Një video, e cila duket sikur demonstron se si duhet të reagosh ndaj një sulmi të armatosur, por e postuar në rrjetet sociale nga një person me pritje ekstremiste në fakt është më tepër se kaq.
Një 29-vjeçar nga fshati Gjorm i Krujës është arrestuar dhe vendosur nën hetim nga Antiterrori për propagandë për qëllime terroriste dhe stërvitje per qëllime terroriste. I dyshuari Erzen Uka ka qenë ushtarak në misione në Irak dhe Afganistan dhe përgjatë dy viteve hetim ai ka shfaqur pritje ekstremiste.
Në video shfaqen edhe dy djem të mitur që po bëjnë ushtrime në shtëpi, ata janë duke u stërvitur nga i ati me qëllim për t’u dërguar ushtarë të ISIS.
Erzen Uka që prezantohet në rrjetet sociale me emrin Hamzah Uka është nën akuzë për stërvitje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste si edhe propagandë me qëllime terroriste.
Video ka mesazhin “Myslimani është ushtar i Allahut dhe si i tillë duhet të përgatitet”.
Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe departamenti i anti-terrorit thonë se ish-komando ka bërë publike në Facebook edhe flamujt e ISIS në vijim të përpjekjeve të tij për të bërë propagandë për organizatën terroriste.
29 vjeçari, i cili ka qenë pjesë e misioneve në Irak dhe Afganistan gjatë vitit 2011, aktualisht i papunë shfaqet me prirje radikale prej vitesh.
I divorcuar dhe i hetuar me herët pas denoncimit të bashkëshortes për dhunë në familje Erzen Uka, nuk ka lejuar qe dy djemtë e tij t’i mbante e ëma edhe pse gjykata kishte urdhëruar dhënien e kujdestarisë të ëmës.
Përmbarimi ka tentuar ta zgjidhe këtë çështje për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës, por kjo gjë nuk është realizuar çka ka sjellë edhe hetimin e tij edhe per pengim të vendimit të Gjykatës.
Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron se pas kontrolleve në banesën e tij u sekuestruan fishekë luftarakë, ndërsa gjatë masës së sigurisë që do të mbahet të martën do të referohen si prova edhe mbikqyrjet e herëpashershme në rrjetet sociale.