MENU

Skema e tatimit për të ardhurat

Tatimet: Deklaroni të ardhurat, vonesat penalizohen

17.04.2019 - 14:55

Personat që kanë të ardhura vjetori mbi 2 milionë lekë duhet të dorëzojnë deklaratën individuale vjetore të të ardhurave të vitit 2018 brenda datës 30 prill.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se kjo deklaratë duhet të paraqitet njëkohësisht edhe nga individët jo rezidentë në vendin tonë që realizojnë këtë vlerë të ardhurave të tatueshme.

Tatimpaguesit janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat e tatueshme që përfshijnë:

1.Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit

2.Të ardhurat bruto nga dividenti

3.Të ardhurat bruto nga qiraja

4.Fitimi kapital nga shitja e pasurisë së paluajtshme në pronësi të deklaruesit

5.Të ardhura bruto nga interesat bankare

6.Fitimi kapital i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të paluajtshme

7.Shuma bruto të fituara nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit

8.Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike

9. Fitimi kapitali nga dhurimi

10. Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë

11. Të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart

DPT u kujton tatimpaguesve që të bëjnë kujdes gjatë plotësimit të saktë të deklaratës, veçanërisht në llogaritjen e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, në rastet kur individi përfiton dy apo më shumë paga në një muaj nga punëdhënës të ndryshëm, në të kundërt kjo mund të shoqërohet edhe me penalitete.

Tatimi i llogaritur mbi pagat dhe shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, është kuti e lirë boshe në deklaratë dhe plotësohet nga vetë deklaruesi.

Calculating numbers for income tax return with glasses pen and calculator

Individët

Individi deklarues, do të llogarisë tatimin mbi të ardhurat personale nga pagat dhe shpërblimet për të gjitha të ardhurat nga pagat që përfitohen gjatë muajit, edhe në rastin kur ai i përfiton këto paga nga punëdhënës të ndryshëm. Në rastin kur shuma e të ardhurave të përfituara gjatë muajit nga dy apo më shumë paga tek punëdhënës të ndryshëm e kalojnë vlerën që tatohet me zero përqind (30,000 lekë), tatimi do të llogaritet mbi totalin e të ardhurave mujore nga pagat (totali i të ardhurave nga pagat tek të gjithë punëdhënësit).

Në bazë të shumës së pagave të përfituara në total nga të gjithë punëdhënësit, individi bën llogaritjet sipas skemës së mëposhtme :

1. Për shumën e pagave mujore deri 30,000 lekë tatimi është 0%
2.Për shumën e pagave mujore nga 30,001 lekë – 130,000 lekë tatimi është 13% e shumës mbi 30 000 lekë
3. Për shumën e pagave mujore nga 130,001 lekë e më tepër tatimi është 13,000 lekë plus 23% e shumës mbi 130,000 lekë

Llogaritja
Tatimi i llogaritur në këtë mënyrë për çdo muaj të vitit, mblidhet për të 12 muajt e vitit dhe hidhet në një shumë të vetme në kutinë 4 të deklaratës, e cila përfaqëson tatimin vjetor të llogaritur për pagat dhe shpërblimet. Në kutinë 22 të deklaratës, individi do të shënojë shumën e tatimit të paguar dhe të mbajtur në burim nga çdo punëdhënës gjatë gjithë muajve të vitit. Diferenca midis tatimit të llogaritur, të shënuar në kutinë 4 të deklaratës, me shumën e tatimit të paguar, të mbajtur në burim nga punëdhënësit, të shënuar në kutinë 22 të deklaratës, përfaqëson shumën e detyrimit që duhet të paguajë individi në administratën tatimore për llogari të të ardhurave të tij vjetore nga punësimet.

Shpenzimet e zbritshme
Përfitojnë zbritjen e shpenzimeve tatimpaguesit, të cilët nuk janë subjekt i deklarimit dhe kanë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet deri në shumën 1 050 000 lekë në vit (e indeksueshme çdo vit), por jo më të lartë se kjo shumë, të cilët mund të jenë subjekte deklaruese. Për efekt të llogaritjes së të ardhurës së tatueshme këta individë plotësojnë deklaratën vjetore të të ardhurave dhe përfitojnë shpenzimet e zbritshme, si: shumën e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari; shpenzimet për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, sipas përcaktimeve të rregulluara me vendim të Këshillit të Ministrave. DPT thekson se ajo duhet të kryhet në rrugë elektronike nëpërmjet sistemit e-Fiiling.