A e dobësoi Enver Hoxha pozicionin e Shqipërisë në përplasjen me Greqinë në Konferencën e Paqes në Paris në 1946?
Kristo Frashëri, historiani i madh shqiptar, pak para se të vdiste, shkroi një vepër kushtuar kësaj konference, që pati rol përcaktues në konfirmimin e kufijve ekzistues të Shqipërisë.
Ai thotë se Enver Hoxha nuk pati ndonjë rol përcaktues në vendimet e saj, që Shqipëria të merrte dëmshpërblim nga Italia, pa mundësuar, megjithatë, që vendi ynë të konsiderohej si Fuqi Shoqe, që kishte luftuar pushtuesit.
Ky qëndrim, së bashku me diferencimin e SHBA-së si vend i cili ishte në favor të integritetit territorial të vendit, ndryshe nga Anglia progreke, është një përparim në raport me qëndrimet, librat e tij, por dhe të gjithë historiografisë komuniste.
Por ka shumë argumente për të thënë se Enver Hoxha e dobësoi pozicionin e Shqipërisë.
1- Enver Hoxha nuk konsideroi si argument thelbësor rezistencën e udhëhequr nga Ahmet Zogu në 7 prill 1939.
Enver Hoxha nuk deshi të lavdëronte paraardhësin e tij si hero i rezistencës, sepse, përndryshe, i binte të ndante pushtetin me mbështetësit e tij, apo dhe me të, pavarësisht referendumit për formën e regjimit në 11 janar.
Me fjalë të tjera, duke llogaritur interesin e vet të ngushtë personal, Enver Hoxha nuk e përmendi fare paraardhësin e vet, Ahmet Zogu, në kundërvënien ndaj pushtimit italian.
2- Enver Hoxha nuk e quajti rezistencën e 7 prillit si diçka të organizuar në mënyrë shtetërore, të udhëhequr nga mbreti Zog, por e quajti si diçka spontane, popullore të 13 mijë vullnetarëve (!!!), siç thotë ai në fjalimin që po ju përcjellim pjesërisht në dosierin kushtuar Konferencës së paqes në Paris.
3– Enver Hoxha e kishte përfshirë Abaz Kupin, një ushtarak të lartë të mbretërisë, në Shtabin e përgjithshëm të Luftës në 10 korrik 1943, e kishte thirrur atë në Konferencën e Pezës, etj., etj., pikërisht për rolin e tij në rezistencën ndaj italianëve, por kjo nuk i mjaftonte. Abazi i njohur botërisht për këtë rezistencë, e kishte bërë vetë luftën, si vullnetar, sipas Enver Hoxhës.
Mujo Ulqinaku, nënoficer i mbretërisë, ishte hero i rezistencës. Por dhe ai kishte luftuar vetë si vullnetar sipas propagandës së regjimit komunist.
Kuptohet se për qëllime propagandistike të brendshme, Ahmeti duhej pikturuar si dikush që iku, që nuk mbathi opingat dhe nuk luftoi me armë në dorë, megjithëse ai dinte të luftonte (në Luftën për pavarësi, në Luftën e Parë Botërore, në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës, në rrëzimin e qeverisë së Nolit, etj.). Por për të mbrojtur Shqipërinë në debatin që do përcaktonte fatin e Shqipërisë së Jugut, Enver Hoxha nuk e përmendi Zogun as si dezertor.
Prof. Kristo Frasheri
Pozicioni grek në fuqi dhe sot!
Pse kishte vlerë ndërkombëtare ky gjest kalorsiak i pasaardhësit politik për paraardhësin politik?
Sepse Greqia mbronte dhe mbron ndërkombëtarisht një tezë të strukturuar mirë, tezë që dhe sot e mbron paradoksalisht historiografia komuniste shqiptare, me pak fjalë historiografia dominante. Sipas saj, Ahmet Zogu dhe shteti shqiptar e kontrabanduan pavarësinë e tyre, e shitën tek Italia dhe ia dhuruan atë Italisë, nëpërmjet dorëzimit të kurorës. A nuk thonë kështu historianët komunistë ? Për Greqinë, rezistenca e organizuar dhe drejtuar nga Mbreti në 7, 8, 9 prill 1939 nuk ekziston.
