MENU
klinika

Konfirmon Kremlini

Takimi i parë mes Putin e Kim Jong-un në fund të muajit

18.04.2019 - 15:59

Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un do të takohen në Rusi këtë muaj, njoftoi të enjten Kremlini.

Takimi mes aleatëve të Luftës së Ftohtë vjen në një moment delikat në negociatat bërthamore midis Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë ‘ngecur’ që prej bisedimeve në Hanoi në fillim të këtij viti.

Kremlini nuk dha detaje të mëtejshme rreth takimit mes Kim dhe Putinit, të cilët nuk besohet se janë takuar ndonjëherë me njëri-tjetrin.

Njoftimi erdhi vetëm disa orë pasi ministria e jashtme e Koresë së Veriut bëri thirrje për zëvendësimin e sekretarit të shtetit të SHBA, Mike Pompeo, në çdo negociatë të mëtejshme midis dy vendeve.

Zyrtari i ministrisë së jashtme Kwon Jong Gun në një deklaratë të lëshuar nga agjencia shtetërore koreane Qendrore e lajmeve tha se Kim kishte marrë një “qëndrim parimor” në bisedimet me Shtetet e Bashkuara.”Secili ka një interpretim të qartë të fjalës së tij, që thotë se SHBA duhet të ndryshojë mënyrën e llogaritjes dhe të dalë me masa para fundit të këtij viti,” tha Kwon.

Kwon u ankua se Pompeo e kishte karakterizuar fjalimin e Kim si përfundim të “negociatave të nivelit të punës midis (Koresë së Veriut) dhe SHBA-së deri në fund të vitit”, një interpretim që ai tha ishte ” pa kuptim”.

Kwon u duk se fajësonte Pompeon për ‘ngecjen’ e bisedimeve. “Prandaj, edhe në rastin e rifillimit të mundshëm të dialogut me SHBA-në, dëshiroj që homologu ynë i dialogut të mos jetë Pompeo, por një person tjetër i cili është më i kujdesshëm dhe i pjekur në komunikimin me ne”.

Ndërkohë, është raportuar Koreja e Veriut  ka testuar një armë të re “taktike”, testi i parë i tillë pasi bisedimet midis Donald Trump dhe Kim Jong-un përfunduan pa marrëveshje.

Media shtetërore dha disa detaje, por analistët thonë se kjo nuk ka të ngjarë të jetë një kërcënim për SHBA. Sipas Agjencisë Qendrore të Lajmeve Koreane (KCNA), testi u mbikqyr nga vetë Kim Jong-un.

KCNA raportoi se testi ishte “kryer në mënyra të ndryshme”, dhe analistët besojnë se arma mund të lëshohet nga toka, deti ose ajri.