MENU
klinika

Nga Salih Mehmeti

Shqiptarët si romakët, mes fiksionit dhe realitetit

07.04.2019 - 00:03

Teksa e ban nji analizë ponderuese në planin semiotik mbi filmin e Mankiewicz-it Julius Caesar (1953 movie), Roland Barthes-i vëren se shumica e personazheve aty kanë cullufe flokësh mbi ballë (disa të kaçurrelta, disa të kërleshta, disa të yndyrta, por të gjithë të krehun për bukuri), kurse tullacët çuditërisht nuk kanë vend në film, paçka se kishte plot të tillë në historinë romake.

Pra, këtu sipërfaqësohet nji diskrepancë mes fiksionit (romakët me cullufe) dhe realitetit (romakët me flokë të rame).

Sipas Barthes-it, «edhe pse âsht gjá e mirë nëse spektakli krijohet me e ba botën ma të thjeshtë, ai prapë âsht i dënueshem sepse e pështjellon shenjën me atë që shenjëzohet».

Nëse kritizerët e reduktojnë çdo njohje historike të shqiptarëve si nji mit, atëherë këtu duhet me e ba nji shpjegim.

Njohja akademike mbi nji aksh personalitet historik dhe perceptimi kolektiv mbi po atë personalitet gjithnji baraslargohen prej shoqi shojt. Jo veç te na, por gjithkund! Perceptimi kolektiv priret për të thjeshtën, ai akademik priret për nji zhbirim shumëplanësh. Fjala vjen, tek shumica âsht rranjëzue apriori imazhi i nji Skënderbeu që mban përkrenaren ikonike, armaturën gjoksore e që vigjilon nga bedenat e Krujës. E vërteta, ashtu siç e gjejmë tek Barleti, Frangu e pendëtarë të tjerë, âsht që Skënderbeu mbante petka të thjeshta malësorçe, nji gunë të shajaktë, kurse përkrenarja me dy brina dhie kishte veçse funksion ceremonial (fundja do të ishte nonsens bartja e saj në kushtet e nji lufte thuejse të përhershme!).

Skënderbeu qëndroi në Krujë as dy-tri herë, kurse «kryeqyteti» zhvendosej pa pushim aty ku ndodhej teatri i luftimeve kundër osmanëve islamikë.

Semiotika e kinematografisë e ndikon secilin dhe kish me qenë e pandershme që veç shqiptarët me i qit në bankën e të akuzuemit. Kush prej neve nuk e mendon që nji betejë në antikitet a mesjetë ka qenë nji përleshje masive ku secili kacacytet me tjetrin?

Thuejse kërkush nuk e din që nji betejë, në antikitet a mesjetë, në të shumtën e herave, kishte karakter «skirmish» (goditje të herëpashershme nga distanca), ku dikur njana palë tërhiqej.

Historiografia skënderbegiane meriton me u thellue, por jo me u ba obskure veç për hir të perceptimit publik dhe dekonstruktimit për hir të dekonstruktimit.

Pse Skënderbeu transfigurohet si dikush me shpatë plumb të rand, si dikush që vret me dorën e vet mijëra anmiq, si dikush që ban mrekullina, ky nuk âsht faji as i Xhevdet Korçës, as i Athanas Gegajt, as i Fan Nolit, as i Aleks Budës a Kristo Frashërit.