Për Greqinë, Mbreti, vendimet e tij, të qeverisë së tij, lufta e organizuar dhe e pabarabartë e ushtrisë shqiptare me gjithë sabotimet italiane, nuk ekzistonte dhe nuk ekziston akoma dhe sot. Ekzistonte vetëm veprimi tradhtar i një pjese të mirë, të blerë me paratë e Kontit Çiano, të gënjyer, të drejtuesve, ministrave, parlamentarëve të Mbretërisë. Kjo qasje dinake greke praktikisht i dha besueshmëri të pabesueshmes farkëtuar pikërisht prej Kontit Çiano: që pushtimi të ngjante si diçka legale, mbi bazë të Traktatit të vitit 1926, e bërë mbi bazë vullnetare, etj., etj.
Dhe? Sipas kësaj teze greke, Shqipëria e pas 7 prillit ishte një shtet që vullnetarisht dhe plot dëshirë ia dha Italisë kurorën e Mbretërisë, i dha pjesë të sovranitetit, por duke mbetur një shtet i ligjshëm. Për pasojë, shpallja e luftës prej Shqipërisë ndaj Greqisë në tetor 1940, ishte një akt i një shteti ekzistent, shteti sovran.
Ndaj Greqia mbronte dhe mbron pozicionin sipas të cilit Shqipëria ishte një vend armik, bashkëpunues me Fuqitë e Boshtit, i cili duhej ndëshkuar me zvogëlim territori, si ndodhi me Italinë, me Gjermaninë, Bullgarinë, Hungarinë, etj., etj.
Pra Enver Hoxha ngjan se sakrifikoi me një lloj vetëdije pozicionin, forcën e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare në një moment kyç, si ishte ruajtja e kufijve të saj jugorë.
4- Enver Hoxha nuk bëri atë që bëri Ahmet Zogu me Fan Nolin, por as dhe Fan Noli me Ahmet Zogun, megjithëse kishte detyrën që ta bënte.
5- Enver Hoxha bëri mirë që e rreshtoi Shqipërinë në krah të Aleancës Antifashiste, duke krijuar ushtrinë partizane, etj.
6- Enver Hoxha e mbrojti me zjarr dhe në Paris krijesën e tij duke iu referuar mediave ndërkombëtare që raportuan për luftën heroike partizane. Ai iu referua shtypit ndërkombëtar, BBC, që raportoi për luftën.
Por ai gaboi rëndë që nuk e konsideroi shtetin e tij komunist si vijues të një shteti i cili luftoi ushtarakisht ndaj Italisë, udhëhequr prej Zogut. Edhe për këtë luftë kishte raportime ndërkombëtare : shikoni gazetën Le Temps, Daily Mail, New York Times, etj.
Njihet jo thjesht në fabula me kafshë, shembulli i lopës së mirë që e mbush kovën plot me qumësht, por që e derdh me një shkelm në fund.
Gabimet e tjera të Enver Hoxhës
Është krejt e ditur se fatet e kufijve të vendeve të përfshira në konfliktin e dytë botëror, fatet e rendit botëror në përgjithësi përcaktoheshin nga Koncerti i tri Fuqive të Mëdha, Bashkimi Sovjetik, SHBA dhe Britania e Madhe.
Por nëse Enver Hoxha kishte marrëdhënie të mira, megjithëse jo drejtpërdrejt me Bashkimin Sovjetik, ai i përkeqësoi me dy vendet e tjera. Ndaj mospërdorimi i argumentit të rezistencës së organizuar shtetërore, të udhëhequr nga Mbreti Zog, nuk ishte e vetmja mungesë e Enver Hoxhës, në Konferencën e Parisit dhe pas saj.
