Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi se qeveria është e gatshme të ulet të dialogojë për hir të Shqipërisë.
Nga foltorja e Kuvendit, Spiropali deklaroi se është opozita ajo që ka zgjedhur rrugën duke penguar procesin e integrimit në BE.
“Opozita ka zgjedhur rrugën dhe jo dialogun, ndërsa ne jemi të gatshëm të ulemi për hir të Shqipërisë dhe të flasim për rregullat e lojës e standardet zgjedhore.
Në përpjekjen e madhe për t’iu afruar Europës në historikun shtetndërtues, Shqipëria është ballafaquar në shekuj me 2 platforma, atë të bashkimit dhe afrimit me Europën dhe platformën e pengimit.
Vitet e fundit trajta e kësaj marrëdhënie është shfytyruar, sepse nuk ka pasur kurrë një përpjekje më ogurzezë për ta mbajtur Shqipërinë peng të së shkuarës dhe mos ta lënë të afrohet me Europën.”
“Kjo përpjekje e strukturuar për ta nxirë Shqipërinë këto 5 vite e gjysmë është manifestuar në të gjitha format e saj më të shëmtuara nga opozita.
Edhe Reforma në Drejtësi, e anatemuar dhe e tallur nga ata, kur e panë që u doli nga kontrolli dhe po jep frytet e saj, e sulmuan sërish”, u shpreh ndër të tjera zëdhënësja e qeverisë.