Kroacia, i vetmi shtet anëtar i BE-së ka një barrë të tatimeve direkte, të ulët dhe që nuk ka ndryshuar, por ka një rritje të barrës së tatimeve indirekte dhe kontributeve të sigurimeve dhe taksave të tjera. Mali i Zi ka një rritje të barrës së tatimeve direkte edhe pse aplikon prej vitesh shkallë tatimore të ulët. Barra e tatimeve indirekte është rritur, pas uljes në vitet 2015 – 2016. Kontributet dhe taksat e tjera kanë një rritje të barrës së tyre.

Shqipëria rezulton me barrën fiskale më të ulët në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. Serbia, Bosnjë- Hercegovina, Mali i Zi dhe Kroacia kanë pagesa fiskale në buxhet në nivele mbi 10 pikë përqind se tre vendet e tjera të BP-së.

Politikat fiskale

Të ardhurat fiskale të arkëtuara nga shtetet që aplikojnë taksimin progresiv (Shqipëria dhe Kroacia) të krahasuara me shtetet që zbatojnë taksimin e sheshtë (Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Bosnjë-Hercegovina) shikohet se ka një barrë më të lartë me 2% të PBB-së.

Shtetet që zbatojnë taksimin progresiv kanë barrë të kontributeve mesatarisht për 5-vjetëshin 2014-2018 më të lartë se shtetet që zbatojnë taksimin e sheshtë me 4% më shumë. Pra, midis dy modeleve ka një boshllëk tatimi me nivelin 4%.

Norma standarte mesatare e TVSH-së në vitin 2018 për Ballkanin është nga 17% në Bosnjë- Hercegovinë, 18% në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, 20% në Serbi dhe Shqipëri, 21% në Malin e Zi dhe 25% në Kroaci. Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina zbatojnë normë standarte të TVSH nën mesataren e rajonit (19.9%). Të gjithë vendet e tjera të Ballkanit, përveç Bosnjë-Hercegovinës aplikojnë edhe norma të reduktura të TVSH, kryesisht për konsumin jetik, shëndetësi, furnizimin e popullatës me energji, transport urban, si dhe për edukimin, librat, revistat dhe veprimtari kulturore, sportive.

Të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor zbatojnë një normë të sheshtë të tatimit mbi fitimin, përveç Shqipërisë. Norma mesatare e Ballkanit për tatimin mbi fitimin (korporativ) në vitin 2017 ka patur një ulje me 4% në Kroaci. Norma tatimore mesatare e Ballkanit Perëndimor për tatimin mbi të ardhurat individuale/paga është 16.9%. Kroaci (36%), Shqipëri (23%) dhe Serbi (20%) zbatojnë norma mbi këtë mesatare; Kosovë (10%), Bosnjë-Hercegovinë (10%), Maqedoni e Veriut (10%), Mali i Zi (9%) zbatojnë norma nën këtë mesatare.

Tatimin progresiv për pagat (të ardhurat nga puna) e zbatojnë Kroacia (dy shkallë tatimore), Shqipëria (dy nivele tatimore), Serbia (dy nivele tatimore).

Ndërkohë, për të ardhurat individuale, që taksohen në burim, secili shtet zbaton politika progresivi të shkallëzuara sipas segmenteve të të ardhurave personale.

taksat dhe tatimet-konica.al

Normat tatimore për tatimet në burim janë:

– poshtë mesatares së Ballkanit i mbajnë 5 vende; Mali i Zi (taksë e sheshtë 9% për tatimet në burim), Kosova (taksë e sheshtë 10%, kurse dividenti nuk taksohet), Maqedonia e Veriut (taksë e sheshtë 10% për gjithë të ardhurat personale), Bosnjë- Hercegovina (taksë e sheshtë 10%, ku vetëm dividenti tatohet me 5%);

– mbi mesataren e Ballkanit i mbajnë 5 vende; Shqipëria9 (taksë e sheshtë 15% për tatimet në burim), Serbia (taksë progresive 20% për tatimet në burim), Kroacia (taksë e sheshtë 15% për tatimin mbi interesat bankare dhe për tatimin mbi pasurinë dhe 12% për tatimin mbi dividentin).

taksat dhe tatimet-konica.al

Investimet e huaja

Niveli i Investimeve të Huaja Direkte (IHD) Neto në Ballkan në 2017 është mesatarisht sa 4.61% e PBB-së së rajonit. Nivelin më të lartë të fluksit sipas PBB-së vendore e mban Mali i Zi me nivelin 12.3%. Shqipëria ka një hyrje të IHD neto në 2017 sa 9.4 % e PBB-së, ndër më të lartat në Ballkan dhe vjen menjëherë pas Malit të Zi. Vendin e tretë për tërheqje të investimeve të huaja në përqindje të PBB-së e mban Serbia. Shqipëria edhe për vitin 2017, por edhe 2018 vijon me nivel të lartë të investimeve të huaja direkte duke arritur shumat e 908 milionë euro dhe mbi 1 miliard euro. Ndërkohë, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë tërhequr vlera neto investimesh të huaja poshtë shumës 500 milionë euro.

Vlera gjithsej e IHD-ve neto për Ballkanin në 2017 llogaritet të jetë në shumën 15.5 miliardë Euro.