7- Enver Hoxha e dobësoi më tej Shqipërinë me qëndrimet e egra dhe të ashpra kundrejt këtyre dy Fuqive të mëdha. Kjo sjellje, me gjasë, nuk lidhet me imponimet që i vinin prej përkatësisë në një kamp komunist të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik.
Enver Hoxha, si pranon Profesor Kristo Frashëri, në gjyqin e mbramë të ndërgjegjes së vet shkencore, e dobësoi Shqipërinë duke u armiqësuar me SHBA-në veçanërisht, por dhe me Britaninë e Madhe.
Enver Hoxha nuk pranoi automatikisht njohjen e marrëveshjeve të mëparshme të Mbretit Zog me SHBA-në, veprim normal i çdo shteti që doli nga Lufta e Dytë Botërore.
8- Enver Hoxha nuk i dha as misionit amerikan dhe as atij britanik statusin e një misioni diplomatik, pavarësisht se të dy këto shtete nuk e kishin njohur ende Shqipërinë si shtet i pavarur në kufijtë e paraluftës.
Një veprim dashamirës ndaj këtyre misioneve mund ta bënte, megjithëse dikush mund të thotë se ai e përdori këtë kartë presioni për t’i nxitur që ta njihnin. Dhe cili ishte rezultati ? Nuk na njohën si shtet as SHBA dhe as Britania e Madhe, që tërhoqën misionet e tyre, por, ama, në Konferencën e Ambasadorëve në dhjetor 1946, Shqipëria e mori statusin e një fuqie shoqe.
Me një fjalë, u njoh prej Fuqive të Mëdha, sakrifica dhe lufta e madhe e popullit shqiptar.
9- Enver Hoxha toleroi apo bashkëpunoi në incidentet shkatërrimtare në Kanalin e Korfuzit. Para Konferencës së Parisit, Shqipëria u përfshi në shkëmbim zjarri me luftanijet britanike në 15 maj 1946. Pas Konferencës, Shqipëria toleroi apo bashkëpunoi në vendosjen e minave detare që shkaktuan vdekjen e 45 marinarëve anglezë në dy destrojerë të Britanisë së Madhe.
10- Enver Hoxha, me nxitjen, inkurajimin e Bashkimit Sovjetik, u përfshi fuqimisht në konfliktin civil grek. Kjo përfshirje në formën e mbështetjes ushtarake, me logjistikë, etj., e dobësoi Shqipërinë, gjithashtu, duke i dhënë argumente Greqisë për mbajtjen e Ligjit të Luftës. Por nëse për këtë sjellje, me siguri, Shqipëria pati imponime sovjetike, është krejt e qartë se sjelljet e tjera ishin vetëshkatërruese dhe dobësuese të pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë që u pranua anëtare e OKB-së, vetëm në vitin 1954.
Sjellja e Hoxhës në Konferencën e Parisit, premisë për një problem aktual
Nëse do shikojmë në historinë apo aktualitetin e marrëdhënieve të shqiptarëve me gjithë vendet e rajonit, ato me Greqinë kanë akoma brenda këtë padrejtësi të madhe. Nëse me Serbinë, padrejtësia u zgjidh në masën më të madhe ; nëse me Maqedoninë po ecën në rrugën e zgjidhjes në një formë të pakthyeshme, me Greqinë, problemi mbetet i madh mu si një shkëmb. I pazgjidhur. Me një padrejtësi që ka një kosto të madhe.
Konica.al synon të informojë dhe të hapë një debat rreth këtij problemi dhe Konferenca e Parisit ka lidhje të fortë me të: statusi i Shqipërisë ndaj Greqisë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Greqia thotë se Shqipëria e sulmoi bashkë me Italinë. Ndaj Shqipëria është shtet armik. Për këtë arsye, Greqia u justifikua me pastrimin etnik në dëm të çamëve dhe shqiptarëve të tjerë. Me këtë pretekst, Greqia, bllokoi pasuritë e shqiptarëve që arrijnë vlera të konsiderueshme, ku përfshihen jo vetëm pasuritë e individëve, por dhe pasuritë e komuniteteve fetare, apo dhe të bamirësve me origjinë shqiptare, të dedikuara për shkollat, kishat në Shqipëri.
