Një person i armatosur hapi zjarr në një sinagogë në Kaliforni të shtunën, duke vrarë një grua dhe duke plagosur tre persona të tjerë, sipas policisë.
Një 19-vjeçar i quajtur John Earnest u arrestua pas sulmit, në Poway, në veri të qytetit të San Diego.
Policia nuk përmendi ndonjë motiv por Presidenti i SHBA Donald Trump tha se sulmi u duk si “një krim urrejtjeje”.
Sulmi vjen pikërisht gjashtë muaj pas të shtënave në Pittsburgh në tetor 2018, në të cilën 11 vetë u vranë, që mendohet të jetë sulmi më i keq antisemit në historinë e kohëve të fundit të SHBA.
Sheriffi i Qarkut San Diego Bill Gore u tha gazetarëve se hetuesit po shqyrtonin aktivitetin e medias sociale të të dyshuarit dhe po shqyrtonin një “letër të hapur” antisemitike të botuar në internet.
Në letrën, e cila u shfaq online 8 orë para sulmit, autori, i cili e identifikoi veten si John Earnest, tha se ishte i frymëzuar nga sulmi mbi dy xhami të Christchurch muajin e kaluar, si dhe të shtënat vdekjeprurëse në Sinagogën në Pittsburgh.
Kryebashkiaku Steve Vaus tha”Që kjo të ndodhë vetëm një javë pas Pashkëve është e tmerrshme”.
Duke folur në një tubim në Wisconsin, Presidenti Trump e denoncoi vrasjen si një “krim të urrejtjes” dhe tha se “zemra e Amerikës” ishte me viktimat. “Ne dënojmë me forcë të keqen e antisemitizmit dhe urrejtjes që duhet të mposhtet”, tha ai.
Kongresmenja Demokrate Alexandria Ocasio-Cortez tha në Twitter se ajo ishte “zemërthyer” nga lajmi.
Ndërkohë, zyrtarët e Los Anxhelos thanë se patrullat e policisë do të shtoheshin rreth sinagogave dhe vendeve të tjera pas sulmit të së shtunës.