MENU

Ngjarja te tregu agro-ushqimor

Sulmi në Elbasan/ Dëshmojnë 4 efektivët: Nuk pamë gjë!

18.04.2019 - 22:06

Katër oficerë të Policisë së Shtetit dëshmuan në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin penal ndaj Marjus Lulajt, i njohur ndryshe si Suel Çela, Enea Bekteshit dhe Klement Xhaferrit, të akuzuar e të dyshuar për sulmin ndaj policisë në vitin 2017, në tregun agro-ushqimor në Elbasan.

Ata akuzohen për 3 vepra penale, më e rënda ajo e vrasjes së punonjësve të policisë të ngelur në tentativë. Dy prej oficerëve të policisë, të cilët janë ende me shërbim në Policinë e Elbasanit, e shmangën identifikimin e shtetasit Suel Çela, pasi, sipas tyre, ata nuk e kishin parë se kush e drejtonte makinën që goditi makinën e policisë, në të cilën gjendeshin 3 oficerë policie, mes tyre edhe nëndrejtori i Policisë së Elbasanit, Gjergj Oshafi.

Polici F. Mema tha: “Dëgjuam në radio “Audi, Audi”, targat e asaj makine dihet që i kishte iks person, por përdorues i saj njihej Petrit Çela. Nuk e di, nuk e pashë kush ishte në timon”.

Shefi i antidrogës në Policinë e Elbasanit tha se automjetin në fjalë nuk e drejtonte shtetasi Suel Çela dhe as Enea Bektashi. Y. Bici u shpreh: “Dritarja e Audit ishte gjysmë e hapur, në timon ishte një person i shëndoshë, rreth 35 vjeç. Nuk ishte Suel Çela, në sediljen tjetër nuk kishte pasagjerë”.

Oficeri i policisë lehtësoi më tej rrethanat e shtetasit Klement Xhaferri, gjithashtu nën gjykim në këtë gjykatë.

Sipas dëshmitarit, Xhaferri ishte ndaluar në momentin kur sapo kishte mbërritur në tregun ushqimor dhe se ai nuk kishte kryer asnjë sulm ndaj policisë. Ai u ndalua për shkak të dyshimeve dhe njohjeve që kishte me persona në tregun agro-ushqimor.

Nga ana tjetër, ish-shefi i krimeve të rënda, Ervin Ballaci tregoi se cilat ishin arsyet e patrullimit të policisë me mjetin në të cilin gjendej edhe ai: “Ishte organizuar një operacion për kapjen e makinave të vjedhura dhe ne ishim në lëvizje. Në afërsi të tregut ndaluam një makinë Range Rover dhe pasi ndaluam një person me radio si të policisë, na thonë në radio “po vjen një Audi me shpejtësi, bëni kujdes për jetën”. Audi 795b erdhi me shpejtësi dhe spostimi më ngjau se ndodhi nga shpejtësia. Unë isha brenda në makinën që u godit”.

Disa herë prokurori replikoi me dëshmitarët se përse ata nuk kishin ndërhyrë për t’i kapur autorët, por policët u përgjigjën se ishin befasuar dhe ishin gjendur të papërgatitur. Njëri nga dëshmitarët tregoi se autorët mund të kishin dalë nga pjesa e pasme, pasi, siç tregoi ai, struktura e tregut ushqimor ishte plot me tunele dhe me dyer të fortifikuara.