Pikërisht mbi këtë premisë të gabuar, por djallëzore, Greqia aktivizoi pretendimet për Shqipërinë e Jugut, pretendime që valëviten dhe sot nga qarqe të caktuara greke në forma të ndryshme. Ajo i shpalli ato me forcë pikërisht në Konferencën e Paqes së Parisit, që ishte ngjarja më e madhe e pasluftës, përcaktuese për kufijtë tanë ndërkombëtarë dhe për statusin tonë si shtet.
Pikërisht gjatë kësaj konference, Shqipëria mund të humbte territore të rëndësishme. Konferenca do të vendoste me shumicë votash nëse Shqipëria ishte apo nuk ishte vend aleat, apo pushtues : do duhej të lëshonte territoret e Shqipërisë së jugut, apo jo. Rreziku ishte shumë i madh.
Vendimi që u mor ishte përgjysmë në favor të Shqipërisë, sepse votimi nxori një rezultat 10 me 10. Konferenca paradoksalisht kishte vende anëtare pa lidhje me Italinë, por edhe me statusin e vendit anëtar të OKB-së, duke qenë republika të Bashkimit Sovjetik.
Sikur jashtë nesh (pjesëmarrjes së Enver Hoxhës) të mos ishte pjesëmarrja e republikave sovjetike si Ukrahina dhe Bjellorusia, aktivizmi jugosllav, dhe imponimi rus, Shqipëria vërtet mund ta kishte pisk. Mund të humbte Jugun.
Autorë të tjerë në lidhje me Konferencën e Parisit
Në lidhje me këtë konferencë përcaktuese për fatin e kufijve tanë aktualë është shkruar relativisht pak dhe mjaft vonë. Në kërkimet e mia në vitet 2002-2005 për tezën e masterit kushtuar çështjes së pronave shqiptare në Greqi dhe ligjit të luftës mes dy vendeve, hasa në materiale arkivore për këtë Konferencë.
Kontaktova me dy autoritete të historiografisë, tanimë të ndjerë si Profesor Kristo Frashërin dhe Profesor Arben Puton, duke shprehur habinë time profane për mungesën e librave dhe veprave në lidhje me këtë moment përcaktues për integritetin territorial të Shqipërisë. I paraqita atyre dhe rezultatet e kërkimeve të mia, për të cilat ata treguan interes.
Prej 2007-s, kur unë botova librin « Lufta e fundit », ku Konferenca e Parisit prekej pjesërisht, për fat të mirë kemi dy kontribute të këtyre dy autoriteteve: Lufta italo-greke, diktatorë dhe kuislingë, i profesor Putos dhe një monografi e profesor Kristo Frashërit me fokus pikërisht Konferencën e Paqes së Parisit të verës 1946.
Edhe vetë Kristo Frashëri e pranonte boshllëkun në punime shkencore rreth këtij momenti kaq jetik për ekzistencën e Shqipërisë në kufijtë që kemi sot.
Përveç rolit të imagjinueshëm të Greqisë, Profesor Frashëri e vë theksin tek roli negativ i Britanisë së Madhe, në dëm të Shqipërisë. Por risia që paraqet profesor Kristo Frashëri në lidhje me mendimin dominant të historiografisë komuniste është se Enver Hoxha duket se ka gabuar në lidhje me SHBA-në.
Pa hyrë në hollësi të tepërta me karakter shkencor, ne duam të provokojmë në një drejtim tjetër veç atij të marrëdhënieve të veçanta të Shqipërisë me Britaninë e madhe dhe SHBA-në.
Debati është i hapur. Ka hapësirë për të gjithë.